Lan Qyqalla - EJA ME HËNËN NË PRISHTINË (tregim)
EJA ME HËNËN NË PRISHTINË
Sonte në këtë mbrëmje, m’u kujtua përvjetor i rinjohjes sonë. Ishte natë e qetë, por e ftohtë. Ti, erdhe bashkë me vjeshtën e hijshme në Prishtinë…Nuk të thur elozhe, por ashtu ishte ardhja jote. Ardhje artistike. Nuk u tret as rrushi e as ti. Aroma yte mbeti në poret e jetës sime. E, vjeshtë atëbotë në Prishtinë, ishte ardhja jote. Pranvera hapëroi në mua. Vjeshta solli furfule. Jashtë fryente erë dashurie. Brenda shkëlqenin fjalët poetike. Shikimet tona u preken në poezi, ese, pikturë. Dole në ekstazën time si një bilonjë. Sy të bukur e shikim të zjarrtë. Nuk i thamë asgjë njëri-tjetrit, vetëm mikluam ngrohtë shikimet. Kisha një vit që jetoja, për të jetuar. Yjet në qiellin tim ishin shkimur. Nuk e besoja që do rrëmbehem kaq shpejt. Sa dëshiroja të ishte pafund ky manifestim. Nuk e di, pse nuk u përshëndetëm as kur u takuam e as kur u ndam. Ti, padashje xhelozoje, ke ato vasha e gra, që më pyesnin për hënën, natën e vjeshtën. Nuk ishim takuar asnjëherë e xhelozia ishte present. Sytë e tu të mëdhenj kishin frikë nga egoja. Sa hijeshi te jipnin floketari te gjata si thekra. Dikush të ishte kërcënuar, që të mos vije! E, di! Mbase atë mbrëmje poetike, ti mërdhije dhe kishe të ftohtë. Nuk desha të të them natën e mirë. Amfiteatri u zbraz, e unë të kërkoja në errësirën e vjeshtës e të Prishtinës. Heshtjen e kishte sjellur të ftohtit. Mua më humbi shikimi pas teje. Ti e mllefosur ikën larg në këndin e rrugës së studentëve…
Atë natë nuk më vinte gjumi. Të mendoja dhe flisja me ty. Besa, edhe i afrova ngadalë buzët e mia që kishin plevitë, në buzët e tua all nga temperatura. E, bukur, kështu si sot, si vetë vjeshta. E, mençur si gjithnjë, si në përralla. E, sert në dashuri, si me pabesi. Iku edhe ajo natë, si nata e sontme në kujtime. Atë natë të mikloja me shikime, sonte e dua afshin e buzëve dhe thimthat e gjinjëve. Vrushkujt e ujëvareve derdheshin në trupin tënd. Hëna shpërlante fytyrën dhe të ngjyroste sytë. Era e vjeshtës pastronte gjuhën e fjalëve dhe t’i dhuronte ty. Ne gjuhën e mësonim në dashuri, Apo dashuria na u bë gjuhë, fjalë, jetë. E, sonte prapë bënë ftohtë, si atë mbrëmjen e vitit 201., sepse është vjeshtë në Prishtinë. Sonte, hëna nuk më miklon , por rri e strukurë në kupën qiellore. Sonte kujt t’i them: TË DUA! Kujt t’i them: më ke munguar në shekujë e shekujtë na kanë zili…Kush të puth buzët sonte që kanë mall për ty? Shtrëngimet i ndjem me gjuhën e pashqiptuar….Po, sonte kam unë të ftohtë, si ti atë natë me poezi. Kam unë xhelozi sonte, si ti atë mbrëmjen poetike, kam mall unë për ty, sa malli yt atë natë në mua. Eja, bashkë me hënën! Të pres e nuk mërdhijë, deri në ardhjen tënde…