Naxhije Doçi - KUJTIME PËR PËRJETIME KOHËSH QË NUK HARROHEN KURRË

Naxhije Doçi - KUJTIME PËR PËRJETIME KOHËSH QË NUK HARROHEN KURRË
Fragment i shkëputur nga libri “Destan Bajraktari folklorist, letrar dhe atdhetar”-Naxhije Doçi -Prishtinë, 2009
 
KUJTIME PËR PËRJETIME KOHËSH QË NUK HARROHEN KURRË
 
 
Ishte 21 maji i vitit 1959. Në dukje ishte një ditë e veçantë pranvere me lulëzim e gjelbërim të gjithçkafes rreth e qark dhe me këngë e cicërima zogjsh, sa të të dhimbsej që të vinte nata e ta pushonte përkohësisht atë mbretëri mrekulluese të natyrës. Dhe nata kishte ardhur! Dhe pa zbardhur mirë mëngjesi i ditës së re, krejt lagjja Bajraktari e Suharekës (Therandës) ishte rrethuar nga hordhitë e armatosura policore serbe, që kishin ardhur edhe me shumë gazika të zeza (xhipa). Disa familjarë të axhallarëve, që kanë arritur t’i vërejnë si mësheftas nga dritaret e shtëpive të tyre, thonin se lagjja ka qenë e rrethuar me dhjetë gazika të mbushura dëng me policë dhe civilë serbë. Dy qentë e mëdhenj të shtëpisë sonë, e edhe qentë e shtëpive të axhallarëve, i kishin helmuar si duket patrullat e para të kontrollimit të terrenit, që të mos e alarmonin rrethimin. Thuhet se mbi 30 policë e UDB-ashë serbë dhe disa përkrahës të tyre shqiptarë e kishin rrethuar lagjën në atë paramëngjes mbushur me tmerre e trishtime për ne. UDB-ashi serb Radiq iu kishte prirë, përkrah të cilit si shumë të besueshëm i kishin shkuar edhe dy shqiptarë me inicialet R. K dhe M. K. (Emra të njohur në Suharekë si spiunë dhe torturues të vazhdueshëm të bashkëvendasve të tyre shqiptarë, si edhe emra të konkretizuar në libër). Të tillëve në Suharekë në mënyrë urrejtëse dhe përbuzse ju kanë thënë: UDB-ashë dhe vegla e shkaut. Thuaja se një shtet i tërë ishte ngritur atë natë të 21 majit 1959 kundër një familje shqiptare dhe konkretisht që t’i burgosnin atdhetarët dhe intelektualët e kohës, Destan Bajraktari dhe Jashar Bajraktari. Dhe i vetmi faj i burgosjes së tyre ishte se ata e kishin kuptuar që herët realitetin e hidhur në të cilin frymonte Kosova nën robërinë serbe.
Policët serbë dhe shërbëtorët e tyre shqiptarë i thyen dyert e kullës sonë me mjete të forta dhe me rrapllima tmerruese. Me rrapëllima trishtuese edhe ngjiteshin shkallëve të kullës së gurtë, që t’i zinin anëtarët e familjes, ashtu si thuhet dektë në gjumë. Në atë përgjumje të shastisur më kujtohet që në dhomën, ku flenim ne katër motrat me gjyshën, që ishte një dhomë mesatare në katin e dytë të shtëpisë, hynë mbi dhjetë policë të armatosur. Gjyshës dhe ne vajzave policët serbë na i drejtuan menjëherë tytat e pushkëve në ballë dhe ne qemë tmerruar dhe gati çmendur nga ato sqena trishtuese që i shihnim dhe i përjetonim. Mbi të gjitha një veprim i tillë barbar dhe kriminel ishte vetë dobësia mjeruese e pushtetit të vetquajtur popullor, se në atë dhomë nuk ishte kush tjetër pos një gruaje të moshuar dhe katër fëmijëve. Unë autorja e këtij shkrimi isha më e madhja prej motrave të mija dhe atëherë isha në klasë të pestë, ndërsa të tjerat ishin krejt më të vogla se unë.
Në dhomën e afërt ku flinin prindërit e mij kishin hyrë dy policë serbë në krye me UBD-ashin Radiq dhe shqiptari R.K, që ishte bashkëpunëtor i ngushtë i pushtuesit serb për maltretim të shqiptarëve të Therandës. Që të katërtit e kishin shtyrë me tërë forcën derën e dhomës së tyre që ta hapnin. Nga se nuk kishin mundur ta hapnin derën menjëherë (se thuhej që dyert e kullës ishin të një kualiteti të veçantë), Radiqi nga inati kishte urdhëruar që me plumba të prishej brava e derës. Është shumë e çuditshme si kanë mundur të shpëtojnë të gjallë prindërit e mij dhe vllai i vogël, që flinte bashkë me ta, kur ishin shkrepur gjithë ata plumba në derë të dhomës së tyre. Vëllai, Lulzimi gati ishte shastisur nga krismat e plumbave, sepse ishte fëmijë një vjeç e gjysmë, por e kishte qetësuar nëna, duke ia mbështjellë kokën me jorgan. Ndoshta vetë fati, apo si thotë populli buka e shumtë që ishte shtruar në atë kullë për çështje madhore bëmirëse e atdhetare i kishte shpëtuar të gjallë të tretë. Ndoshta…!
