Kimete Krasniqi-Prebreza - Pjesa e tretë "Shërimi"

Kimete Krasniqi-Prebreza - Pjesa e tretë   "Shërimi"
Kimete Krasniqi-Prebreza
 
Pjesa e tretë
 Shërimi
 
Disa ditë më vonë fillova me kimioterapi. Terapitë ishin të rënda dhe më mundonin shumë. Tri ditët e para pas terapisë nuk mund të ngrihesha nga shtrati, kisha komplikime të rënda. Ato ditë u tregoja fëmijëve ku mund ta gjenin ushqimin në kuzhinë  dhe ashtu kujdesesha disi për ta. Pas atyre tri ditëve të vështira, më kalonte dhe ndjehesha mirë, i merrja fëmijët dhe së bashku vizitonim vendet ku argëtoheshin  ata. Renata kujdesej gjithherë që të merrte të lirë në punë, ditën kur më duhej të shkoja në spital për të marrë terapinë, ngase Isi që nga dita kur u shtrova në spital  kishte shfrytëzuar gjithë pushimin vjetor  dhe  tani më nuk kishte mundësi të merrte ditë të lira.
Terapia më zgjaste disa orë, kthehesha vonë në shtëpi dhe shumë e dërmuar.
Renata kujdesej gjithherë që edhe darkën atë ditë ta përgatiste për ne. Ajo kishte anuluar edhe pushimin që e kishte porositur në bregdetin Kroat, në mënyrë që të ishte afër meje në ato momente të vështira.
Goditje tejet të rëndë mora  mbas 14 ditësh  të terapisë së parë, kur filluan të më binin flokët. Kurrë nuk e harroj atë ditë. Kur u zgjova në mëngjes  më kishin mbetur pothuajse gjysma e flokëve në jastëk. U mërzita shumë dhe nuk dëshiroja as të dilja nga shtëpia më.
Atë ditë fëmijët kishin ditën e fundit në çerdhe dhe po përfundonte viti. Në mëngjes i dërgova fëmijët deri afër derës së oborrit të çerdhes dhe nuk zbrita nga makina fare, ishte hera e parë që po i leja fëmijët vetëm të hynin brenda në çerdhe, nuk dëshiroja të takoja askënd . U ktheva në shtëpi e po ndjehesha shumë e mërzitur. Atë ditë nuk u takova me askënd, as telefonin nuk e hapa kurrë, megjithëse disa herë më kishin thirrur familja ime e familja e Isit. Nuk kisha vullnet të flisja me askënd. Më vonë shkova t’i merrja prapë fëmijët nga çerdhja. Bashkë me fëmijët më duhej t’i merrja  edhe të  gjitha gjërat çfarë i kishin aty, sepse po përfundonte viti e çerdhja mbyllej pastaj. Hyra me nguti e i mora fëmijët dhe gjërat e tyre. Ngutesha që të dilja sa më shpejt nga aty e mos të m’i vërente askush flokët që m’u kishin rralluar e më binin vazhdimisht.
Në oborrin e çerdhes po bëhej festë për fundin e vitit. Të gjithë festonin, prind e fëmijë. Mësuesja e Jetës më ndaloi në derë  e më qortoi, përse nuk po festoja edhe unë së bashku me prindërit e tjerë. Nuk kam kohë, iu përgjigja me shpejtësi. Kisha droje mos po m’i vërente flokët, e falënderova shpejt për kujdesin që kishin bërë për fëmijët gjatë vitit, u përshëndeta dhe u nisa. Jetës i mbeti koka mbrapa tek shihte fëmijët tjerë që po festonin por nuk bëri zë.
Të nesërmen i vendosa flokët artificialë. Isha kujdesur t’i gjeja shumë të ngjashme me flokët e mi. Më rrinte bukur paruka, sa rrallë kush më vërente se nuk i kisha flokët natyralë. Tani e kisha më lehtë të kujdesesha për fëmijët, sepse ishin në pushim veror dhe qëndronin në shtëpi.
Të gjithë shqiptarët që banonin në qytetin tonë shkuan për pushime në Kosovë. U mërzita shumë se më dhimbseshin fëmijët. Ata gjithherë  e prisnin me gëzim atë kohë kur udhëtonim për në Kosovë. Jeta na qortonte shumë, përse vetëm ne nuk po shkojmë, të gjitha shoqet kanë shkuar dhe nuk kam as me kënd të luaj, na thoshte. Mbyllej në dhomë dhe qante. Shpirtin ma këpuste. E kotë ishte kur i premtoja se së shpejti do të na vijë dita edhe neve e do të shkojmë, ajo kërkonte menjëherë të niseshim.
Lulzoni nuk fliste kurrë, as kërkonte të shkonim në Kosovë. Një ditë më kishte vërejtur fshehurazi tek po i rregulloja flokët në dhomën time, sepse mundohesha në maksimum që fëmijët të mos më vërenin që s’i kisha flokët e mi. E derisa një ditë po qëndronim në oborrin e shtëpisë, ai paksa i ndrojtur më pyeti: 
-Mami përse përpara i ke pasur flokët ndryshe? Përse një ditë i ke larguar  flokët nga koka kur ishe në dhomë?...
Më dorën e djathtë fërkonte flokun e tij mbrapa kokës e me këmbë e gërvishte barin, shikimin e mbante ulur përtokë.
