Nga Dhurata Kasa
KOLIQI DHE SHTRATI I VEPRËS SË TIJ
Ese kritike: Ernest Koliqi, një krijimtari mes shtratit romantik, realist dhe simbolist.
Koliqi është cilësuar nga kritika si një ndër krijuesit e prozës moderne shqiptare. Vepra e tij voluminoze dhe shumëformëshe na jep të drejtën ta shikojmë në disa shtrate të rrymave letrare. Ali Xhiku thekson se “…orvatjet për të formuluar një tezë pak a shumë të pranueshme për animin e prozës së Koliqit në një rrymë ndërlikohen shumë…”.
Në fillimet e tij Koliqi mund të shihej si një lirik romantik me trajtat e tingëllimave si forma klasike të poezise lirike, ku autori i thur himn bukurisë së formës dhe dashurisë si tek malli për Shkodrën dhe Shehrezaden.Tingëllimet e Koliqit për Shkodrën karakterizohen nga harmonia tingullore dhe figuracioni që përcjellin një emocionalitet të matur si tek Mjeda. Koncepti i mallit të mërgimtarit që me imagjinatën e tij përpiqet të ruajë kujtime të ëmbla “oh Shkodër fmijore, n’mosh t’prarueme”shpërthen me tronditje e dhimbje për të ruajtur në kujtesë identitetin e vet. Nostalgjia për kohën nuk është vetëm tek autori por edhe tek personazhi i emigruar, tek vendasit si psh Leci, plaka të cilët përjetojnë ndjesi. Janë të rralla shmangiet nga tradita të romancave idilike të pamundura brenda mjedisit shqiptar. Një marrëdhënie të tillë që realizohet, e jep Koliqi si një lindje dhe realizim ndjenje, tipike evropiane por me personazhe shqiptare tek “E gjeti mas shimshirit” e cila mbetet e vetmja në dëshirën e pamundur të Koliqit duke pasur parasysh relitetin por në këtë rast fiton ndjenja (detaji i duarve, prekja).
Nëse i referohemi më konkretisht disa tipareve të dukshme të romantizmit vëmë re tek proza e Koliqit qëllimet patriotike, didaktike-morale. Psh tek “Tregëtar flamujsh”qëllimi është sa patriotik aq edhe politik, por objekti kryesor “flamuri” është ndjesi kombëtare dhe përftesë tregëtare. Fiton ideali patriotik. Ndërsa tek novela “Rrokoll” qëllimi moral tregon shndërrimin e personazhit. Prof. Alfred Capaliku thekson se: “shkallëzimi i krizës morale tregon kalimin nga vesi vetjak në stereotip. Këtu na vjen në ndihmë Prof. Ali Xhiku i cili thotë se :” …tjetërsimi mbetet të jetë i krahasueshë me tjetërsimin e personazheve të romantizmit, ose të pamjeve që ai merrte gjatë gjysmës së parë të shek XX.
Por romantizmi i Koliqit del edhe në përshkrimet si shtjella poetike rreth çdo lloj koncepti, qoftë ky edhe modernist. Pra përshkrimet e Kutelit mbeten perla të nuancave romantike pavarësisht qëllimit apo formës, mbishtresimeve kuptimore apo simboleve. Muza e hershme poetike e Koliqit bën që nuhatja romantike të ndjehet në prozë duke i dhënë edhe termin kritik “prozë poetike” një pjese të mirë të krijimeve të tij. Psh përshkrimet natyrore tek një sërë tregimesh ku kopshti zë qendrën përshkruese të koncepteve. Mesa duket ndikimi i Koliqit nga kultura italiane me përkthimet e Dantes, Petrarkës, Tasos, Montit, Foskolos e ushqyen stilin e tij edhe me shijen e motiveve dhe përshkrimeve romantike.