Thuhej edhe që UDB-ja serbe në Therandë gjatë viteve të 50-ta, kur kishte bërë arrestime misterioze të shqiptarëve, qoftë natën apo ditën, zakonisht nuk kishte krisur me armë, se si “pushtet popullor” që e kishin quajtur vetën, nuk kishin dashur që të dëgjonin të tjerët për tmerret dhe krimet që i bënin mbi shqiptarët. Rasti i arrestimit të Destan Bajraktarit sikur kishte qenë pak si më i veçantë, se atë prej kohësh e kishin përcjellë si të rrezikshëm.
Nëna ime, Bardhja tregonte se kur shqiptari R. K. ia kishte vënë alltinë në ballë babait, që kishin qenë momente shumë të rënda për jetë, babai nga zemërplasja i kishte thënë:
-Për këtë të keqe që po e bën sot mbi vëllezërit e tu shqiptarë, kujtoj se nesër do të të vijë turp prej vetvetës! Dyshoj se pasardhësit e tu do ta kenë të rëndë dhe të gërditshëm kujtimin për ty! Sa për vetën time, do ta ndija vetën tepër krenar po të ma mbante këtë allti në ballë “shoku yt”, Radiqi, e jo ti!
Gjatë arrestimit të Destan Bajraktarit, secili anëtar i familjes sonë e kishte nga një polic me tytë të pushkës të drejtuar në ballë. Na mblodhën të gjithë anëtarëve të familjes në odën e madhe, në katin e tretë të kullës, e pastaj e sollën edhe babain nga dhoma e tij e gjumit me duar të lidhura. Sigurisht që të na tmerronin ne fëmijëve dhe që t’ia dobësonin krenarinë gjyshës sime e kishin sjellë babain ashtu të lidhur duarsh para nesh. Përkundër mendimit të kriminelëve se gjyshja do të qajë e kukas për skenën babrbare, që e shihte mbi djalin e saj, ajo si grua e guximshme shqiptare e rryer përherë me të këqijat serbe, ia pat larguar pushkën policit serb dhe i qe afruar babait duke i thënë: Mos të trembet syri biri im, se burrave të kësaj dere jeta u ka shkuar gjithherë nëpër luftëra e burgje për vend të vet!
Mbaj mend edhe kur polici e pat shtyrë gjyshën, që të mos i afrohej babait, dhe unë nga trishtimi për skenën që e pashë, do t’ia largojë pushkën policit shqiptar, M.K, që e mbante në ballin tim dhe u afrova pranë gjyshës.
Nuk e di cila pushkë ka kërsitur, ajo e policit serb drejtuar më parë gjyshës, apo pushka e policit shqiptar M.K, por e di se rrëmuja trishtuese gati sa nuk na çmendi ne fëmijëve dhe të gjithë anëtarët të tjerë të familjes sonë të mbledhur dhunshëm në odën e madhe. Nëpër atë katrahurë marramendëse e kanë marrë babain! Ne mbetëm të topitur për tmerret që i pamë dhe që i përjetuam. Heshtja mbytëse e pat kapluar me trishtim rrënqethës odën e madhe nga dhembja për babain që e morën.
Kthinat të tjera të kullës i kanë bastisur të tjerë policë. E kanë demoluar krejt bibliotekën e babait, duke ia marrë të gjitha shkrimet autoriale të tij dhe të gjitha librat shqipe me vlerë. E kishte atëherë Destan Bajraktari një bibliotekë shumë të pasur me libra shqipe, por edhe me libra të tjera, që mund të konsiderohej ndër bibliotekat e dalluara private në Kosovë. Me çarçafa të bardhë i kanë bartur të gjitha librat e bibliotekës sonë, duke i ngarkuar në xhipat e tyre të zinj, që rrinin të parkuar në oborr të kullës sonë. Kurrë nuk është ditur më për fatin e tyre! Edhe kjo ishte një dhembje e madhe e llojit të vet për ne!
Në atë paramëngjes shumë të rëndë janë marrë edhe shumë gjëra të tjera në shtëpinë tonë, se asnjëri anëtar i familjes nuk ka pasur mundësi që të lëvizë prej vendit, që të sheh se çka bëhej dhe çka plaçkitej nga policët serbë.