RIFAT ISMAILI- ZËRI I NJË SHKRIMTARI ORIGJINAL NË LLOJIN E TIJ, QË JETON DHE KRIJON MES ATDHEUT DHE ITALISË
Në hartën e letërsisë shqiptare të pas viteve 90-të,ku zërat e rinj kërkuan të çliroheshin nga hija e realizmit socialist dhe linja e ndikuar prej saj, ata filluan të ndërtonin identitete të reja estetike dhe padyshim një emër që ka ecur me këmbëngulje, durim dhe dinjitet është ai i Rifat Ismailit.
Rifat Ismaili është tashmë një shkrimtar i mirënjohur që lëvron si poezinë dhe prozën, si tregimin dhe essetë dhe letërsinë për fëmijë dhe të gjitha këto me sukses të admirueshëm.
-Poezia-Elegji e brendshme me mall emigracioni.
Poezia e Rifatit është thellësisht lirike e lidhur ngushtësisht me realitetin. Ajo buron nga përvoja personale, nga malli për vendlindjen dhe jeta në emigrim e tashmë i integruar plotësisht.
Në vargjet e tij ndihet një tension i vazhdueshëm mes kujtesës dhe të tashmes, mes rrënjëve dhe udhës së mistershme të emigrimit. Ai e trajton jetën si mister dhe sfidë, si dhimbje dhe mrekulli njëkohësisht.
Vargu i tij është i pastër, i qartë, me metafora dhe ritëm të brendshëm që s’kërkon bujë por thellësi mendimi dhe qartësi interpretimi.
Motivet e dashurisë, vetmisë, kohës dhe kujtesës ndërthuren në varg me një gjuhë të përpunuar, ku fjala nuk është stoli por duhet të qëndrojë si e tillë dhe të jetë mjet i domosdoshëm shprehjeje.
Në të nuk synohet të trondisë por kërkon një lexues të vëmendshëm.
Disa nga librat e tij me poezi janë:
1-Kështu të dua…………………….2019
2-Asgjë s’ta prish bukurinë..2019
3-Mirësevjen dashuri…………..2022
4- Gjurmë dhe zhurmë..........2022
5-Kërkoj të zbuloj një shkëlqim.2023
6-Si erë vjen tek unë…………….2024
7-Pranvera erdhi grua………….2025, etj...
Po të futesh në vargjet e poezive të Rifatit do ndjesh një kënaqësi shpirtërore që të bën të ndjehesh mirë.
Si një patriot dhe atdhetar i zjarrtë e trajton me ndjenjë mallin për Kosovën në poezinë e titulluar:
Tokë që më rreh në zemër
"Të kujtoj Kosovë, mbyllur në dhomën time të errët,
Shiu bie mbi neon dhe lag kujtimet e mia,
Ah,sikur të kisha një palë flatra magjike,
Atje,pranë teje do të vija"...
Apo malli i pashuar që jeton në zemrën e emigrantit e përshkruar bukur për vendlindjen në poezinë:
Mall i heshtur
Ky mall i pashuar
po tretet ngadalë,
Siç tretet mes fushës
një pellg uji i tharë,
Por s’ikën jo ky mall,
Me vete ngado e mbaj,
më jep gëzim e vrer.
Një varg i cili më preku e gjejmë në poezinë e titulluar:
O jetë
Ne s’të deshëm o jetë por ti përherë,
Ndenje pranë nesh si një nënë,
Në çdo gabim tonin nuk hedh vrer,
Nuk na preve ëndrrat me gërshërë.
Disa vargje mikse për dashurinë dhe erotikën ku autori nuk kursehet duke i trajtuar me finesë:
Mirë se vjen dashuri
"Në gji do fsheh dashurinë,
Me yje do rend nëpër natë,
Të ndezur ta mbaj dashurinë,
Në shpirt sa më gjatë."
Apo në:
Mike erotike
"Mbeta para teje si një shtyllë betoni,
Ma hidh dhe një bombë,shpirtin t’më shpëtoni."
Apo në:
Çast hyjnor që më buzëqesh
"Çast hyjnor që më buzëqesh e fshihesh pas një reje,
Më jep ëmbëlsi dhe shpresë,mos më dëno me kaq heshtje."
Apo në:
U tremba nga dashuria
"Në gjumë a në ëndërr rashë, në honin e syve të saj,
Me thikë hënën përgjysmë ndaj,
Me njërën qesh, tek tjetra qaj."
Një poezi aktuale e trajtuar bukur mbi konkurset letrare ku viktimë jemi pa përjashtim dhe ne shkrimtarët e strofa në poezinë e mëposhtme jo se është përgjithsuese, por fenomen ndonjëherë shqetësues.
"Nëse do qetësi mos shko në konkurs
Nëse dëshiron lirinë lahu në liqen në agim,
Por nëse do pakëz zhgënjim
prit juritë të të japin çmim,
Nëse do gjumin e qetë, shkruaj për vete e pa tundime,
Por nëse do flakët e ferrit, shko në konkurs e prit për çmime."

