TË ÇMENDUR ME ARSYE
Jam i lirë, domethënë se kam kohë të merrem dhe me ndonjë gjë jashtë të përditshmes. Shpirtërisht isha i përfshirë nga një lloj qetësie e këndshme, aq sa nuk po e ndjeja lodhjen prej terrenit të ashpër që përshkonim. Me shikimin e drejtuar drejt majave të pemëve po vështroja gjelbërimin e gjetheve nëpër degë, gjithashtu faqet po më ndjenin gjethet që binin, kurse me këmbët që po zvarrisja gjithë kënaqësi po thërrmoja gjethet që kishin rënë. Më erdhi mirë që pranvera, vjeshta dhe dimri janë bërë një. Ndërsa po meditoja, sepse duhet medituar nga ndonjëherë, kishte zbardhur dukshëm dita dhe hijet e objekteve po zhdukeshin pa u vënë re. Shpejt u futëm në brendësi të pyllit nga ku mua po më vinë jehona zërash të mekur, të stërzgjatur, ulërima e tinguj të pakuptueshëm, po asgjë njerëzore. Nuk kaloi shumë dhe pashë se një majmun më i zi se nata filloi të qeshte vetëm me mua. Edhe unë qesha me veten time, nuk kisha se ç’bëja, duhej të qeshja. Një valë ajri më drodhi trupin. Sidoqoftë edhe ato pak reze dielli që mundnin të depërtonin deri tek unë, po interferonin në brendësi të mendimeve duke u tallur me hutimin tim.
-Ç’janë këto?! –m’u duk se vetëm thashë kur përmblodha veten, por që nuk pashë asgjë ngaqë tashmë gjithandej më kish rrethuar errësira.
Nuk pritën gjatë, po dikush nga turma e qenieve ndërhyri: -Është fati yt. Nga ku isha strukur përpiqesha të lëvizja sa më pak të mundesha, sepse nuk kisha nevojë të lëvizja për të parë, ngaqë gjithçka më çfaqej qartësisht aty ku isha unë. Ndërkohë nuk i dhashë shumë kohë gjykimeve, sepse mu pranë meje dallova një tjetër frymor që po shfrynë, po mbyt e po shqyen pjellat e veta. I mbërthyer nga pesimizmi, depresioni , këtë nuk di ta them, sepse nuk ja shikoj arsyet e veprimit prej errësirës së padepërtueshme. Por në këto raste nuk është nevoja të mendohesh shumë për të kuptuar arsyet kur gjithçka e ke para syve. Megjithatë i tërhequr nga kureshtja hodha imagjinatën në labirintet e pyllit ku një hap më tej nga pozicioni im të tjera skena interesante më tërhoqën vëmendjen vrullshëm. Diku një grumbull kockash të pa shpirt, por që flisnin e kërkonin mbrojtje e diku më në krah të të parave pellgje të mbushura me mllefe e ç’mira dashakeqëse, me urejtje të paemër e të pakuptueshme, të cilat janë gati të kthehen në pellgje gjaku, më shokuan tërësisht. Po shikoja e ndjeja mbi vete ndriçime sysh të zbehta, të vagëta, po të mjaftueshme që edhe errësirën tejet të errët, për shkak të aftësive që kanë, e bëjnë të mos duket. Nuk guxova tu ktheja shpinën dhe as të largoja shikimin ngaqë isha nën mbikqyrjen e tyre. E vetmja mardhënie që kam me ta është të parit. Gjithëçka tjetër e kam të ndaluar. Edhe për të menduar, mendojnë ata për mua. Dhe kjo më bën të jem në një gjëndje të përherëshëm alarmi, sepse e keqja nuk di të bëj shaka. Iluzione? Ëndër? Nuk po kuptoj nga se jam rrethuar. Dhe nuk po pohoj se po ri pa lëvizur për ndonjë qëllim të keq, porse do të desha vërtet të isha në një ëndër, që të mund të justifikoja kështu iluzionin. Por nuk e di si ta ndaj këtë moskuptim. Por di që çka po përjetoj nuk se është një ëndër mekanike, e stisur nga imagjinata, por një pasqyrim brenda meje i asaj që është para meje. Dhe për çka po përjetoja do desha të lëshoja zë, të bërtisja, mbase dhe fare të ulërija, por jam në një sallë çfaqeje që s’duhet të bëjë aspak zhurmë, biles as të mërmërisë. Me atë pamje që iu shfaq syve të mi, në atë orë, ai vend m’u duk si një shpellë në të cilën fluturojnë lakuriq nate të cilët dëgjojnë po nuk shikojnë, me krimba që dinë të nuhasin si askush tjetër, po nuk dinë se çkalbësira hanë, e me njerëz që shikojnë e dëgjojnë po që nuk dinë seç bëjnë nga aftësia që iu është dhënë për të menduar. Dhe vërtet që ato qënie kanë tipare të ndryshme, po ama dallova