Koliqi e kaloi romantizmin por pa e kaluar plotësisht atë, madje duke marrë herë pas here elemente prej tij. Kështu citojmë edhe klasifikimin që i bën Arshi Pipa duke theksuar se Koliqi qëndron “…mes shkrimtarëve post romantikë dhe konservatorë. Duke riparë pozicionin e Koliqit mund të themi se tek vepra e tij mbizotëron realizmi dhe analiza psikologjike sepse pikërisht jeta urbane e gjysmës së parë të shek XX gjen universin e tipologjive të personazheve jetësore.
Pra do të gabonim nëse e pozicionojmë Koliqin këtu më herët mes romantizmit dhe realizmit. Koliqi mbetet një penë e fuqishme e shkrimit disa shtresor dhe modernist.
Aftësia e Koliqit për të zhbiruar psikologjikisht personazhin është e lidhur ngushtë me mjedisin. Ndaj si njohës dhe jetues i disakohshëm i këtij realiteti, detajet dhe përshkrimet realiste janë tabani kryesor ku shtrihen personazhet e tij dhe zhvillohen konceptet që ai ka. Tipike janë vëllimet me tregime “Hija e maleve” dhe “Tregëtar flamujsh”. Jeta shkodrane malësi-qytet paraqitet me realitetin e saj të ashpër. Ky realitet ka rrënjë të thella shpirtërore dhe qëndron përballë ngërçit për përparim, ndeshje në të cilën fiton shtresimi i moçëm në të shumtën e rasteve.
Po a është Koliqi një shkrimtar realist? Realizmi i veprës së tij është një start i fuqishëm për të paraqitur botëkuptimet e mbi to psikologjitë e ndryshme. Koliqi duke vënë në qendër botën shqiptare në dy vëllimet me tregime “Hija e Maleve” dhe “Tregëtar Flamujsh” paraqet situata dhe kontekste të fuqishme realiste të tragjicitetit të jetës së malësisë në të parin dhe mentalitetin, kamjen, skamjen e karaktereve në të dytin. Realizmi i Koliqit shpërfaqet jo si një qëllim parësor por ai i shërben shtresimeve kuptimore dhe psikologjike.
Nisur nga ky realitet Koliqi trajton tema të tilla si jeta e trishtë e famileve të varfra të qytetit ku problemet sociale si papunësia, prostitucioni, degradimi si pijanec (Rrokoll), thashethemet dhe fanatizmi, përshkrimi i Kishës (Një ngjarje në rrugën Kezenaj), bojaxhiu që bie në dashuri, dallimet klasore (Nji dit prej dit’sh…), gjuetarët e antikuareve (Djepi i arit), fallciteti i intelektualëve si një komedi e përhershme( Bylbylat e Plepishtit), femra dhe realiteti i vrazhdë (Lumnija), gjakmarrja dhe kanuni (Diloca), ceremonia mortore, rituali tek (Vaji i qitun), përplasja e dy reliteteve atij shkodran dhe evropian (disa tregime e novela, Leci kthehet nga studimet). Të gjitha këto në një lexim të parë të çojnë tek një letërsi realiste. Edhe detajet e mjedisit mbi të cilat shtjellohen temat si rruginat e malësisë, rrugicat e Shkodrës, mjediset e shtëpive, kullave janë tipike të jetës së gjallë të kohës. Koliqi sado modern ishte konservativ përsa i përket traditës, kultin e së cilës e shohim edhe në veprat që botoi në ‘45-’47. Kështu Prof. Laura Smaqi thekson : “Domosdoshmëria e trajtimeve psikologjike në letërsi është theksuar e përsëritur mjaft herë prej Koliqit si një prej detyrave më të rëndësishme të shkrimtarit. Njohja e psikologjisë etnike është premisë e nevojshme e i shërben sipas tij zhvillimit mendor e kulturor. Karakteri i fortë konservativ i normave zakonore u jep atyre fuqi gati hyjnore, i jep pushtet absolut”. Ndaj Koliqi duket që jo vetëm i ka duart e lidhura por shkon më tej duke e shfrytëzuar dobishëm këtë.
