Lan Qyqalla - SIKUR TË FITOJA... (tregim)

Lan Qyqalla - SIKUR TË FITOJA... (tregim)

SIKUR TË FITOJA...

 

E shtunë! Një shi i imtë bie pandërprerë, që nga mëngjesi. E shiu me vete sjell freski tek bredhim rrugëve të Prishtinës. As ky shi nuk i pengonte qytetarët të formojnë rreshta të gjatë para qoshqeve të llotos! Sado që sodisim fytyrat e tyre…askush s’pipëtin. Të gjithë janë të mvrenjtur. Një buzëqeshje e thellë shpirtërore sikur fle në shpirtin e akcilit. Këtë e heton sapo nis bisedën me ta. Menjëherë u çelet fytyra e s’përtojnë të falin ndonjë buzëqeshje, natyrisht jo bashkëbiseduesit, por sikur i buzëqeshin vetë fatit të tyre.

Eh, ajo buzëqeshje, ndoshta do të jetë e gjatë, e gjatë deri në orën 20:00, atëherë kur në televizion rrotullohen numrat, ku një “ndoshta” shpresëdhënëse, sa tërë jeta e tyre, se mbase do fitojnë, pa pikë mundi e djerse, por vetëm përmes buzëqeshjes së fatit.

Po ky fat, “mashtrues”, e përcolli gjatë jetës edhe xha Jakun, plak që shkelte në të shtatëdhjetat, kur nisi të rrëfejë:

– Kam hedhur shumë para në loto, edhe sot nuk mund t’i shmangem dot tundimit për këtë lojë, me shpresë se fati do të buzëqeshë edhe për mua. Sikur të fitoja, e dini se ku do t’i kisha futur gjithë ato para? - një ofshamë e thellë i doli nga goja – Paratë do t’i kisha shpenzuar për shtëpinë e pleqve, se e shihni edhe vetë, jam mplakur tanimë…mezi mbahem - thotë ai.

Në fund të rreshtit të gjatë futet një vocërrake.

- Jam nxënëse e klasës së tretë, kam filluar të luaj para dy muajsh. Një ditë rastësisht e plotësova një tiketë të lotos. Nuk e pagova dhe, për çudi, i kisha shtatë të qëlluara! Prandaj tani luaj rregullisht.

– Po, nëse do të fitosh?- e pyesim.

– “Po të fitojë…? Kam plot dëshira dhe shumë gjera për të blerë. Do të kisha blerë një qerre me bombone e çokolata, pastaj për prindërit nga një dhuratë të madhe, dhe nuk jam si ata shokët e klasës sime, që kanë pasur nga pesë të qëlluara e nuk i kanë blerë asgjë mësueses. Unë s’do të harroja as mësuesen. Asaj do t’ja bleja një vazo kristali….”

Bëri pagesën dhe, si një fluturë, vogëlushja me sy të kaltër iku.

- Që njëmbëdhjetë vjet me radhë e përcjell fatin në ekranin televiziv, -ndërhyn një burrë shtatlartë - Punoj, por vështirë ia dal me rrogën. Dhe nisa të provoj fatin me numra e, si po e shihni, asnjëherë s’arrita të fitoj. E sonte…- e preu përgjysmë fjalën. Një buzëqeshje edhe këtij ia përshkoi fytyrën e mvrenjtur.– Të shohim.. ndoshta..”- dhe buzëqeshja i shkrepi në fytyrë si më parë..!

E, lotoja i ndjell njerëzit në lojë. Numrat rrotullohen e sillen, bashkë me ta sillet edhe fati i miliona njerëzve dhe të gjithë i mban shpresa se do të fitojnë.

A thua mund të fitojnë ata miliona njerëz që luajnë dhe që shpresojnë të fitojnë?!Kështu, çdo të shtunë rreth orës 10, krijohen radhë të gjata në çdo qytet të Kosovës para qoshqeve të lotarisë, e në orën 20 para ekraneve televizive hidhet në lojë fati “shpresëdhënës” i miliona dëshirave dhe buzëqeshja u ngrin në gojë miliona njerëzve, sepse vetëm një mund të fitoj.