Bedri Tahiri - DINJITETI (tregim)

Bedri Tahiri - DINJITETI (tregim)
D I N J I T E T I
 
Të shkruash është qëllimi më i madh i jetës,
se vlera supreme është libri.
 (Borges)
 
             - Ha, ha, ha- qeshi, gati me zë, krijuesi i heshtur i qytezës së lashtë V..., kur ngeli i vetmuar në kryqin e parë të rrugës kryesore. Sakaq, beftë, u kujtua të vështronte me bisht të syrit anash, në mos e kishte dëgjuar dikush dhe, kur u sigurua që askujt për be nuk ia kishte tërhequr vëmendjen, u gëzua shumë dhe mori frymë thellë e thellë, sa i theri deri në dhimbje në mushkërinë e sëmurë gjatë luftës. Ah, të keqen vëllai, në këtë kohë të pakohë, njeriu i shkretë duhet pasur shumë kujdes, edhe atëherë kur flet me veten,- tha në të mërmëritur dhe vazhdoi të ecte si i shkujdesur trotuareve të lagura nga shiu i pakmëparshëm.
Ai, ore të paça për jetë të jetëve, kishte kohë që shkruante libra të ndryshëm, kryesisht për luftërat tona në vazhdimësi shekullore e për trimat që nuk ditën çka është frika dhe i botonte për gazep e pa ndihmën e askujt. Edhe kur e kishte ndihmuar dikush, ndonjë mik, kushëri apo shok, gjë që ngjante rrallë, i kishte falënderuar nga zemra  sinqerisht, duke ua shënuar edhe emrat. nëpër libra.
- A thua sot ç’kishte që qeshte ashtu si i marrë?!
- Po si mos të qeshte, ore jahu?! Edhe ti do të qeshje, po të ishe në vendin e tij. Po, po, në mos më shumë se ai sa do të shqyheshe fare. Pak më parë doli nga zyra luksoze e një partie, ku i kishin premtuar se do ta mbështesnin projektin që kaherë e kishte të gatshëm, botimin e një libri për dëshmorët. Fort mirë, do të thoshte secili që do ta merrte vesh këtë punë. Ashtu mendoi edhe ai në fillim dhe iu përvesh punës e me  vullnet  të madh punoi ditë e natë.
- Nëse vjen me ne do t’i kesh të gjitha dhe më kurrë nuk do të lodhësh për botimin e librave,- i kishin thënë atë ditë troç dhe pa fije ngurrimi.
Ky, në fillim, pakëz i zënë ngushtë e disi i befasuar, i kishte dëgjuar në heshtje dhe nuk ua kishte thënë asnjë fjalë. E çka t’u thoshte i ziu, kur halli e kishte detyruar të shkonte në atë derë?! Dorën në zemër, që në takimin e parë e kishte menduar një gjë të tillë, por jo edhe ashtu, aq hapur e pa fije ngurrimi.
- Unë moti jam me ju,- ua kishte kthyer dikur, disi me ndrojtje, më shumë për t’ua bërë qejfin.
- Duhet të jesh me letra e dokumente e të na ndihmosh në propagandim e përparim, që të zëmë sa më shumë e t’i kapim majat e piramidës!- ia prenë shkurt e shqip...
Dhe, mu kjo qe arsyeja, që kur kishte dalë në rrugë, kishte lëshuar një qeshje ashtu me zë, sa po ta dëgjonte dikush do ta merrte për të krisur…
 
