FJALA QË MBETET:
NJË UDHËTIM POETIK NË UNIVERSIN E REGINA RESTËS
Kam thënë diku në një shkrim, dhe saktësisht në një nga librat poetikë të poetes Rajmonda Shkopi, se poezia flet gjuhën e gruas. Sa më shumë lexoj poezinë që bëhet sot nga autoret femra, aq më shumë e përforcoj këtë mendim. Duket se gratë dhe poezia flenë në të njëjtin shtrat perëndie, tek ëndrra e përjetshme e zbulimit të botës dhe vetvetes.
Këto ditë pata fatin të lexoj botimin më të ri në shqip, me titull “Unë mbes fjalë” të autores italiane Regina Resta, përcjellë për lexuesin shqiptar nga e palodhura Angela Kosta, kontributi i së cilës është i pallogaritshëm në urën kulturore që ka ndërtuar vitet e fundit midis Italisë, ku banon, dhe Shqipërisë, tokës ku ka lindur.
Libri me poezi “Unë mbes fjalë” i autores italiane Regina Resta, i përkthyer me kaq ndjeshmëri dhe shije të hollë poetike nga Angela Kosta, shfaqet si një univers i brendshëm ku fjala nuk është thjesht mjet shprehjeje, por edhe substancë jetësore. Në këto poezi, fjala frymon, gjakoset, bëhet kujtesë dhe plagë; ajo nuk qëndron mbi letër thjesht si shenjë grafike, por si gjurmë e një shpirti që kërkon të mos shuhet në heshtjen e kohës.
Angela Kosta ka ditur të përzgjedhë mjaft autorë të shquar italianë për t’i njohur me publikun shqiptar, gjithnjë i gatshëm të përthithë vlerat letrare të një populli si Italia, që jo më kot mbahet si djepi i kulturës, vendi ku Dante, Petrarka, Leonardo Da Vinci e qindra të tjerë kanë gdhendur historinë me artin e fjalës apo të penelit. Ndaj përzgjedhjet e Angelës nuk janë rastësore; ajo di në ç’kopshte të kërkojë, ku t’i gjejë perlat e bukura të artit, çfarë t’i shtrojë lexuesit për të “ngrënë” me përkujdesjen dhe durimin e një amvise të devotshme.
E lexova me një frymë këtë libër të bukur poetik dhe gjithë çfarë thuhej për librin në një parathënie shteruese të autorit Aleksandër Çipa, i cili kishte kapur pikat kyçe të librit me bisturinë e një kirurgu profesionist, në këtë rast me “bisturinë” e një kritiku të angazhuar.
T’i përshkruajmë më hollësisht lexuesit se kush është Regina Resta.
Regina Resta, poete, shkrimtare, kritike letrare dhe promovuese kulturore italiane, është një figurë gjithnjë e më e njohur në panoramën letrare ndërkombëtare. Me një krijimtari të ndjeshme dhe thellësisht njerëzore, ajo ka botuar disa vepra poetike dhe ka marrë shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare për letërsinë dhe kulturën. Presidente e Shoqatës Ndërkombëtare VerbumlandiArt.Aps dhe drejtoreshë editoriale e VERBUMPRESS, Regina Resta është një zë artistik që ndërthur poezinë, paqen, kulturën dhe angazhimin human në një mision të vetëm: promovimin e bukurisë shpirtërore dhe dialogut mes popujve.
Një grua, një krijuese që me guxim eksploron tema të identitetit njerëzor dhe dashurisë për jetën.
Që në titull, “Unë mbes fjalë”, na jepet një deklaratë ekzistenciale: njeriu nuk përkufizohet vetëm nga jeta e tij fizike, por nga ajo që lë pas në gjuhë, në ndjesi, në kujtesën që ndërton tek tjetri. Fjala këtu nuk është zbukurim, por mbijetesë. Është mënyra e vetme për të vazhduar të jesh, edhe kur trupi dhe koha fillojnë të zbehen.
