Teuta Sadiku - Një këndvështrim filozofik i librit të ri të poetes e prozatores Nexhi Baushi

Teuta Sadiku - Një këndvështrim filozofik i librit të ri të poetes e prozatores Nexhi Baushi
KUJTESA SI KRIJIM DHE KTHIMI I NDJENJAVE NË KOHË FRAGMENTARE
Një këndvështrim filozofik i librit të ri të poetes e prozatores Nexhi Baushi
 
Çfarë është në të vërtetë kujtesa dhe çfarë ndodh kur ne “kthehemi” në kohë? A është ky një rikthim besnik, apo një rindërtim i heshtur, i ndikuar nga vetëdija jonë e tashme?
Qasjet bashkëkohore dhe filozofike e rrëzojnë idenë e vjetër se kujtesa është një depo pasive. Përkundrazi, ajo është një akt krijues, një proces në të cilin njeriu jo vetëm rikujton, por edhe riformëson përvojën. Në këtë kuptim, refleksionet e prozatores Nexhi Baushi ,nuk janë thjesht kujtime të ruajtura, por akte të reja mendimi dhe ndjenje, të prodhuara në një kohë tjetër të jetës.
Kujtesa një proçes aktiv dhe krijues.
 Mendimi filozofik  mbi kujtesën ka lëvizur nga një konceptim mekanik i kujtesës drejt një konceptimi dinamik.
Këtë e argumenton më së miri Nexhi Baushi me 35  refleksionet e saj, e cila  nuk regjistron thjesht kujtime,  por  zgjedh, e transformon dhe e rindërton përvojën,po aq sa ndërvepron me gjuhën, kulturën dhe marrëdhëniet shoqërore.
“Prej duarve të saj punoheshin qilima,,bazë  e ind me fill lleshi.”Gjyshja ime.fq 99
Në refleksionin “Kush jam unë?”, Baushi  nuk  rikthen një identitet të pandryshuar; ajo po ndërton një identitet të ri mbi rrënojat dhe kujtimet e së kaluarës. Ky është një akt tipik bergsonian: kujtesa si energji jetësore, si një forcë që vazhdon të krijojë kuptim.
Po cili është  raporti midis kujtesës si përvojë private dhe si fenomen i ndikuar nga bota ?
Në dukje, kujtimet e hedhura janë tërësisht personale, sepse askush tjetër nuk mund t’i përjetojë si vetë autorja. Por në thelb, ato janë të ndërtuara mbi gjuhën që përdor, traditat që  trashëgon, marrëdhëniet që ka jetuar.
Kjo do të thotë se kujtesa është një pikë takimi midis individit dhe shoqërisë.
Në refleksionet e autores për nënën, babanë, gjyshen apo qytetin, kjo bëhet e dukshme: kujtimet e saj janë intime, por njëkohësisht bartin një kujtesë kolektive, një kulturë të tërë që flet përmes saj.
“Të rri me orë të tëra  pranë radios “Sooneberg”për të dëgjuar zërin e ëmbël  të Mimika  Lucës “Mall për kohën.fq104
“Brezat trashëgohen  e kur moshohen e ndjejnë si kurrë më parë vlerën e jetës,”Me mendje fotografoj të bukurën “fq 120
Kthim në kohë apo rikrijim i kohës?
Ideja thelbësore  është se nuk ekziston një “kthim i pastër” në kohë. Çdo rikthim është në fakt një rikrijim i kohës.
Kur autorja flet për fëmijërinë, ajo nuk është më fëmija që ishte dikur. Ajo është një vetëdije e pjekur që interpreton, selekton, i jep kuptim të ri asaj periudhe.
Kjo përkon me intuitat e Martin Heidegger, për të cilin e shkuara nuk është diçka e mbyllur, por një dimension që vazhdon të jetojë në qenien tonë. Ne nuk e kujtojmë të kaluarën si spektatorë, por si qenie që ende e mbajmë atë brenda vetes.
“Nuk është krim të dashurosh” fq 61
“Ajo kohë më sjell kujtime”fq71
“Retrospektivë” fq73
Mënyra se si kujtimet shfaqen , (jo në rend kronologjik) në fragmente ,nuk është dobësi strukturore.Rrëfimtarja Nexhi Baushi kalon nga një imazh në tjetrin, nga një ndjesi në një tjetër, nga një marrëdhënie në një reflektim filozofik.
Kjo mënyrë ndërtimi i ngjan një “muzeu të brendshëm”, ku objektet nuk janë të renditura sipas kohës, por sipas ngarkesës emocionale dhe kuptimore.
...sot dua të flas për duart  e mia,të kujtoj gjithçka ka dalë nga to,që nga koha kur shënon kujtesa ime.” Duart e mia. fq 126
Risia më e madhe e këtij libri është pikërisht zhvendosja nga “kujtesa” te “ndjesia”. Autoria nuk thotë thjesht “kujtime”, por “kthim ndjenjash në kohë”.Refleksione
Kjo nënkupton se ajo që rikthehet nuk është ngjarja, por ndjenja që e ka shoqëruar atë ngjarje
Dhe ndjenja nuk është statike. Ajo ndryshon me kohën, thellohet, qetësohet ose intensifikohet. Prandaj, çdo rikujtim është edhe një ripërjetim i ri emocional.
Një nga fuqitë më të mëdha të kujtesës është distanca. Me kalimin e kohës, emocionet e forta zbuten dhe njeriu fiton aftësinë për të parë më qartë.
Kjo i jep mundësi Baushit  që të rishikojë ngjarjet , të kuptojë më mirë marrëdhëniet, të pajtohet me të kaluarën.
Në këtë pikë, kujtesa bëhet një mjet njohjeje dhe çlirimi.”Pak nga jeta ime”fq 95
Kujtesa në librin e Baushit është një akt  shkrimor dhe si i tillë shkrimi i kujtimeve  është një proces i dyfishtë:
-rikthim në përvojë dhe organizim i përvojës  në formë narrative.
Por ky organizim nuk është neutral. Ai është një akt zgjedhjeje dhe krijimi. Në këtë kuptim, prozatorja Nexhi Baushi nuk është vetëm dëshmitare e jetës së saj, por edhe autore e saj në një nivel të dytë.
“Kthim ndjenjash në kohë” nuk  është një libër  kujtimesh, refleksione , është një laborator i mendjes dhe shpirtit të autores,  është një rikrijim i vetvetes përmes kohës. Dhe pikërisht këtu qëndron vlera artistike dhe filozofike e këtij libri, në aftësinë për ta kthyer jetën e jetuar në një përvojë të pasur jetësore.
 
Teuta Sadiku.