Vështrim nga Teuta Sadiku

Vështrim nga Teuta Sadiku
 Si ndërtohet figura e gruas në rrëfimin bashkëkohor shqiptar, duke marrë si rast studimi tekstin “Njerëzit kanë frikë nga gratë e forta” të Arjola Zadrimës.
 
Ndryshe nga qasjet tradicionale që e trajtojnë kujtesën si një dimension emocional apo nostalgjik, ky studim propozon një koncept të ri: kujtesa si algoritëm mbrojtës. Paralelisht, artikulli argumenton se teksti prodhon një përmbysje të modelit patriarkal të mbrojtjes, duke zhvendosur sigurinë nga figura mashkullore drejt një mekanizmi të brendshëm vetëkontrolli. Në këtë mënyrë, subjekti femëror rikonfigurohet si një strukturë aktive dhe autonome e vetëmbrojtjes.
Në studimet mbi letërsinë shqipe bashkëkohore, figura e gruas shpesh është analizuar në raport me strukturat sociale, normat kulturore dhe përfaqësimet simbolike të identitetit. Megjithatë, një dimension që ka mbetur më pak i eksploruar është mënyra se si vetëdija e brendshme e subjektit femëror funksionon si mekanizëm aktiv përballjeje me rrezikun.
Ky artikull synon të zhvendosë fokusin nga përshkrimi drejt prodhimit të një kategorie analitike të re. Duke u mbështetur në rrëfimin e Arjola Zadrimës, argumentohet se kemi të bëjmë me një transformim të dyfishtë: (1) kujtesa nuk funksionon më si rikthim emocional, por si algoritëm mbrojtës, dhe (2) modeli tradicional patriarkal i mbrojtjes shpërbëhet në favor të një sistemi të brendshëm vetëkontrolli.
 Ky interpretim lidhet me konceptin e internalizimit të pushtetit tek Michel Foucault, ku kontrolli zhvendoset nga jashtë drejt brendësisë së subjektit. Në të njëjtën kohë, ideja e Simone de Beauvoir mbi ndërtimin e vazhdueshëm të subjektit femëror ndihmon në kuptimin e kësaj autonomie të re.
Megjithatë, këto referenca nuk shërbejnë si bazë teorike dominuese, por si pika mbështetëse për një lexim që synon të prodhojë kategori të reja analize.
**
Në dallim nga trajtimet tradicionale të kujtesës në letërsi, ku ajo funksionon si rikthim emocional apo nostalgjik, në këtë rrëfim ajo artikulohet si një strukturë operative. Kujtesa nuk është më një hapësirë reflektimi pasiv, por një mekanizëm që aktivizohet në momentin e rrezikut dhe prodhon orientim veprimi.
Figura e bashkëshortit nuk shfaqet si një prani sentimentale, por si një kod i brendshëm sjelljeje, i cili ndërhyn në mënyrë të menjëhershme në procesin perceptiv të subjektit. Në këtë kuptim, kujtesa funksionon si një algoritëm mbrojtës: ajo përpunon përvojën e kaluar dhe e shndërron atë në udhëzim praktik për të tashmen.
Ky transformim e zhvendos kujtesën nga një kategori psikologjike në një kategori funksionale, duke e bërë atë pjesë të drejtpërdrejtë të vetëmbrojtjes. Subjekti femëror nuk reagon thjesht ndaj rrezikut, por operon mbi të përmes një sistemi të brendshëm të përpunimit të përvojës.
***
Një nga transformimet më të rëndësishme që prodhon ky tekst është përmbysja e modelit tradicional të mbrojtjes, i cili në letërsinë shqiptare ka qenë i strukturuar mbi figurën mashkullore si garant i sigurisë.
Në këtë rrëfim, kjo skemë jo vetëm zëvendësohet, por shpërbëhet nga brenda. Edhe pse në planin e kujtesës shfaqen figura mashkullore , bashkëshorti dhe djali , ato nuk funksionojnë si burime reale të mbrojtjes, por si ndërmjetës që çojnë drejt një forme më të lartë vetëdijeje.
Mbrojtja nuk qëndron më tek “tjetri”, por tek aftësia e subjektit për të ndërtuar kontroll mbi veten. Kështu, teksti artikulon një zhvendosje thelbësore: nga mbrojtja e deleguar tek mbrojtja e internalizuar.
Gruaja nuk është më objekt që duhet mbrojtur, por subjekt që prodhon vetë mekanizmat e mbijetesës. Kjo përbën një ndërprerje të qartë me modelin patriarkal dhe hap një paradigmë të re të subjektivitetit femëror në narrativën urbane.
Dy kategoritë e propozuara  ,kujtesa si algoritëm mbrojtës dhe përmbysja e modelit patriarkal , nuk funksionojnë të ndara, por ndërtojnë së bashku një model të ri interpretimi.
Kujtesa shërben si mekanizëm operacional, ndërsa përmbysja e modelit patriarkal krijon kushtet për autonominë e subjektit. Në këtë ndërthurje, subjekti femëror nuk është më i përcaktuar nga marrëdhënia me tjetrin, por nga aftësia për të strukturuar vetveten si sistem reagimi.
Rrëfimi i Arjola Zadrimës nuk duhet lexuar thjesht si përshkrim i frikës në hapësirën urbane, por si artikulim i një modeli të ri të subjektivitetit femëror.
Duke transformuar kujtesën në një algoritëm mbrojtës dhe duke përmbysur modelin patriarkal të mbrojtjes, teksti prodhon një zhvendosje të rëndësishme në mënyrën se si konceptohet siguria dhe vetëdija.
1.Michel Foucault, Discipline and Punish, 1975.
2.Simone de Beauvoir, The Second Sex, 1949.
 
-Foucault, Michel. Discipline and Punish. New York: Vintage Books, 1975.
-Beauvoir, Simone de. The Second Sex. New York: Vintage, 1949.
-Zadrima, Arjola. “Njerëzit kanë frikë nga gratë e forta.”
 
Teuta Sadiku
 ............................................................
Njerëzit kanë frikë nga gratë e forta.
Nga Arjola Zadrima
 
Mu kujtu im shoq, sonte.
Po kthehesha pak ma parë, në kamë. Ma shumë tuj shiju ecjen, freskinë e mramjes, rrugicën e boshatisun. Gjendesha e zhytun në habitatin tem.
Mbas do minutash ndjeva hapa mbas vetes. Ajo ndjesia e sikletit sikur shtohej, por mu kujtu Franci. Kishte net kur kthenim vonë , dhe po kështu ndodhej ndokush mbas nesh. Unë kisha frikë aso kohe, ndërsa ai mundohej me m’qetësu.
-Mos e kthe kryt, thoshte, asht thjesht një njeri si ne por mundet me u transformu në diçka tjetër kur e kupton që ke frikë.
Eca e qetë, drejt dhe me të njëjtin hap. Ai disi u afru dhe kur më parakaloi pak , ktheu kryet. Më pa më habi, por mori mbrapsht një shikim mospërfillës. Isha edhe lodhun.
Iku.
Im bir më telefonoi, e ndjeja që më qortonte, po kthehesh vetëm, nëpër rrugica, po pse s’më the…
-Mamë moj gru, po të ndodhë ndonjë gja…
Qeshja me të. E mbylli dikur telefonin.
Ndjeva sërisht hapa mbas meje. Gjithsesi në mend më sillej një pyetje, pse a ka gja që nuk më ka ndodhë në këtë jetë?
Eca drejt shtëpisë ashtu kryenaltë por hijerandë.
-Mos e kthe kryet Jolë, zakonisht njerëzit kanë frikë nga gratë e forta!