Duke lexuar njëra pas tjetrës poezitë, më mbetën sytë tek njëra me titull “Mes rreshtave”. Në këtë poezi autorja e hap universin e saj poetik me një sinqeritet të rrallë: vargu nuk është vetëm art, por rrëfim i brendshëm i jetës.
“Çdo fjalë një plagë e shëruar është,
çdo varg një fragment shpirti
që mbi letër kam lënë të bjerë
të mos humbiste në heshtje.”
“Çdo fjalë një plagë e shëruar është” – kjo shprehje ngërthen gjithë filozofinë e librit: shkrimi nuk është luks estetik, por proces shërimi, një mënyrë për të transformuar dhimbjen në kuptim.
Në këtë qasje, Regina Resta duket sikur afrohet me atë që Rainer Maria Rilke e përkufizonte si nevoja e poetit për të “jetuar pyetjet”, përpara se të kërkojë përgjigjet. Poezia nuk është zgjidhje, por përballje. Ajo nuk fsheh plagët, por i shndërron në dritë të brendshme.

Duke shfletuar librin ndeshemi papritur në poezinë “Reflektim”, ku kupton se libri këtu merr një dimension etik dhe filozofik.
“Është realiteti i dyfishtë i shpirtit njerëzor,
ku drita dhe hija bashkë ecin.
Por masa e vërtetë nuk qëndron tek të tjerët,
është tek ne vetë.”
Njeriu paraqitet si një qenie e ndarë midis dy botëve: dritës dhe hijes, sinqeritetit dhe maskës, të vërtetës dhe iluzionit. Por në qendër nuk janë të tjerët, por vetë ndërgjegjja e tij.
Kjo ide më kujton vetvetiu një mendim të thellë të Friedrich Nietzsche-s, i cili theksonte se njeriu bëhet i vërtetë vetëm kur përballet me veten pa iluzione. Në të njëjtën linjë, poezia e Regina Restës e vendos lexuesin përballë një pasqyre të brendshme ku nuk ka arratisje: çdo zgjedhje është morale, çdo heshtje është vendim.
Në poezinë tjetër “E vërteta është…”, autorja rrëzon idenë e një të vërtete absolute. E vërteta shfaqet si një “xham i thyer” që shpërndan dritën në shumë kënde. Kjo metaforë e fuqishme i afrohet mendimit bashkëkohor filozofik, ku e vërteta nuk shihet më si një pikë fikse, por si proces dialogu.
“Unë nuk besoj tek e vërteta
që vetëm nga një altar bërtet,
në gjykimin pa dialog,
në qartësinë që nuk i druhet dyshimit.
Unë mbes fjalë,
besoj në dyshimin që ndërton,
në brishtësinë që bashkon,
tek guximi për të thënë:
‘Ndoshta s’i kam parë të gjitha.’”
Atëherë dal në përfundimin që pak a shumë e ka shkruar edhe Umberto Eco në mënyrë të përmbledhur në veprat e tij mbi interpretimin: kuptimi lind në ndërveprim, jo në imponim. Po kështu, edhe Regina Resta na kujton se askush nuk e zotëron të vërtetën tërësisht; ne vetëm e prekim atë nga kënde të ndryshme, si udhëtarë në të njëjtin mal, por që shohin horizonte të ndryshme.
Në poezinë “Ëndërroja të udhëtoja”, motivi i udhëtimit shndërrohet në metaforë të kërkimit të vetvetes. Ajo që fillon si dëshirë për të kaluar kufij fizikë, përfundon si zbulim i një të vërtete më të thellë: udhëtimi i vërtetë ndodh brenda njeriut.
“Por pastaj e kuptova
se udhëtimi tashmë është këtu,
në këtë shikim të përhumbur
mes ëndrrave të mia dhe të tuave.”
Kjo ide është në sintoni me një nga mendimet më të njohura të Paulo Coelho-s, i cili e sheh rrugëtimin e njeriut si një proces të brendshëm transformimi. Por tek autorja Regina Resta, ky transformim nuk është romantik në kuptimin sipërfaqësor; ai është i heshtur, i përditshëm, i ndërtuar mbi vetëdijen se edhe ëndrra është një formë realiteti.