se egërsinë e kanë cilësi të përbashkët. Po arsyen reale të çmendurisë kolektive s’po arij ta kuptoj!! Dhe janë këto që si pranoj dot tek ta: pabesinë, mashtrimin, hipokrizinë,urejtjen. Sidoqoftë para syve të zgurdulluar nga e pabesueshmja nuk po mundja dot, pavarësisht proksimitetit me ta, të dalloja llojin e kafshës që po hakmeret ndaj vetvetes. Po herë pas here era e largët dhe e padrejtimtë më lejonte të preceptoja aromën e arsyeve të hakmarjes. Isha shtangur, por dhe u struka edhe më thellë në labirinthet e egzistencës, që jo vetëm ti shpëtoja hakmarjes së tjetrit, por edhe vështrimit të vetes. Çdo kafshë ka shqetësimet e veta, po kjo që po shoh s’është as instikt kafshe dhe as dëshirë e nevojë njeriu. Vërtet luani shqyen kafshët e tjera dhe të tjerat një tjetër më të dobët, po nga ç’po shohë është e pajustifikueshme një rrugëzgjidhje e tillë, ndonëse, marrëzia egziston. As Darvini dhe as Frojdi nuk do mund ti merrnin këto si prova për teorinë e tyre. E paimangjinueshmja s’mund të imagjinohet, po hajde kuptoi se çkanë ndërmend të bëjnë në vazhdim. Kjo më habit dhe njëherësh më shqetëson. Vërtet po habitem! “Të jetë fytyrë kafshe”?! – pyeta veten pas një ngurimi të justifikuar. “Po pse më bëhet fytyrë njeriu xhanëm”, - thashë aty për aty. Hodha shikimin përsëri nga lukunia ngaqë për dyshimin nuk dua të kem as më të voglin dyshim. Dhe natyrisht që nuk pashë asgjë, po paralelisht më erdhi njëkohësisht edhe inat që se dalloja të dukëshmen. Ndjesia se mes tyre kishte diçka të përbashkët nuk më erdhi nga e përbashkëta, por nga diçka që nuk po arija ta përcaktoja si shkakun real të të qënit të ngjajshëm. Dhe vetëm për këtë shkak duhet të jem më i vëmëndshëm. Por ama as nuk gjejë dot fjalë për të përshkruar dëshpërimin që më kapi, ndonëse, as nuk dëshiroj ti gjejë ato fjalë. Por fundja s’ka përse duhet ti trembem një normaliteti të tillë. Megjithëkëtë, thashë i ndrojtur po njëherësh dhe në heshtje, sepse unë vetëm në heshtje kam të drejtë të flas: ’’O zot i madh, çmakabritete na shohin sytë ’’! Nuk më vjen mirrë ta them: u lebetita. Në rrethana mbijetese ndoshta çdo veprim është i ligjshëm, por aspak nuk mendoj se është i tolerueshme. Çdo gjë mund të pranohet, po jo të falet. Sidoqoftë po e teproja me heshtjen e paqëllimtë. Po më neveritet gjithëçka, njerzit po e po, por edhe kafshët. Nuk mund të duroja më që e keqja të ndodhej kaq afër. “Do ti vras”,- vendosa. Po duke e ditur se ku ndodhesha dhe se me kë më duhej të përballesha: ngurova… prita…dyshova. Po pse duhet ta bëjë? Dhe ngaqë desha të mos i besoja atyre skenave thashë se, fundja mund të jenë kafshë të buta dhe jo njerëz të egër. Dyshimi është njerëzor. Dhe përsëri nuk bëra asgjë, ngaqë njerzit nuk do e marrin për mirrë veprimin tim. “Ja,-thashë në vazhdim vetëdijshëm,- a e shikon që në asnjë rrethanë skam të drejtë të gjykoj asnjë lloj shqyesi” ! Pas pak çastesh përhumbjeje mora guximin e mendova përsëri : “ Po edhe mund ta realizoj dëshirën, se në këtë rast dënimi i krimit me një krim nuk përbën dhe ndonjë krim”. Kështu thonë ligjet e njeriut. Vura duart në kokë. Ndjej se po më dhemb. Më dhemb jo nga paaftësia për të vendosur, nuk e pranoj këtë shkak, por si duket nga mungesa e forcës së vullnetit për të vepruar. Ky arsyetim ma ngushëlloi disi paqartësinë ngaqë ndoshta nuk kam të bëj me një vegim. Duke u thelluar gjykova se është më mirë të kërkoj edhe ndihmë. Mu bë sikur gjethet nëpër degët e pemëve ishin sikur kishin ngrirë, nuk lëviste asgjë, thua se ishte stina e dimrit e ato po flinin për tu rizgjuar kur të vinte përsëri pranvera. U shkëputa nga qetësia vrastare si dhe nga hallakatja e mendimeve dhe bërtita: “ndihmë…ndiiiihmë”. Përsëri heshtje. Ç’është kjo heshtje?! Po heshtja nuk e di pse më trimëroi. Kësaj rradhe dhe pa asnjë mëdyshje vendosa ti vë