Bujana Xhindoli - Tregim

Bujana Xhindoli - Tregim
~Libri i verdhë~
 
Teksa mëson dita-ditës me të vogëlin mësimet; ajo lexon e ai përsërit pas saj. I vjen ndërmend vetja, kur ishte në moshën e tij. Librat kishin tjetër aromë, të tjera shkronja - që ishin të serta si tel, shumë tekst dhe pak figura e ilustrime. Vitet kalojnë për fëmijët - rriten ata, ndërsa nënat kuptojnë se nuk mund të mbajnë mend gjithçka. Lexojnë më ngadalë, pa shumë emocione dhe përhumben...
Shpesh ndodh tek mësoj me tim bir mësimet e tij, apo në biseda të thjeshta e të shkurtra, përhumbem dhe shikim shkon mbi fëmijën që kam qenë dikur. Me sytë e tij duket sikur më thotë: 
-Pse unë mësoja vetë, ushqehesha e lahesha vetë, shpesh edhe teshat i laja vetë?! 
-Pse zëri im ishte aq i vogël, sa nuk dëgjohej?! ---Pse nuk mundja të thoja sesi ndihesha, kur prindërit ktheheshin vonë në shtëpi dhe nuk mund të dëgjonin telashe e vogëlsira, apo vjershën me shumë strofa që kisha mësuar përmendësh?! Pse-të nuk kanë fund, sepse fillesa e gjithçkaje është një 'pse' e madhe. Kthehem përsëri nga im bir, i cili ka përfituar nga përhumbja ime dhe ka hapur librin e muzikës. Ai mëson kitarën në mënyrë të pavarur. Në fillim e mora si një nga lojërat e radhës kur më tha: "Unë do të mësoj kitarën". "Është ndonjë rreng", thashë me vete. "Ky më thotë kështu që mos të hapë librat e shkollës, ose të qëndrojë nga dhoma e gjumit dhe të luaj me telefon". "Mirë", i'u pata përgjigjur. "Bëj si të duash, vetëm kujdes e mos bëj shumë zhurmë". Kaluan pak ditë dhe nga dhoma e tij erdhën copëza melodie nga kitara akustike. U afrova tek dhoma ku ai qëndronte. Ishte skuqur e djersitur, sikur të kishte punuar në arë. Nuk i fola. E lashë në rendje e tij dhe i'u ktheva punëve të mia. Shpesh ai luan nga një melodi. Ulem e dëgjoj dhe kënaqem. Edhe pse nuk e njoh fare muzikën, por thjesht e shijoj, arrij të kapë ndonjë gabim të vogël, kur kalon nga njëra notë tek tjetra. Ndodh të kthehem nga puna e lodhur. Im bir e lexon fytyrën time. Sapo ai fillon të luaj me kitarë, lodhja fashitet dhe unë përhumbem...
Përpara më del libri i verdhë i tim eti, që filloi ta shkruante ditën që linda e vitet në vijim. Sa herë gjendem ngushtë, e shfletojë atë libër. E kam të shenjtë. Edhe kur fillojnë pse-të, e birit të vogël, përgjigjet i gjej tek libri i verdhë. Im atë më pat thënë se "pse-të nuk marrin kurrë përgjigje. Fillesa e gjithçkaje është një 'pse' e madhe".