Angela Kosta - TABANI I FOLKLORIT SHQIPTAR BALLKANIK

Angela Kosta - TABANI I FOLKLORIT SHQIPTAR BALLKANIK
Angela Kosta - TABANI I FOLKLORIT SHQIPTAR BALLKANIK
Angela Kosta - TABANI I FOLKLORIT SHQIPTAR BALLKANIK
Angela Kosta - TABANI I FOLKLORIT SHQIPTAR BALLKANIK

TABANI I FOLKLORIT SHQIPTAR BALLKANIK MERR PJESË NË FESTIVALIN E KËNGËS ARBËRESHE NË SHËN DEMETRIO CORONE (ITALI)

 

Më 11 gusht, muajin e kaluar, në orën 18.30, në sheshet dhe rrugët e San Demetrio Corone, kryeqyteti i Arbërisë (Itali), nisën festimet e edicionit të 41-të të Festivalit të Këngës Arbëreshe. Të gjithë të bashkuar: grupe folklorike nga Ballkani dhe viset arbëreshe të Italisë së Jugut vallëzuan deri vonë në mbrëmje. Gëzimi i atyre tre mbrëmjeve: 11, 12 dhe 13 gusht do të mbeten gjatë në kujtesën e banorëve dhe pjesëmarrësve, si dhe fillimi i Festivalit, historik për herë të parë me një orkestër simfonike të drejtuar nga maestrot: Giuseppe Santelli dhe Vincenzo Palermos. Për më tepër, ky edicion ishte i veçantë sepse ishte më ndërkombëtar se të mëparshmit. Në skenën e Festivalit ishte një takim brezash në zemrat e të gjithëve, nga veteranët e deri tek më të rinjtë, të cilët mbartin të njëjtin pasion, sepse muzika nuk njeh moshë. Në Festival morën pjesë, njëzet artistë konkurrentë, njëzet e tetë mjeshtra të muzikës për orkestrën simfonike mahnitëse, Drejtori Artistik, prezantuesi Paolo Conticini e në krah të tij prezantuesja e shkëlqyer Giulia Lattarico, dhjetëra operatorë skene dhe kontrollues, bënë të mundur realizimin e këtij eventi madhështor. Mijëra spektatorë duartrokitën spektaklin më të bukur dhe më të mrekullueshëm të Arbërisë.
Fituesi i Festivalit të Këngës Arbëreshe është Marco Sabato, me këngën "Largu edhe më shumë", i cili u vlerësua me vendin e parë midis njëzet këngëtarëve konkurrues si edhe Çmimin e kritikës me emrin e avokatit Giuseppe D'Amico, krijues i këtij Festivali. Këngëtarët performuan në skenën e ngritur në ambientin e bukur të sheshit Collegio di Sant'Adriano. Emrat e konkurrentëve janë: Algieri, Gaia Bua, Santino De Bartolo, Mario Dramisino, Antonio Ferrarina, Francesco Ferraro, Natalino Fusco dhe Nicola Niro, Vincenzo Guaglianone dhe grupi i këngës "La Roccia - Shkëmbi", Francesca Iacovelli, Mariantoniet. grupi Matleena, Maria Adolorata Mondella, Antonello Nigro së bashku me Rita Guido, Kristi Ndoja, Aaron Puccio, Gina Rotondaro, Marco Sabato, Elvira Scorza dhe Cristina Ginepro, Vincenzo Siler, Natalia Stamati dhe Francesco Prospero Stamati, Stelle d'argjendta - Yje të argjendta. E ftuara speciale e mbrëmjes ishte ylli ndërkombëtar Sandra Sangiao, soliste e grupit Barcelona Gipsy Balkan Orchestra. Në këtë event madhështor spikatën modelet e reja, të cilat u dukën të mrekullueshme me kostumet tradicionale të komunitetit të tyre, që e pasuruan tej mase Festivalin. Në këtë event madhështor, nderuan me praninë e tyre: Kryetari i Bashkisë San Demetrio Corone, Ernesto Madeo; Këshilltari Bashkiak me përgjegjësi për Festivalin, Emanuele D'Amico; Drejtori Artistik i Festivalit të Këngës Arbëreshe, Angelo Pagliaro; Kryetari i Shoqatës Kulturore “Festivali i Këngës Arbëreshe – Komiteti Historik”, Adriano D’Amico; Këshilltari Rajonal i deleguar për marrëdhëniet ndërmjet Këshillit të Qarkut të Kalabrisë dhe Komuniteteve Arbëreshe, Pasqualina Straface; këshilltari rajonal me përgjegjësi për pakicat gjuhësore, Gianluca Gallo. Grupet vinin nga zona të Kalabrisë dhe rajone të tjera italiane, por mbi të gjitha nga Shqipëria, Greqia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Diaspora e popullit shqiptar, bëri të mundur njohjen, kujtesën e tabanit të muzikës popullore, ashtu sikurse traditat dhe zakonet e kulturës arbëreshe. Ky Festival është themeluar në vitin 1980 nga avokati Giuseppe D'Amico, i cili e krijoi për t'i dhënë një jetë të re gjuhës arbëreshe; në 40 edicionet e mëparshme ka prodhuar më shumë se 600 këngë të pa publikuara më parë nga autorë italianë dhe të huaj. Aktiviteti u financua me kontributin e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës “Italia Tomorrow”, Inovacionit, Konkurrueshmërisë, Kulturës dhe Turizmit, “Atraktiviteti i Fshatrave” Gjenerata e ardhshme e Bashkimit Europian dhe Ministrisë së Kulturës. Shpresojmë që edhe në vitet në vazhdim, të vijojnë ngjarje të tjera, sepse do të të ishte me të vërtetë me vlerë, që të gjithë të jemi gjithmonë të bashkuar, të gëzuar dhe të apasionuar pas muzikës, pa dallim kulture dhe prejardhjeje.

 

Pregatiti Angela Kosta shkrimtare, poete, përkthyese dhe Zv. Kryeredaktore në Albania Press.