Kimete Krasniqi-Prebreza
Pjesa e dytë
Diagnoza e konfirmuar
Ato ditë sa qëndrova në spital m’u dukën sa një shekull, ndoshta se ishte hera e parë që po kaloja kohën larg fëmijëve, ngase asnjëherë të vetme nuk kisha qëndruar larg tyre. Kjo më bënte të ndjeja shumë mungesën e tyre ato ditë. Isin e porosita që mos t‘i merrte fëmijët me vete kur të më vizitonte në spital, nuk doja që ata të kuptonin se unë jam e sëmurë.
Bija ime, Jeta më telefononte çdo ditë nga telefoni i babit, më pyeste ku jam (gjithherë i thoja se jam në punë e po vonohem edhe sot), më kërkonte të kthehesha dhe me vete t‘i sillja kukulla e dhurata tjera. Si më e vogla në familje ishte e përkëdhelur shumë dhe kishte gjithmonë shumë dëshira.
Djali, Lulzoni rrallë më telefononte, ishte më i rritur se motra e tij, e si duket e kuptonte shumë mirë situatën në familje. Isi tregonte se djali ishte tërhequr në vetvete dhe mundohej të kuptonte se ç’po ndodhte, por kurrë nuk pyeste gjë. Ishte tërhequr edhe nga lojërat me shokët e shoqet e klasës, këtë më pat treguar mësuesja e tij më vonë.
-Më ra në sy shpejt, - tha mësuesja, - ngase Lulzoni ka qenë çdoherë fëmijë aktiv, gjithë fëmijët e tjerë i bënte ushtarë e ai luante rolin e komandantit. Por, papritmas u tërhoq nga çdo aktivitet e lojë me fëmijët tjerë, nuk fliste as me mua.
E kishte në mendje luftën edhe pse kishte lindur mbasi mbaroi lufta. Mbase na dëgjonte kur flisnin shpesh për luftën e Kosovës.
Vëllai im, më i vogli nga familja, Feimi jetonte në qytetin ku jetoja unë, s‘kishte kohë të gjatë që kishte ardhur nga Franca dhe kishte gjetur punë aty afër nesh. Nuk ishte i martuar e s’kishte ende familjen e vet, kalonim shumë kohë së bashku. Më nderonte shumë. Sa qëndrova në spital, vinte çdo ditë të më vizitonte, ndonëse bënte rruge 80 kilometra, vajtje-ardhje. Qëndronte gjatë e bisedonte shumë me mua. Ai gjithmonë ka qenë një tip i mbyllur, nuk fliste kurrë shumë, por ato ditë gjente llafe, i tregonte me humor e më bënte të qeshja, duke harruar shpesh ku isha. Bëhej vonë, prandaj i lutesha që të kthehej në shtëpi, sepse çdo ditë zgjohej herët për punë e më dhimbsej, por ai nuk më linte vetëm derisa më lodhte gjumi.
Ato ditë kisha thirrje të shumta nga familja në Kosovë, bëheshin merak shumë dhe donin të informoheshin për çdo gjë. Nuk u tregoja, i kurseja prindërit në veçanti, të mos i shqetësoja. Gjithherë u flisja me humor që t‘i bindja se isha mirë.
Më kujtohet kur më pat telefonuar motra Fidrie. Atë ditë ndihesha shumë keq mbas operacionit. Me gjitha forcat e rregullova zërin që ajo të mos e kuptonte gjendjen time. Më tregoi se kishte parë një ëndërr se si unë dhe ajo po shkonim për të dhënë mësim në shkollën ku kishim punuar bashkë dikur.
-Disi po kalonim unë e ti një rrugë plot me gjelbërim e po kënaqeshim bashkë.
-Hë e sheh, - i thashë, - edhe ëndrrat të kanë treguar se unë jam mirë, ngase gjelbërimi në ëndërr ka kuptim shumë të mirë.
Edhe asaj i ndodhi një rast shumë i rëndë më vonë në atë verë, e më pat lënduar shumë.
Thirrje e mesazhe kisha çdo ditë nga të gjitha familjet shqiptare që banonin në qytetin ku jetoja unë, të gjithë ishin të shqetësuar për gjendjen time.
Veronika, fqinja ime, e kishte përjetuar rëndë sëmundjen time. Ishte shumë besimtare te zoti dhe çdoherë kur shkonte në kishë, të gjithë besimtarëve u kërkonte të luteshin për mua. Njëherë më kërkoi falje që po lutej për mua në kishë, sepse isha myslimane dhe mos më pengonte që po luteshin në besimin e krishterë. E falënderova dhe si me humor i thashë:
-Veronikë e dashur, edhe lutjet tuaja shkojnë te zoti im.
Gjatë atyre ditëve sa qëndrova në spital, bëra shumë analiza e kontrolle shëndetësore. Që ditën e dytë të qëndrimit në spital, më operuan. Më kujtohet kur arrita në sallën e operacionit, para se të hyja në anestezion, u mundova ta mbaja në mend fytyrën e mjekes që më operonte. Nuk e harrova kurrë atë fytyrë si të një engjëlli. Erdhi e m’i lëmoi flokët në momentin e fundit derisa isha me vetëdije, më siguroi se ajo do të merrte çdo gjë në dorë dhe do të kalonte çdo gjë mirë. Ajo sillej jashtëzakonisht mirë me mua, ndoshta nga fakti se edhe vetë ishte e huaj e më kuptonte gjendjen emocionale më mirë. Doktoresha Nadin e quanin.