-Ah, jo djali i mamit, unë vetëm i kam shkurtuar  pakëz flokët, a s’e sheh sa bukur më rrinë? - i thashë dhe shpejt ndërrova temë.
-E si kalove sot te Adonisi,- e pyeta.
Adonisi ishte vetëm katër ditë më i ri se Lulzoni dhe shumë kohë kalonin bashkë. Edhe nëna e Adonisit vuante nga kanceri, e dy vite më vonë vdiq. E përjetuam shumë rëndë ndarjen e Lumes nga jeta. 
Çdo fundjavë kalonim kohën së bashku me Isin dhe fëmijët  nëpër Alpet e Austrisë. Ishin vende të bukura dhe ajri jashtëzakonisht i pastër që më bënte mirë. Kështu kaloi ajo verë.
Shërimi im zgjati rreth 6 muaj. Nuk e harroj kurrë atë ditë, kur mbasi kisha mbaruar terapitë, kisha një kontroll, nga i cili mund të kuptoja se a kishin pasur sukses terapitë, apo më duhej të vazhdoja edhe më tutje. Shkova  vetëm me makinë. Rruga ishte e gjatë e më duhej të kaloja gjithë qytetin e Gracit, ishte qytet i madh e trafiku ishte shumë i dendur. Ishte  hera e parë që po udhëtoja vetëm, sepse deri atë ditë për në spital kisha udhëtuar gjithmonë me urgjencën, që e organizonte spitali. Njëmijë mendime më vinin në kokë derisa arrita te spitali. Kisha shumë frikë se mos nuk jam shëruar ende e çfarë pastaj? Kisha bërë disa ditë më parë disa radiografi dhe atë ditë do të merrja  vesh rezultatin përfundimtar.
Arrita te spitali. Hyra në dhomën ku më duhej të prisja  derisa të më thirrej emri.
Nuk vonuan e më thirren. Dridhesha e tëra, mezi më mbajtën këmbët të hyja brenda. Porsa hapa derën e vërejta fytyrën e qeshur të mjekut.
-Kemi lajme të mira, - më tha dhe zgjati dorën e më uroi, - jeni shëruar plotësisht.
-Oh zot çfarë lehtësimi që ndjeva, më rrodhën edhe lotët prej gëzimi.
-Me ndihmën tuaj dhe të zotit, - i thashë dhe s’mund t’i ndaloja lotët.
-Epo, sot duhet të qeshim, jo të qajmë, - tha mjeku, - hajde urime!
Dhe vazhdoi:
-Ti je shëruar plotësisht dhe do të pushosh edhe nga barnat. E çfarë është shumë e rëndësishme, kjo nuk do të përsëritet më kurrë. Ke pasur shumë fat që e ke zbuluar herët dhe kjo është arsyeja se kjo sëmundje ka marrë fund përgjithmonë. Po  të kishte kaluar në fazën e dytë, apo të tretë, do të ishte shumë e mundur që do të përsëritej prapë, por falë syçeltësisë tuaj, keni arritur ta ndaloni qysh në fazën e parë dhe kjo mbaron sot këtu, për të mos u kthyer më kurrë. Megjithatë, juve ju duhet t’i bëni kontrollet e rregullta, disa vite me radhë, në mënyrë që të mbahet gjithçka nën kontrollin tonë, - tha në fund mjeku.
-Falemnderit o zot, - thashë me vete. Falënderova edhe njëherë mjekun dhe si me krahë, fluturimthi dola jashtë. Frymova edhe njëherë thellë e prapë falënderova zotin që linda edhe njëherë.
Shpejt e informova  Isin, nënën time e të gjithë ata që m’u kujtuan në atë moment. Më dukej se edhe dielli rrezonte për mua.
Edhe pse gati kishte kaluar tetori, atë ditë po bënte kohë mjaft e nxehtë. Përreth spitalit kishte shumë drunj e gjelbërim. Kurrë më parë nuk kisha dëgjuar sa kënga e bilbilave bëhej aty, më dukej se edhe ata po bënin dasmë për shërimin tim. Isha vetëm tek po kaloja pranë atyre parqeve të spitalit, por më dukej se më shoqëronin të gjithë ata njerëz që kalonin aty pari. Sa lehtë frymoja, më dukej se nuk po shkelja në tokë.
U nisa për shtëpi, rruga ishte gjithandej e hapur, më dukej se makina ime po fluturonte. Arrita, në oborr më priste Renata me fëmijët. I përqafova fort fëmijët. U përqafuam edhe me Renatën. E falënderova shumë për gjithë atë kohë që më ishte gjendur afër.
Atë ditë për herë të parë më ranë në sy sa ishin rritur e zbukuruar lulet në oborrin e shtëpisë  sime. Më dukej se gjithçka lulëzonte; edhe muret e shtëpisë më dukeshin të gëzuar. Isi nuk vonoi, erdhi shumë i gëzuar atë ditë në shtëpi.
Pas një jave organizuam një ekskursion nëpër disa vende të bukura e me ne ishte edhe Renata me bashkëshortin e saj. Vizituam edhe kopshtin zoologjik ku fëmijët qeshën shumë me një majmun, kur të gjitha gjërat që ua hidhnim, ai shpejt i merrte vetëm për vete, kurse majmunët  tjerë mbeteshin  pa gjë. Qeshëm të gjithë e u kënaqëm atë ditë.
Pas disa muajve i fillova mësimet në  shkollën e mjekësisë. Kështu ngadalë po i kthehesha përsëri jetës...