Teuta Sadiku - Për poezinë e Ornela Agastra Mulla

Teuta Sadiku - Për poezinë e Ornela Agastra Mulla
KUJTESA DHE NOSTALGJIA SI PROCESE SOCIALE TË NDËRTIMIT IDENTITAR NË POEZINË E ORNELA AGASTRA MULLA.
 
Një lexim ndërdisiplinor.
 
Në sociologjinë bashkëkohore (Halbwachs), kujtesa nuk është vetëm personale, por kolektive: ajo ndërtohet përmes gjuhës, simboleve dhe rrëfimeve kulturore. Në poezinë “Ai qytet…”, kujtesa nuk rikrijon realitetin historik të Korçës, por një Korçë simbolike:
“Ka copëza malli spërkatur blireve”
“Ka formë dashurie ai qytet magjik”
Këtu nostalgia nuk është rikthim, por rindërtim. Qyteti shndërrohet në një objekt emocional, jo në një hapësirë reale. Sipas Svetlana Boym, kjo është “nostalgji reflektuese”, e cila nuk kërkon kthimin fizik, por ruajtjen simbolike të humbjes.
Në këtë kuptim, subjektit poetik nuk i intereson Korça si qytet, por si arkiv ndjenjash.
Henri Lefebvre thekson se hapësira është prodhim social. Në poezitë e Ornela Agastra Mulla, hapësira nuk është gjeografike, por emocionale:
“Rrugica larë në argjend praruar”
“nën buzëmbrëmjet larë me flori”
Hapësira këtu është e estetikizuar, jo e jetuar. Ajo nuk bart konflikt, por harmoni. Kjo tregon se subjekti poetik nuk jeton më në hapësirë, por në kujtesë.
Koha gjithashtu nuk është lineare. Gushti, nata, dimri dhe vera shfaqen si cikle emocionale, jo si kronologji reale. Koha poetike është e ngrirë në kujtesë.
Sipas Foucault, heterotopia është hapësirë tjetër, paralele me realitetin, por e ndërtuar nga memoria dhe simboli. Qyteti në poezi funksionon si heterotopi:
Të hapi portën të ka thënë: ‘Mik’”
Qyteti nuk është më vend, por subjekt që flet. Ai është hapësirë mikpritjeje, një vend ku identiteti gjen strehë simbolike.
Kjo heterotopi shërben si mburojë kundër përjashtimit kulturor që përjeton subjekti në diasporë.
Fredric Jameson e përshkruan postmodernitetin si epokë fragmentimi dhe humbjeje të thellësisë historike. Në poezi subjekti poetik    shfaqet në mënyrën se si fragmentet kulturore (serenata, magjia, mushti, birra) nuk ndërtojnë një narrativë historike, por një mozaik nostalgjik:
“Kolonë zanore i rri serenata”
Tradita nuk jeton si sistem, por si dekor emocional. Kjo është tipike për ndjeshmërinë postmoderne të diasporës.
Nga perspektiva psikologjike (Erikson, LaCapra), subjekti i diasporës jeton në një gjendje humbjeje simbolike. Në poezinë “E imja shqipe”:
“Në gjuhë tjetër punoj, jetoj
në shqip dashuroj e vuaj.”
Këtu kemi ndarje të identitetit në dy plane: funksional dhe emocional. Kjo ndarje tregon procesin e integrimit të papërfunduar identitar.
Gjuha shqipe bëhet vend traume dhe shpëtimi njëkohësisht.
Subjekti poetik nuk ndërton një identitet të integruar shumëkulturor, por një identitet të ndarë. Poezitë  dëshmojnë një tranzicion të vazhdueshëm, jo një stabilitet.
Kjo është arsyeja pse poezitë nuk kanë konflikt të hapur: konflikti është i heshtur, i brendshëm.
Tradita shfaqet në forma fragmentare si serenata,magjiabirra, mushti,nana duararta.
Këto janë shenja kulturore, jo struktura narrative. Ato funksionojnë si simbole identitare minimale për të ruajtur lidhjen me origjinën
Në poezinë bashkëkohore shqiptare, sidomos të diasporës, tradita nuk vazhdon si model estetik, por si memorie simbolike. Ornela është pjesë e këtij modeli: ajo nuk e zhvillon traditën, por e ruan atë.
Poezia e Ornelës Agastra Mulla ndërton kujtesën si hapësirë simbolike,nostalgjinë si proces rindërtimi, identitetin si gjendje tranzitore,traditën si fragment emocional dhe gjuhën si atdhe të brendshëm.
Ajo nuk ofron ende poezi të thellë estetikisht, por ofron një dokument poetik të një brezi që jeton midis humbjes dhe ruajtjes.
Në këtë kuptim, poezia e saj është më shumë akt kulture sesa akt estetike.
 
Teuta Sadiku