Megjithatë e theksuam edhe më lart që Koliqi nuk e ka qëllim në vetvete paraqitjen e realitetit sesa përjetimin e personazheve dhe realitetin e tyre psikologjik, krizën e identitetit të njeriut shqiptar të viteve ’30 -’40 fatkeqësisht edhe më tej.Të gjitha figurat, personazhet, persiatjet psikologjike, dialogjet japin një efekt kompakt dramatik. Ato plotësojnë dhe ndryshojnë njëri- tjetrin duke na dhënë potencimin subjektiv të secilit të ravijëzuar nga realitetet e tyre. Kjo tezë na çon tek mendimi i studiuesve që bien në një mendje se Koliqi është shkrimtar simbolist. Edhe vetë Koliqi e shpreh në pasthënien e veprës “Pasqyrat e Narcizit” ku ai vetëklasifikohet si ndjekës i simbolizmit dhe dekadentizmit duke u krahasuar me Bodler, D’Annunzio, Pascoli të cilët njihen si simbolistë. Veçoritë simboliste të Koliqit i hasim më herët po në vëllimin poetik “Hija e maleve”, në treguesit tekstorë ku miti ngërthehet nga struktura rrëfimtare, pra miti ose përralla tregohet si tregim brenda tregimit. Edhe metodat e krahasimit janë ato të dekantizmit francez.
Nëse duam të shohim kualitetet zhanrore të shkrira tek Koliqi duhet t’i referohemi përmbledhjes me proza “Pasqyrat e Narcizit” në të cilat ka disa kualitete zhanresh. Këto proza kanë një natyrë dhe modelim lirik, kështu kemi shtatë proza të cilat konsiderohen si proza poetike. Koliqi i quan shtatë poemtha në prozë. Kështu shtresimet zhanrore janë të dukshme. Së pari kemi mitin antik të Narcizit, biri i perëndisë së lumit Cefizit dhe nimfës Liriope. Mohimi i dashurisë nga Narcizi, pranimi vetëm i shëmbëllimit të vet. Koliqi si simbolist e ridimensionon duke marrë vetëm pasqyrimin dhe individualitetin për nevojat e veta shprehëse. Vetëvrasja e Narcizit nuk është qëllim në prozën e Koliqit. Miti i Narcizit shfrytëzohet nga autori për të paraqitur dashurinë në përgjithësi, për atdheun, artin etj.
Mund të themi se këto proza pasqyrojnë shpirtin e autorit. Ai nëpërmjet këtij miti jep përhershmërinë e artit. Pasqyrimi tregon vetveten artistike drejt individualitetit estetik të tij si një zë unik në letërsi dhe art. Po kështu Koliqi e ridimensionon edhe ujin ku reflektimi shfaqet edhe në xham, pasqyra. Këtu dalim tek elementet autobiografikë sepse vetë Koliqi është shprehur se shtatë prozat janë shtatë fytyrat që simbolizojnë shtatë fazat e jetës së tij. Gjithashtu përveç simboleve që vëren Sabri Hamiti si mjete identifikuese të raportit autor-botë siç janë kroni, përroi i Dukagjinit etj, Koliqi ngre raportin e vetes me të kaluarën.
Ka edhe një përqasje dalluese mes Narcizit dhe Koliqit, Narcizi dashurohet me fytyrën e tij, Koliqi me identitetin, me ujin, natyrën gjithçka që lidhet me Shkodrën. Edhe reminishencat autoriale mbi zakonet traditat mbesin vetëm si kujtesë, jo si zhvillim. Koncepti i kalesës së fëmijërisë Frojdjane simbolizon rrjedhën shekullore të traditës. Përballë kësaj tradite qëndron rrjedha kulturore Zvicerane ku ndodhej duke dhënë një lidhje kulturash, vendesh..
Filozofia patjetër që është e pranishme me indikancat e saj të dukshme meqë autori tashmë është i rritur dhe ka një shumëfishmëri pasqyrimesh në ndërfutjen thellë në botën e brendshme dhe mjedisn zyrë, dhomë tek xhami. Memorja e tij ka akumuluar tashmë shtresa memorjesh arkipsikologjike. Të shtatë prozat pra kanë fragmente të ndryshme të jetës së autorit.
