LIBËR MONUMENTAL HISTORIK E KOMBËTAR I PËRKTHYER NË 16 GJUHË TË BOTËS
Ky libër është përkthyer dhe botuar në 16 gjuhë të botës; shqip, anglisht, gjermanisht, frengjisht, italisht, turqisht, kroatisht, sllovenisht, spanjisht, hebraisht, kinezisht, arabisht,polonisht, punxhabisht, koreanisht, asamezisht.
Në vigjilie të festave të fundvitit të vitit 2025 u ribotua për të tretën herë libri me titull “Prekazi brezni trimash-Ai është i gjallë”. Ky libër nuk është voluminoz me shumë faqe, por është voluminoz përkah rëndësia e tij. Pra, libri ka vetëm 48 faqe, por është një libër monumental historik e kombëtar, kryesisht i shkruar për Prekazin dhe trimat e këtij fshati nëpër kohë dhe gjenerata, duke filluar nga Ahmet Delia e deri te Adem Jashari, i cili rezistoi nga shtëpia e tij ndaj hordhive barbare serbe për tri ditë me radhë dhe u flijua me tërë familjen, si një rast i vetëm në botë që u flijua me tërë familjen, 56 anëtarë. Shtëpinë apo të themi edhe kullën e Adem Jasharit e bombarduar nga milicia serbe, përkatësisht e familjes Jashari sot ekziston si monument historik që vizitohet nga mijëra e miliona shqiptarë, por edhe nga kombet tjera të globit. Në Kullë shkruan: Ai është i gjallë! Secili që e ndjenë veten shqiptar, e di shumë mirë se Adem Jashari është i gjallë, sepse jeton në mendjet tona dhe në zemrat tona. Për këtë libër ka një interesim të madh kudo në botë. Fillimisht autori shkruan për Drenicën si territor i qëndresës shqiptare. Ai përmend se Drenica si trevë e Kosovës gjithmonë në histori ka pas trima e heronj që nuk e kanë pranuar pushtimin, andaj gjithmonë kanë bërë rezistencë ndaj pushtuesit.

Autori në këtë libër bën një përshkrim për Kosovën nën represionin dhe gjenocidin serb ndaj popullatës shqiptare të Kosovës. Populli ka përjetuar masakrat e shumta anë e kënd Kosovës. Në fakt ishin përpjekjet e tyre për të shfarosur një popull të tërë, duke bërë spastrim etnik. Autori Dibran Fylli në këtë libër të ngjeshur me fakte, dokumente e fotografi, sjell për lexuesit gjithë historinë e familjes së Adem Jasharit, heroit dhe komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Toka e Kosovës shumë e përvuajtur, është larë me gjak dhe lot për të fituar lirinë e mohuar ndër shekuj. Atdhetarizmin e vërejmë në figurën kryesore të këtij libri, te madhështia e Adem Jasharit, kur ai shumë vite më parë, që nga viti 1990 në hapat e parë drejt organizimit dhe formimit të UÇK-së. Libri përshkohet me fakte, me emra të vendeve dhe luftëtarëve të rëndësishëm të lirisë, sikurse Ahmet Delia, Azem Bejta, Shaban Palluzha, Mehmet Gradica, Shaban Jashari, Emin Lati, Shaqir Smaka, Nebih e Tahir Meha, familja Jashari, Shaban Jashari, Adem Jashari, Hamëz Jashari, e shumë e shumë të tjerë. Autori Fylli nëpërmjet librit të tij na ofron figurën madhështore Adem Jasharin, luftëtarin trim, i cili nuk iu dorëzua kurrë armikut edhe pse e dinte që serbët përpiqeshin për ta zënë të gjallë, por ai ishte betuar se kurrë nuk do të dorëzohej. Ai kurrë nuk e humbi shpresën për të luftuar me pushtuesin që bënte dhunë e terror pa mëshirë ndaj çdo gjëje shqiptare. Madje, armiku atakonte gjuhën, lirinë dhe flamurin e një populli. Tre ditët e luftës së Jasharajve, bën të kuptohet se ishte realitet ajo që po ndodhte që e tronditi botën, ngjarjet makabre në një vend të Europës Juglindore. Nëpërmjet figurës heroike të Adem Jasharit dhe familjes së tij, autori kujton kohën në tokën e përgjakur nga dhuna e gjenocidi i vazhdueshëm i serbëve. Tri ditët e luftimeve ku familja Jashari luftuan heroikisht dhe humbën jetën, midis të cilëve kishte edhe gra e fëmijë, Autori e mohon me vendosmëri vdekjen e Adem Jasharit, duke thënë se Adem Jashari është i gjallë.

Ai jeton gjithmonë në zemrat tona. Me këtë mendim tanimë pajtohet i gjithë populli i Kosovës se “Ai është i gjallë”. Heronjtë dhe dëshmorët e kombit nuk vdesin kurrë, andaj as Adem Jashari. Ai thotë se Adem Jashari do të jetojë brez pas brezi. Nëpërmjet tij, populli shkroi historinë. Kosova sot është e lirë fal atyre që luftuan nën udhëheqjen e Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), heroit të Prekazit, Adem Jashari. Libri ka disa foto të Adem Jasharit, Shaban Jasharit, Hamëz Jasharit e shumë të tjerëve. Ky libër i përkthyer në 16 gjuhë të botës, ka zgjuar interesim kudo në botë. Andaj është e nevojshme që ky libër monumental të shpërndahet dhe të lexohet në të gjitha shkollat shqipe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, etj., si dhe në diasporë. Libri gjendet në Bibliotekën e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe në disa librari të shkollave në Kosovë. Turistët e huaj që vijnë për ta vizituar Kompleksin Memorial në Prekaz thuaj se të gjithë e marrin këtë libër historik, i cili meriton vëmendje të veçantë. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) të Kosovës do të duhej të bënin projekte për botimin dhe shpërndarjen e këtij libri.
Ahmet Pllana, poet, shkrimtar, kritik letrar