Bujana Xhindoli - Tregim

Bujana Xhindoli - Tregim
Tregim
 
TOKË E AJKËT
 
Nëna i tregonte se ai vend dikur ishte ndryshe. Një lumë kalonte përmes shtëpive, sot vendi quhet lagjja e re. Guralecët nën koren e dheut janë gjurmët e lumit të dikurshëm. Nëna ishte vetëm tetëmbëdhjetë vjet, kur këmba i shkeli për të parën herë në tokën e butë. Njerëzit ishin ndryshe. Të qetë - sikur jetonin vetëm për vete dhe vetëm me hallet e tyre. Edhe të folurin e kishin ndryshe; ujërat e ëmbël të lumit shtratgjerë ua kishin shpëlarë bashtingëlloret e zëshme. Gratë nxirrnin mjaltë nga goja. I mbulonin flokët e gjatë me shami të bardha dhe të qendisura në të katërta anët. Nga mënyra si nëna i fliste për atë vend, mendonte se fati e deshi që të gjendej atje,  të mbylltte çdo ëndërr, të fikte çdo dëshirë. A ndihej mirë nëna? A ishte e lumtur? Një grua kur flet për të shkuarën, duket sikur kërkon, që të quajë të drejtë zgjedhjen e saj. Vajza e donte pa kushte nënën. Dy gra, me këmbë të bukura, me ecjen si të zonjave, zhysnin çdo ditë shputat e buta në dheun e ajkët.. 
U ndërmend. Ishte në auditor dhe salla qe mbushur plot me studentë. Çdo fundviti humbtte e zhytur në kujtime. Studentët, tanimë magjistratë mbyllën mjetet e punës, dosje e ç'kishin të hapura mbi katedra dhe u larguan të kënaqur e të qetë. Në katedrën e fundit një bardhoshe me sytë e kaltër mblidhte mjetet ngadalë. Profesoreshë Ala mezi e dalloi.
 -Zonjushë, ju drejtua - ende këtu? 
-Mbaroi konsultimi me të gjithë juve sot. 
-Po profesoreshë, patjetër që ka mbaruar por jo për mua. 
Ala ndjeu të dridhura në shpirt, tek dëgjoi timbrin e zërit. Dicka i kujtonte ai zë, ajo bardhësi lëkure, ajo kaltërsi e pastër brenda syve. 
-Po si kështu? Çfarë prisni atëherë? 
Vajza lëviz ngadalë karrigen e drunjtë dhe i'u afrua profesoreshës si një puhizë e ëmbël.
-Desha t'ju shihja nga afër, doja të shihja brenda syve tuaj. Gjyshja ime ma thotë shesh "se sytë kanë shpirt". Unë vij nga vendi ku dikur ka kalur një lumë. Në zonë, dy gra, nëna dhe vajza shquheshin për bukurinë dhe hijeshinë e tyre. Unë vij nga toka e ajkët...
Ala i ktheu shpinën vajzës së re, ashtu siç i'a kishte kthyer jetën përmbys dhe fare të vogël e kish lënë vajzën e mitur me gjyshen e saj.
Duke ecur, gati-gati duke vrapuar, në portën e fakultetit u has me një zonjë të moshuar e tepër të fisme. E njohu nga këmbët e bukura.
-Ala, moj bijë...kaq shumë vite.
Profesoreshë Ala, doktore shkencash, futi kokën mes shpatullave të brishta. Thirri shoferin e saj dhe i kërkoi t'a shpinte në tokën e ajkët. Sapo mbërriti hoqi këpucët dhe zhyti këmbët në dheun e butë. 
U çlirua. Po ndihej mirë. Ajo nuk e kishte pranuar fatin e parashkruar të nënës së saj. Duke braktisur të ëmën bashkë me të bijën, ajo kishte mundur të zhbënte fatin e tyre, duke i larguar nga toka e ajkët. E tillë ishte Ala, rebele.