Bëra një pasazh poetik për të treguar vlerat domethënëse të autorit në poezi.
Proza-Rrëfime të përditshme me jehonë universale.
Z.Rifat në prozë trajton shpesh realitetin shqiptar dhe emigracionin me një sy kritik dhe me një simpati të thellë për njeriun e zakonshëm.
Ai është autor i shumë librave të kësaj gjinie ku përfshihet romani, tregimet dhe skicat, essetë etj.
Librat e kësaj gjinie përmendim:
1-Një vend burrash.Roman……….2002
2-Kam pasur një vëlla ndonjëherë?.Roman……2022
3-Banor i parehatshëm.Roman..2024
4-Ikja e dytë e Noas.Tregime……..2022
5-Të rrethuar nga deti.Novelë…2025
6-Nusja e palumtur.Novelë……..2025 etj.
Libri i parë me tregime në 1997”Tregime” dhe romani “Një vend burrash” në 2002 tregon përplasjet e vetes me bota të ndryshme sociale ku figura njerëzore ndihet e mpleksur midis aspiratës dhe kompromisit.
Proza e Rifatit ruan ekuilibër të admirueshëm mes kritikës dhe mirkuptimit. Forca e trajtimit të fenomeneve dhe ngjarjeve qëndron në rrëfimin e tij të sinqertë ,real dhe në zbërthimin e detajuar të konflikteve të brendshme. Gjuha në prozë është e drejtpërdrejtë, dialog natyral pa retorikë të tepërt duke i lënë ngjarjet dhe karakteret të dalin vetë në pah.
Nuk u zgjata shumë në këtë gjini pasi ka një mori të madhe veprash me situata e personazhe ku do zgjerohesha shumë.
Esseistika-Mendim kritik mbi lirinë e shkrimit.
Ky është një stil i veçantë në të shkruarin e Z.Rifat Ismaili që e gjen në pak shkrimtarë, ku në essenë e tij trajtohen tema që lidhen me lirinë njerëzore dhe rolin e shkrimtarit, krijimin e vlerave dhe raportin mes artistëve dhe shoqërisë. Ai nuk mjaftohet me përshkrime, ai analizon, pyet dhe sfidon.
Me tituj refleksionesh si ”Dilemat e lirisë njerëzore”, ”Kurthet e letërsisë”, ”Mallkimi i shkrimtarit dhe shkrimtari i mallkuar” etj , tregojnë një kreativitet të angazhuar në vetë proçesin krijues, duke u ndalur jo vetëm te ajo që shkruhet në një epokë të zhurmshme ku shpendi thëllëzë zëvëndësohet nga sipërfaqsorja.
Për autorin shkrimi është një farë”mallkimi” i bukur, një nevojë e brendshme që nuk lejon kompromis me ndërgjegjen dhe pasionin.
Një libër që s’duhet humbur ndër të tjera së lexuari është ”Qasja ndaj librit dhe leximit” me esse, ku për t’mos u zgjatur ajo është një shkollë reflektimi ku letërsia nuk është sfidë por një e shkruar me ndërgjegje dhe pathos, është një furrnaltë emocionesh që do kohën e vet për tu pjekur. Kulturë e veçantë është qasja ndaj librit dhe leximit pasi nuk është si një lexim i përditshëm i një gazete periodike por më i vëmëndshëm e më i thellë etj.
Një autor me prani ndërkombëtare.
Librat e autorit dhe kujtimet e shkrimeve të mbartura në to nuk mbeten brenda kufijve të truallit shqiptar, por poezitë dhe shkrimet e tij janë botuar në revista dhe platforma letrare në Itali, Spanjë, Amerikën latine, në Azi, Arabi, Uzbekistan e gjetkë që dëshmojnë një interes të gjërë për universin e tij krijues. Përfshirja në antologji ndërkombëtare dhe bashkëpunimi me autorë të huaj e vendos atë në një dialog kulturor të gjërë.
Gjithashtu Z.Rifat Ismaili është vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare si një kontribues i çmuar në letërsinë bashkëkohore, sidomos i diasporës.
Përfundimi.
Shkrimtari Rifat Ismaili është një zë që bashkon të brendshmen me universalen. Në krijimtarinë e tij ndërthuret ndjeshmëria lirike me etosin moral dhe reflektimin kritik. Ai s’është vetëm një poet i ndjeshëm dhe me inteligjencë së shkruari por dhe një prozator dhe esseist që ngre pyetje themelore për identitetin, lirinë dhe kuptimin e jetës.
Në botimet e tij të shumta disa të sipërcituara, në shqip dhe gjuhë të huaja, ai paraqet një urë lidhëse midis kulturës letrare shqiptare dhe asaj ndërkombëtare duke e bërë veprën e tij të vlefshme për një publik gjithpërfshirës.
Ndaj shkrimtarë të tillë të njohur në diasporë është mirë ti njohim më shumë, pasi s’kanë nevojë shumë për promovim , por për respekt dhe mirënjohje.
Nga Skënder Milaqi