Drita le ta mund errësirën, gëzimi le ta mund hidhërimin
Albana Fylli
Mirëmëngjesi, mirëdita, mirëmbrëma…
në cilëndo kohë që kjo letër të të gjejë, babi im i dashur.
Lutem që, para së gjithash, të të gjejë mirë me shëndet, sepse për ne, gjithçka tjetër vjen më pas. Ne jemi mirë… ose, më mirë të them, po përpiqemi të jemi mirë. Po përballemi me sfidat e jetës, por nuk jemi dorëzuar. Sepse jeta është vetë luftë. Dhe nëse kemi humbur një betejë, nuk do të thotë se kemi humbur luftën.
Prandaj po mundohem me të gjitha forcat e mia që unë, si vajza jote e madhe, të bëj ç’është e mundur që motra dhe dy vëllezërit e mi të mos e ndiejnë aq rëndë mungesën tënde. Mundohem t’u jap forcë, ashtu siç na ke dhënë ti gjithmonë.
Nga këtu ku po të shkruaj, ndiej mall… shumë mall për ty. Një mall që nuk di si të shuhet. Ti mungon në çdo hap, në çdo fjalë, në çdo heshtje të shtëpisë sonë.
Padrejtësia na ndau pa mëshirë për këto vite. Por, edhe pse nuk ishe pranë nesh fizikisht, ti kurrë nuk u largove nga ne. Ke qenë gjithmonë në mendjet dhe në zemrat tona - duke na udhëzuar, duke na mësuar rrugën e drejtë, duke na dhënë forcë për të mos u përkulur.
Ke qenë dhe do të mbetesh baba shembullor për ne.
Ata mund të na ndanë nga ti me pranga e mure, por nuk arritën të na thyejnë. Nuk arritën të na shkatërrojnë. Sepse ne ecëm në rrugën që ti na mësove - rrugën e drejtësisë, të durimit dhe të besimit.
Unë besoj… besoj fort se e vërteta dhe drejtësia e vërtetë do të flasin vetë.
Ah, sikur ta dinin ata që na ndanë se çfarë plagë lanë pas…
na ndanë nga ti pikërisht atëherë kur kishim më shumë nevojë për ty, për përqafimet tua, për fjalët tua, për dorën tënde mbi kokat tona.
Nuk dua ta mallkoj askënd. Nuk dua ta rëndoj shpirtin tim me urrejtje. Sepse jam e bindur se vetë jeta do t’i gjykojë për atë që kanë bërë.
Unë dua vetëm një gjë:
Drita le ta mund errësirën, gëzimi le ta mund hidhërimin.
Me këtë shpresë po e mbyll këtë letër, duke të uruar nga zemra shëndet dhe forcë.
Dhe duke u lutur që kjo të jetë letra ime e fundit që të shkruaj në atë vend të mallkuar.
Të përqafojmë të gjithë nga larg…
Familja jote.
Me mall të pashuar,
bija jote.
(Kjo letër publikohet për herë të parë, pas më shumë së 20 vjetësh)