Angela Kosta – poezi

Angela Kosta – poezi
ARRATI SHPIRTËRORE
 
Ti u largove 
Thjesht me ikjen tënde
Rende qorrsokakeve me vetveten endacake
Në kërkim të një strehe kujtimesh ndër muzgje
Mes fjalësh dallgëzuese pa zë.
 
Ti u largove pa thënë asgjë
Lëshove britmën mbytëse, ngashëryese
E çoroditur reve pa qiej u degdise
Dhe mbete mes ëndrrash, dëshirash të rilindje.
 
Mbete aty ku ishte fundi i fillimit 
Meditimeve pa vizione,
Rrjedhës së lumenjve lotues
Brigjeve në shpirt burgosur.
 
Ti ike këmbëzathur
Zhveshur nga i yti imazh
Jetën mbi kështjella rëre sfidoje 
Në grimca mendimesh zhyteshe.
 
Largohesh përtej kufirit të durimit
Shfaqur në duart e ftohta
Ndër sy, vegim i mjegulluar
Nën sinfoninë e fatit.
 
Ti u largove thjesht me ikjen tënde
Tradhëtove vetveten e vehtes
Si feniksi hirit flakërues
Fluturimthi, lirinë epokave ua përcjell...