Prozat tek “Pasqyrat e Narcizit” kanë një kompozicion të veçantë, nuk kanë ngjarje, nuk kanë subjekt por vetëm parashtrojnë botën e brendshme të autorit ku nëpërmjet reflektimit japin identitetin autorial, përkatësinë nacionale drejt njohjes së vetvetes. Pra këtu e dhëna moderniste del dukshëm nga mungesa e subjektit.
Edhe narracioni këtu ndryshon. Në këto proza dominon narracioni homodiegjetik përmes një gjuhe simbolike e lirike dhe këtu mund të themi se është ndërthurja më e mirë mes romantizmit, realizmit dhe modernizmit. Konkretisht përdorimi i vetës së parë si zë i tregimtarit është element që lidh biografinë me letërsinë.
Përsa i përket zhanrit të prozës le të shikojmë karakterin temporal të këtyre prozave, psh koha është mitike, ajo nuk i përgjigjet një kohe lienare sepse lëviz deri në aktualitet dhe kthehet përsëri. Ka një thurje kohore tipike moderniste në të cilën herë miti qëndron gjatë herë zhduket pas të sotmes.
Për pozicionimin e Koliqit në historinë e lëtërsisë sonë duhet të marrim parasysh edhe ndikimin simbolist të Pirandelos duke vënë në funksion vështrimin krahasues. Këtu ndalemi tek mënyra e konceptimit të personazheve në të cilën kemi një përthyerje të strukturës së rrëfimit nga veprimet tek përjetimet. Për herë të parë këndvështrimi i personazheve ndryshon kah, tashmë është nga brenda jashtë, psh Leci, Hilushi etj. E tërë bota e jashtme tashmë përcaktohet nga brendia e personazhit ku lufta më e fortë shkon tek vetënjohja. Pra, vepra e Koliqit ka edhe elemente të psikanalizës që funksionojnë si rezultat të këtyre përjetimeve.
Një koncept modernist për veprën e Koliqit është edhe migrimi i personazheve siç ndodh me Lecin, Tom Laskun, Hilushin të cilët rishfaqen në tregime të ndryshme. Kjo teknikë e vërejtur edhe tek autorët modernë si: William Folkner jep mundësi përqasjeje të një vepre moderne. Edhe tematika tek Koliqi ka një rol ndërlidhës duke na dhënë një makrostrukturë. Pasqyrë e qartë e këtij përfundimi është organizimi i prozës në dy vëllime me tematikë të dallueshme, secila në veçantinë e saj.
Në këtë rast përmendim edhe vlerësimin e studiuesit Aurel Plasari i cili shkruan: “Po ta gjykonim një gjysëm shekulli të letërsisë shqipe me rreptësinë e Kurtiusit (Curtius) do të na shfaqej parasysh i hirtë e i ftohtë “zinxhiri i pashkatërrueshëm i një tradite mediokriteti”, mbi të cilin ngrihen kryeveprat e jashtë zakonshme si “Pasqyrat e Koliqit” që e kapërcejnë realitetin e një historie letërsie”.
Si përfundim mund të pyesim në mënyrë retorike: A mos vallë vetë jeta e Koliqit preku këto rryma sepse dihet që reliteti shoqëror u zhvilluan përzishëm me të gjitha rendet historike? Vetë Koliqi ishte midis këtyre realiteteve sa të prapambetur e nevojtarë të formësimit të identitetit tonë aq edhe të vrullshëm e përparimtar atje ku jetonte autori. Ndaj vepra e tij ka një shtrat të tillë.
BIBLIOGRAFIA:
Laura Smaqi: Nëntor 2004 - “Proza e shkurtër e Koliqit. Veçori të ligjërimit artistik”.
Laura Smaqi: Shtator 2008 - “Rreth imazhit të shqiptarit në krijimtarinë artistike e publicistike të Ernest Koliqit.
Ali Xhiku, “Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe.
Alfred Capaliku, “Luksi i kultutës” e “Gjergj Fishta “, Shkodër, 2012
Arshi Pipa, “Letërsia Shqipe perspektivë shoqërore, 2013
Redaktoi: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese