NJË KUJTIM I TRISHTË
Pjesa e parë
Diagnoza e dyshuar
(Prill 2008)
Atë vit pranvera kishte ardhur më herët se herëve tjera. Gjithë natyra kishte marr një pamje magjepse, si të një nuseje të stolisur me kujdes.
Si çdo ditë, shkova së bashku me fqinjën time të moshuar të bënim shëtitjen e përditshme në natyrë, që na ishte bërë tanimë rutinë.
Veronika e quanin. Ishte grua paksa e shtyrë në moshë dhe nuk kishte askënd në këtë botë të kujdesej për të. Në fakt ajo kishte tre fëmijë, por që të gjithë e kishin braktisur dhe që nga dita që isha takuar me të, më kishte afruar si bijën e saj, më donte dhe më rrëfente shumë për jetën e saj të stërvuajtur. Thënë të drejtën edhe mua ma mori shumë shpejt zemrën, çdo hall timin e bisedoja më të.
Atë ditë po kalonim pranë parkut të veturave te banesa e saj dhe disi si befas i drejtoi gishtin një veture aty afër, duke më thënë:
- Kjo veturë ka kohë që nuk lëvizë, ngase pronari i saj vuan nga një tumor në fyt.
Nuk di si më erdhi ai rrëfim aq rënd, nuk e kuptova pse e mora aq afër zemre dhe disi m’u duk se më ra në kokë ky lajm. Ndoshta kjo gjendje më krijohej nga disa ndryshime që vëreja prej kohësh në qafën time, por nuk ia kisha thënë askujt.
-Ah sa keq, - ia ktheva me gjysmë zëri, - nuk e njoh, por po më vjen keq për atë njeri. Me këtë bisedë u ndamë me Verenikën. Unë u ktheva në shtëpi, përgatita darkën për fëmijët dhe bashkëshortin tim, Isin...
Të nesërmen ishte ditë e diel, e kishim ditë të lirë. Si zakonisht, unë dhe Isi e pinim kafen e mëngjesit në ballkonin e shtëpisë, ku rrezet e diellit depërtonin lehtë dhe bëhej një ambient i ngrohtë aty. Rrallë kishim kohë të lirë të qëndronim bashkë me Isin, ngase ai punonte shumë dhe rrallë kishte ditë të lira. Zakonisht unë i prija bisedës, por atë ditë më kishin humbur fjalët, nuk i gjeja fill bisedës. Një ndjenjë e rëndë më shtrëngonte gjoksin atë ditë dhe mezi merrja frymë. Sa për ta thyer heshtjen fillova t‘i tregoja për atë që më kishte rrëfyer Veronika një ditë më parë. Për çudi ai s’e mori ashtu si e ndjeva unë atë rrëfim, por insistova të bisedonim më gjatë në këtë temë.
-Hë moj, çfarë më flet kaq shumë për këtë ngjarje, ndoshta ka shërim, ku ta dimë ne.
-Po, ndoshta por ai kishte tumor malinj dhe tumoret çdo ditë po mbysin njerëz, thashë. pastaj me një zë të ngjirur e pyeta:
- Po të isha unë kështu e sëmurë apo të vdisja, çfarë do të bëje ti ?
- Ah nuse, çfarë pyetje bën! - dhe si me inat ndërroi temë.
Unë paksa e irrituar që nuk mora përgjigje, ika brenda. U ndala para një pasqyre që kishim në një kthinë dhe për çudi pashë se më ishte ënjtur qafa. Ndjeja dhembje të lehtë. E shqetësuar, mezi pashë rrugën të dilja me vrap në oborr e t’i tregoja Isit:
-Shiko, - i thashë,- çfarë vëren në qafën time?
-Duket e ënjtur,- më tha, - por s’do të jetë një gjë e keqe, ndoshta nuk ke fjetur mirë. -Ah jo, - i thashë,- parandjenja që kam më bën të dyshoj se do të jetë diçka shumë më serioze...
Të nesërmen zgjova fëmijët dhe si çdo ditë i vesha e i përgatita për çerdhe me shumë dashuri, vajzës i vesha një fustan me lule si pranvera, kurse djalit pantallona e bluzë të gjelbër. Shkuam te çerdhja, i përqafova shumë, më shumë se çdo ditë tjetër, duke u thënë:
-Mami vjen ju merr prapë.
Ata morën vrapin, si dy engjëj të lumtur dhe hynë brenda, kurse unë atë ditë nuk u ktheva në shtëpi si zakonisht, por u drejtova te mjeku. Kishte shumë njerëz në dhomën e pritjes, por më në fund më thirrën të hyja brenda. I tregova mjekut për shqetësimin që kisha. Posa bëri një kontroll, mjeku më dha udhëzimin me urgjencë të shtrohesha në spital, për analiza ekzaminuese.
- Duket serioze, - më tha në fund.
Ah, sa qava atë ditë! Më dukej së jeta ime po mbaronte. Ashtu e përlotur dhe pasi bleva edhe disa gjëra ushqimore, shkova t’i merrja fëmijët nga çerdhja. Mundohesha ta fshihja shqetësimin para fëmijëve, por ishte e kotë, sepse ata e ndjenin se diçka nuk isha mirë. Mijëra pyetje më bënë derisa erdhëm në shtëpi. Kur mbërritëm brenda u thashë:
- Dëgjoni fëmijët e mamit, juve ju ka ftuar sot shoqja ime të kaloni ditën atje derisa të vijë babi nga puna, kurse unë i kam disa punë në qytet e vonohem. Për çudi të dytë filluan së qari.
- Jo mami ne do të vijmë me ty.
Dola shpejt në oborr se nuk munda të përmbahesha, qava e lot nga shpirti nxora. Si mund t’u tregoja fëmijëve hallin tim. Ndoshta unë nuk do të kthehesha më, ku do mbeteshin ata aq të vegjël, çfarë dore do t‘i rritte... m’u sollën njëmijë mendime në kokë. Fshiva lotët dhe me një buzëqeshje të lehtë në fytyrën e zbehtë, hyra prapë brenda te fëmijët.
–Ejani, - u thashë, -Renata po na pret te dera, ajo ju bën sot një befasi të veçantë nga befasitë e herëve tjera!
U nisëm dhe shkuam te Renata. Ajo i përqafoi dhe më siguroi se do të kujdesej mirë për fëmijët dhe më uroj të kthehesha shpejt.
Nuk humba kohë dhe mora rrugën për në spital. Isi kur erdhi nga puna më gjeti të shtruar në spital. U mundua të mbahej i fortë, por atë ditë edhe atë e tradhtuan lotët që kurrë më parë s’e kisha parë duke qarë. Na kishin humbur fjalët... Më dha kurajë, duke thënë se do ta kalojmë së bashku edhe këtë sfidë, se ai do të kujdesej për fëmijët dhe se unë duhej të mendoja vetëm për vete, si ta kaloja sa më lehtë këtë sëmundje.
Qëndrova një javë në spital dhe pas operimit, u diagnostikova me sëmundjen e tumorit vdekjeprurës...