Në poezinë “Lëkura jote”, dashuria merr formën e një hapësire të shenjtë, jo të një posedimi. Trupi nuk është objekt dëshire, por gjuhë e butë e bashkimit shpirtëror. “Je vendi ku zemra ime shplodhet” – kjo është një dashuri që nuk pushton, por qetëson; nuk merr, por strehohet.
“Çdo cep i lëkurës tënde, i imi është
tokë e shenjtë heshtjesh dhe ethesh,
një atlas dëshirash dhe premtimesh
nga mollëzat e gishtave të kohës shënuar.”
Më vijnë ndërmend dhe kujtoj me mall vargjet e Pablo Nerudës, i cili dashurinë e shihte si një forcë kozmike që i jep kuptim ekzistencës sonë njerëzore. Edhe Regina Resta, në mënyrën e saj, thjesht dhe pa imponim, e kthen dashurinë në një hapësirë shërimi dhe jo dominimi.
Në poezinë “Një botë të tillë”, autorja ngre një utopi të thjeshtë, por të thellë: një botë ku paqja, dashuria dhe mirëkuptimi nuk janë ide abstrakte, por mënyra të jetesës.
“Do të doja një botë që frymon paqe
ku qielli nuk i trembet tymit, as zjarrit
ku toka nuk njeh më lot
por vetëm filiza që jetojnë në heshtje.”
Kjo poezi nuk është arratisje nga realiteti, por një thirrje për ta rindërtuar atë.
Në këtë frymë, ajo i afrohet asaj që Albert Camus e quante “revoltë e shpresës”, thënë më mirë, një këmbëngulje për kuptim edhe kur bota duket e thyer. Poezia nuk predikon iluzion, por mundësinë.
Ajo që shohim dhe perceptojmë është se në të gjithë librin, fjala është qendra gravitacionale e ekzistencës. Ajo është kujtesë, dhimbje, dashuri dhe identitet. Aleksandër Çipa, në parathënien e tij, e përmbledh me saktësi këtë frymë kur shkruan se:
“Poetja nuk është adhuruese e së pamundshmes, por në një vitalitet kuptimor dhe elokuencë fjale, ajo shton artin e vet poetik, si tokësore tek e mundshmja.”
Pra kjo “tokësore” është edhe thelbi i këtij libri: poezia nuk kërkon qiellin si arratisje, por si kuptim që lind nga toka e përjetuar.
Mbyll librin dhe, me një ndjesi emocionale të papërshkruar, i rikthehem me mendje të gjitha vargjeve që sapo kam lexuar. Ato nuk mbahen mend fjalë për fjalë, por shija e mirë është këtu, brenda meje, duke më lënë të “ngopur” me frymëmarrjen e tyre të gjerë poetike, meditative e filozofike.
Dal në konkluzionin se libri “Unë mbes fjalë” nuk është thjesht një përmbledhje poezish; është një testament i butë ekzistence. Është dëshmia se si njeriu, në thelb, mbijeton përmes asaj që arrin të thotë me sinqeritet. Në një botë ku gjithçka kalon shpejt, fjala mbetet si gjurma më e qëndrueshme e shpirtit.
Ky libër i fton lexuesit jo vetëm të lexojnë poezi, por të dëgjojnë veten mes rreshtave të saj. Sepse, në fund, siç sugjerojnë edhe këto vargje, ne nuk jemi vetëm ajo që jetojmë, por edhe ajo që guxojmë të shprehim e të mbetemi nëpër fjalë.
Do ta mbyll këtë shkrim me vargjet-kredo të poetes:
“Do të doja një botë që nuk kërkon cili je,
por të mirëpret si era në mbrëmje,
aty ku besimi liri është
dhe dashuria gjuhë universale.”
Urojmë që ky libër të bëjë rrugë në zemrat e lexuesit shqiptar dhe të jetë për ta një fener më shumë përballë detit të së panjohurës.
Rifat ISMAILI
Savona, maj 2026