zjarrin pyllit për të lehtësuar kësisoj edhe kafshët nga burimi i mëkateve. Po a kam fuqi fizike? Kjo nuk më shqetëson sepse fundja kam fuqinë e mendimit. Një afsh i ngrohtë më përshkroi trupin. Kuptova se nuk ishte vapa, ndoshta ishte urejtja shkaku i kësaj përhumbjeje. Po meqë pas disa përpjekjesh nuk gjeta asnjë lloj mjeti ndezës, hoqa dorë edhe nga forca që më jepte mendimi, por edhe sepse po kuptoj qartazi se nuk egziston më aftësia për të ndryshuar të pandreqëshmen. Duhet pranuar se intelekti njerëzor ka kaluar në pozicion të papërfillshëm. Kjo gjë natyrisht që nuk është e natyrëshme për askënd, po me keqardhje vërej se mua diçka më ka ndodhur, dhe për këtë ndryshim jamë mëse i ndërgjegjshëm, por meqë jam ende i vetëdijshëm arsyetova se : duhet dalë me patjetër nga ky lloj pylli. Dhe, për këtë, si zgjidhje, më mirë është të dëgjoja marifetet e ndërgjegjes që më mëson koha ,se sa të zbatoja vlerat e moralit që më thotë vetndërgjegjja. Vetëm kështu do të mund të dal nga ky përjetim. Dhe këtë bëra, sepse here-herë, ndoshta dhe shpesh, mendoj se asgjë nuk ka kuptim më tjetër. Pavarësisht se nuk ma shton lavdinë, kjo rrugëzgjidhje, ta quaj kështu, është ndëshkimi më i pranueshëm që mund ti jap vetes në këto rrethana. Ndërsa rikuptova se koha po më shpërbënte mendimet, ora tregonte se ishte mesdrekë dhe se dielli po qëndronte pa lëvizur në mes lindjes dhe perëndimit. Këtë nuk se e mata, po të paktën kështu mu dukë.
-Kthehemi, - dëgjova mekur të thotë i zoti i qenit duke mos më dhënë kohë të hakmerresha ndaj vetes. “ Ham, ham” - bëri zhurshëm qeni.
- Ikim,- pohova qetësisht pasi nuk kisha dhe më arsye të qëndroja. U nisëm. Shumë shpejt dolëm të katërt nga pylli : shoku, qeni, unë dhe mendimet e mia. Pas disa minutash kalova qetësisht edhe hijen e stërgjatur të pyllit, zbërtheva kopsat e jelekut prej pambuku si për të lehtësuar frymëmarjen dhe rihyra në dritën e mendimeve të arsyeshme. Por nuk them se u mbusha me lumturi, sepse duke ecur midis asgjësë dhe realitetit arrita të dalloja se përsëri i pari çante rrugën zagari, pas tij vinte gjahtari dhe pas atij njeriu me çifte vazhdoja të ecja i heshtur, i paqartësuar, por edhe i pambrojtur as nga vetja, si gjithmonë Unë: unë idealja. Një çast unë jo idealja ngrita kokën ku pashë, jo me indiferentizëm, se kësaj rradhe qielli ishte i pastër, po horizonti mbi qytet kishte marrë një ngjyrë të papërcaktuar, deri diku atë të kuqeremtë, si ngyra e një shege të shartuar.
“ Eh”!- psherëtiva mëshirueshëm si për të dashur të fshija nga kujtesa këtë ndodhi, më shumë se sa të frikëshme ,të çuditëshme. U ndala një çast dhe tregova krahët. Por tani thuajse koha po kalonte në heshtje e ska nevojë për mbështetjen e askujt. Aq më shumë për egzistencën time. Por duke mos patur asnjë lloj predileksioni që të më detyronte të mos largohesha nga këtu, iu luta vetëdijes që tjetër herë të më çojë në honet më të errëta të pavetëdijes njerëzore, ku ndoshta, por jo i sigurt, se edhe aty nuk do të ketë pyje si pyjet tona. Arsyeja : sepse nuk më pëlqen hipokrizia dhe as e zhurmëshmja e pakuptimtë kudo që këto të jenë. Dhe vërtet që hapësira është e pafundme, e paformë, por ajo gjithashtu nuk është as simetrike dhe as e njëtrajtëshme. Dhe sikundër koha, hapësira vërtet që nuk ka nevojë për mbështetje, por nuk mund të thuhet se nuk e dimë që universi është akoma edhe më i pafundmë nga çmendojmë, kjo edhe sepse: kudo e kurrëdoherë ka diçka më ndryshe. Po tani gjithçka është e qartë: Njerëzorja ka vdekur, ka vetëm hije njerzish që duken e lëvizin si njerëz ! Ndërsa po vazhdonim të ecnim rrugë e pa rrugë, hijet e objekteve mbi tokë po shtoheshin dhe po mbulonin njera tjetrën. Po vinte mbrëmja ! Nuk e kuptova se si koha rrodhi kaq shpejt. Po nganjëherë në mos duhet kuptuar, duhet besuar edhe pa u kuptuar.