Ditën e fundit të qëndrimit tim në spital, kishte ardhur rezultati i përgjithshëm nga operacioni dhe gjithë analizat që më ishin bërë.
Ishte përcaktuar përfundimisht diagnoza. Atë ditë edhe qielli ishte i përhitur, krevati im ishte pranë dritares ku kishte shumë dritë, por dhoma ishte errësuar. Në orën nëntë të mëngjesit erdhi vizita e personelit mjekësor. Erdhën disa doktorë e motra, bashkë me Nadin, mjekja që më kishte operuar. M’u afruan pranë krevatit dhe të gjithë më shikonin me shqetësim. Sa për ta thyer heshtjen njëri nga mjeket më pyeti:
- Si po ndihesh, a keni pasur dhimbje?
Ai shikim melankolik i mjekëve më la të kuptoja se do të merrja lajme jo të mira lidhur me diagnozën time. Thënë të drejtën më humbën edhe fjalët, ndjeva se po më zihej fryma dhe po më shpeshtoheshin të rrahurat e zëmrës. Me një zë të ngjirur iu drejtova doktoreshës Nadin dhe mezi artikulova fjalët:
-Mirë po ndihem, por kam frikë se çfarë përgjigje do të marr nga ju, megjithatë ju lutem më tregoni, dua të di sa më parë, sido që të jetë.
Doktoresha Nadin me një buzëqeshje të lehtë më shtrëngoi dorën e më tha:
-Tash do të vish në zyrën time e do të bisedojmë, këtu nuk mund të flasim më gjatë.
Dhe ashtu bëra, nuk humba shumë kohë e shkova në zyrën e saj, trokita në derë dhe hyra.
Ajo me një shikim të ëmbël më uroi mirëseardhje dhe më tregoi vendin ku të ulesha.
-Dëgjo, - m’u drejtua me një ton të butë e përkëdhelës, - diagnoza juaj tingëllon keq, por nuk është edhe aq keq sa tingëllon.
Unë ndihesha e shqetësuar, prandaj me nguti e pyeta, por zëri më ishte shterur dhe mezi kuptohesha çfarë po flisja.
-Ju lutem doktoreshë më tregoni qartë, për çfarë bëhet fjalë?
Ajo prapë me buzëqeshje, duke u munduar që të ma paraqiste sa më të lehtë diagnozën, më tha:
-Shiko, - ju keni një tumor malinj, është jashtëzakonisht agresiv dhe për këtë arsye është mjaft i mirë për trajtim, por para së gjithash është në fazën e parë të zhvillimit, kështu që ju siguroj se çdo gjë do të jetë kaluese.
Një djersë e ftohët më kaploi trupin, nuk fola, nuk munda të nxirrja asnjë fjalë nga goja. Isha e nemitur. Për një moment u shtanga dhe nuk e hoqa shikimin nga doktoresha, nuk e nxora asnjë pikë loti edhe pse sytë m’u turbulluan dhe nuk më bënin dritë.
M’u duk se më mbuloi mjegulla dhe mezi u ngrita të dilja nga zyra. Nuk e kam dëgjuar më asnjë fjalë se çfarë më ka thënë doktoresha.
Dola jashtë e nuk mund të besoja çfarë dëgjova.
Më tingëllonte në vesh prapë ajo fjalë “tumor malinj”, ”tumor malinj”…
-Joo, jo! - thashë me vete, - nuk besoj, më kanë ngatërruar me ndonjë pacient tjetër, jo nuk jam unë ajo me kancer...
Ashtu si në mjegull isha ulur në një ulëse në korridorin e spitalit, kush e di sa kisha qëndruar aty, sepse kur u ngrita të shkoja në dhomë, e pashë se ishte bërë vonë.
I telefonova Isit se edhe ashtu kisha pasur shumë thirrje nga ai e nga vëllai, Feimi.
I thashë se nuk kam lajme të mira dhe nuk munda të flisja më gjatë...
Mbylla telefonin dhe me shikim të humbur nga dritarja e hapur, po më vinin mijëra mendime në kokë, por ende nuk mund të besoja se kjo më kishte ndodhur mua.
Pas një kohe të shkurtër arritën në spital Isi e Feimi. Me vete kishin marrë edhe Jetën, Jetën...
Jeta kishte veshur një fustan të gjerë si flutur e kishte mbathur papuçet që i mbante vetëm brenda në shtëpi, babi ia kishte rregulluar flokët me dy bishtaleca dhe kështu iu kishte zbuluar edhe më mirë fytyra e rrumbullakët e me faqe të kuqe, si mollë. M’u duk se ishte rritur shumë. Porsa më pa, u shtang dhe më shikonte e hutuar.
-Eja te mami!, - i thashë dhe ia zgjata duart.
Me shpejtësi m’u hodh në qafë e zemra e vogël i rrihte shpejt, nuk më shqitej, më shtrëngonte fort.
Isi e Feimi shkuan shpejt të flasin edhe me mjekët. Doktoresha Nadin u kishte thënë se vërtet do ta kemi një periudhë të vështirë në vijim, por do të kalojë gjithçka mirë.
* * *
Unë e mora fletëlëshimin nga spitali dhe u nisëm për në shtëpi.
Nuk e harroj atë udhëtim. Pak fola deri në shtëpi, gjithçka në rrugë më dukej e zymtë.