KRYETRIMI BEKOI KULLËN E AVDYL AGËS
Një pjesë e Çetës kaçake së bashku me Kryetrimin pasi lanë malin e Kamenicës, hyn malit të Dushkajës i cili i shpinte drejt te kulla Avdyl Agës e cila kishte kohë ishte kthyer në jatak të kësaj çete. Nipi i madh i Avdylit, Mehmeti shpeshherë i ishte bashkangjitur çetës në luftime. Luftëtarët e radhitur një nga një si fishekët në shtratin e mauzerës u përvodhën nga mali, te gardhi i avlisë dhe nga deriçka që ishte prej mali u futën në kullë. Ata u priten me bujari nga Avdyl Aga me të vëllain Tahirin. Pasi shkëmbyen llafet e para Avdyli iu drejtua të gjithëve me fjalët: Rrini shlirë burra. Kur ktheu shikimin nga Kryetrimi e vërejti se ishte pak çartaqejfas. Druajti se mos nipi i tij Mehmeti kishte ba ndonjë paudhësi ngase ishte pak gjaknxehur, por mendimin ia ndërpreu Kryetrimi: shpesh po të ngushtojmë o mik, e dimë se hafijet na përcjellin e mund të kesh telashe me atë te paudhin, e kishte zet të ia përmend emrin e kishte fjalën për Çaushin i cili kishte filluar të krekosej shumë sa që i kishte dërgua fjalë Kryetrimit të mos dukej kah Komuna Qikatovës. E ka trash zullumin shumë, po do ti vij dita edhe atij si shumë hyzmeqarëve tjerë. Avdyli vetëm po dëgjonte dhe nuk i ndërhyri fare duke ditur se kur merrte ndonjë vendim kryetrimi e peshonte mirë dhe nuk kishte kthim mbrapa. Dhe atë vendim e kishte marr Kryetrimi duke vendosur që në orët e hershme të mëngjesit të zinte priten te Hani Din Zhigut, ku Çaushi rrinte shpesh e bënte qejfe. Kryetrimi kishte ndarë çetën në tri drejtime në mënyrë që aksioni të kishte sukses. E kishte parasysh se Çaushi shpesh shoqërohej me xhandarë e që vështirësonte punën por vendimi tashmë ishte marr Zullumi ishte trashur ndaj nuk durohej më. Qetësinë e agut të hershem e prishen krismat e armëve dhe plumbat që u zbrazën mbi trupin e tij dhe sejmenëve që po e përcillnin. U dëgjuan pastaj vetëm o lelet e xhandarëve dhe çeta u tërhiq prapë drejt Dushkajes ku Kryetrimi me dy luftëtarët me besnikë nipin e Avdylit Mehmetin sërish u kthye në kullën e Avdyl Agês, ku i nipi Beqiri sapo kishte vënë xhezvet e kafes në prushin e tangarit. Hajde me hajrë tha Avdyli kur pa Kryetrimin te dera i cili iu përgjigj si për flak: I lau të gjitha çafiri edhe pse në ndërdije e kishte një fije dyshimi. Mençurua e Avdylit e pikasi këtë dyshim dhe ia ktheu: ulu o trim se llafet zanë vend veç kur jemi ulur se dita do zbardh të gjitha. Pasi nipi Beqiri u shtroj kafe të gjithëve Avdyli kërkoi ta sillte në kullë stërnipin e tij Limin i cili sapo kishte mbushur të dhjetat. Shquhej për zgjuarsi por asnjë nga ata që ishin në kullë nuk dinin pse po e bënte këtë gjest Avdyli meqë nuk ndodhte që fëmija të rrinte brenda ode. Beqiri solli djalin e Limin i cili iu hidh në qafë njësoj si dikur gjyshit të tij Tahirit i cili si nizamë kishte marr pjesë në luftën e Plemes së Vogel dhe nuk ishte kthyer duke humbur pa shenj e nishan. Kjo bënte që Avdyli të përmallohej shpesh për vëllain dhe këtë ngushëllim e gjente te stërnipi tij Halimi që në shenjë dashnie e quante Lim. Pasi i përkëdheli faqet Limit iu drejtua Kryetrimit: Ky fëmijë do t'a hjek edhe atë pak fije dyshimi nëse është vra apo jo Çaushi. E urdhëroi Limin si të ishte një i rritur të shkonte për duhan te Hani Din Zhigit që ishte nja gjysmë ore larg. Limi i vogël pasi mori porosinë si të ishte i rritur doli me nxitim nga kulla dhe me vrap kaloi fushën e lagjes, kah lagja Xhemaj, livadhit të Vadës e pastaj në mes shkurreve të Sukës, për gjysmë ore u gjend në lëndinën para Hanit dhe mornica të ftohta i shkuan trupit kur pa njerëz të hallakatur, xhandar e civil që jepnin urdhëra. Disa nga xhandarët e shikuan vëngër por si fëmijë nuk u bëri përshtypje. Limi hyri në han dhe hanxhiu që e njihte edhe herë tjera kishte marr duhan për Avdyl Agën, me të shpejt i dha qesen e duhanit të cilën djali e futi në janxhik e hanxhiu i shqetësuar i tha: Ik sa më shpejt se po të zë ndonjë taksirat se kanë vrarë Çaushin. Limi u kthye të njëjtës rrugë e kur hyri në kullë dhe rrëfeu atë që kishte ndodhur te hani, kryetrimit i qeshi fytyra, e përqafoi djalin fort e iu kthye Avdyl Agës: Qoftë e bekuar kjo kullë e t' u shtoftë hisja me djem të mençur e trima gjithmonë.