* * *
 
Kështu i kishin thënë edhe më herët ca të tjerë. Madje, jo njëherë, por shumë herë. Por, thënë të drejtën, ata ishin treguar më tolerantë, më fisnikë, më të arsyeshëm, më të kujdesshëm. Kishin pasur dëshirë që në mesin e tyre ta kishin krijuesin zëmadh, ama nuk ishin treguar aq të ngurtë e mendjefyell. Ai ua kishte shpjeguar arsyet e veta dhe ata sakaq ishin tërhequr dhe e kishin lënë të qetë në punën e tij artistike. Dhe, për mirë, edhe pse nuk i kishte dëgjuar, kishin mbetur shokë e madje edhe ia kishin financuar një libër, po ashtu për dëshmorët. Dëshmorët nuk kanë pasur parti, kishin pohuar ata, që, fatbardhësisht, edhe vetë qenë luftëtarë, andaj kishin zgjatur dorën e ndihmës. Ku ka më mirë se sa të ndihmohet për dëshmorët! Sa bukur! Ashtu duhej, ore u lumtë! Ata që dhanë jetën për liri, një parti kishin- ATDHEUN! Ashtu i kishte mësuar komandant Adem Jashari, i cili çdoherë thoshte: Partia ime është Kosova!
-Vallë, kështu qenka shkruar historia ?!- ia bëri vetes krijuesi, pasi qe qetësuar ca. Çfarë vlerash mund të krijoheshin me kushtëzime?! Tekefundit, a durojnë dëshmorët një gjë të tillë?! Unë, për vete, nuk mund ta bëj një gjë kësisoj. Po nuk ma ndjeu zemra e shpirti, asgjë nuk më del nga pena. Edhe krijuesi popullor e ka lënë një fjalë shumë të mençur që thotë: Kënga del prej grykës së pushkës! As për mirë, as për keq. Ndoshta është dobësi imja, po s’kam ç’të bëj, nuk mund të bëhem tjetër. Sa i urrej ngjyrimet! Sidomos të zezën, e cila i përlyen të gjitha të tjerat...
- O shkrimtar, a u mendove mjaft për atë që biseduam?- i thanë sërish, një ditë në rrugë, kur ai gati veç kishte harruar fare për ku e kishin fjalën.
- ?!!!
- Të bëhesh anëtar yni, ore vëlla, ti ke nevojë për përkrahje materiale, ne kemi nevojë për anëtar partie,- ia rikujtuan ata, paksa me pezëm e me një ëndje prej të urituri.
- Shohim, shohim,- ua kishte kthyer ai, me një butësi që linte të shpresohej ende për hedhjen e tij në grep...
- Të gjorët,- bëri me vete, si e marrkan këta këtë punën e partisë, si lojë kalamajsh! Hollë- hollë edhe nuk kanë faj gjithaq. Vetë janë të tillë. Ehë, sa e sa parti i kanë kullotur deri në rrënjë dhe paskëtaj fap-fup i kanë ndërruar si kuleçtë e netëve të mëdha. Dhe, kurdoherë në krye të tyre ose së paku aty afër, në sofrën e parë. Po nuk u ulën aty, nuk ulën fare! Populli ynë e thotë fort mirë: çka piqet nuk hiqet!
 
 *  *   *
 
Herën tjetër, kishte takuar të tjerë adhurues partiakë, që gjithashtu kërkonin ta sforconin partinë e tyre me “heronj” të rinj. Edhe ata të njëjtin avaz, të njëjtat kushtëzime, të njëjtat premtime...
- Bëhu me ne, nëse nuk do që të vuash më me ato shkrime, që kurrë nuk ua pe hairin! Kush lexon sot, më thuaj?! Jemi ngopur me to, sidomos me këto të luftës! Lëre ore burrë, lëre, shkruaj diç tjetër, si për shembull për dashurinë apo diçka tjetër rreth biznesit, se përndryshe bën libra kot...
Obobo, ç’tmerr!!!
Ah, i ziu krijues, kah t’ia mbante?!
        - Ha, ha, ha, qeshi sërish nga gazepi. Kësaj here nuk u skuq fare dhe nuk mendoi se a do ta dëgjonte kush apo jo. Lë ta shohin e lë ta dëgjojnë të gjithë ore, edhe lë ta marrin për të krisur po të duan. Pse mos ishte i pari që po i ngjiste një gjë e tillë?! Jo, as i pari, e sigurisht as i fundit. A nuk e kishin pasur thuajse të njëjtin fat të gjithë krijuesit?! Mjafton ta shfletosh historinë dhe të bindesh. Cili shkrimtar jetoi bukur?! Të gjithë përfunduan në mjerim katandisës!!!
Atëherë ç’të bënte?!
Ta linte fare penën?!
Jo, kurrë! Një gjë të tillë nuk mund ta bënte dot. Gjaku i dëshmorëve i fanitej në gjumë dhe nuk e linte të qetë për asnjë çast.
- Mjerë ai vend që nuk ka dëshmorë!- ka thënë një filozof i madh.
- Mjerë ata dëshmorë që nuk ka kush të kujdeset për ta, - do të thoshte i njëjti, po të ishte gjallë.
- Sërish do të shkruaj dhe nuk e kam ndërmend  të shitem as për paranë e botës. Për një gjë jam mese i sigurt: penën nuk mund të ma ndalojnë kurrë, derisa të më punoj mendja e dora! Do të shkruaj për atë çka ma ndjen zemra e jo çka dëshirojnë disa e me kushtëzime...Nuk më duhet ndihma e atyre që mendojnë t’i realizojnë qëllimet e interesat e veta personale. Bilbili në kafaz nuk di të këndojë bukur! Mjerisht, koha njerkë po e luan bishtin dhe nuk është në anën tonë. Edhe paraja murdare, siç thoshte kohë më parë Hasan Zyko Kamberi, me sa duket e ka gabuar rrugën dhe ka vajtur atje ku nuk duhet...Medet, medet! Megjithatë, as ajo mos të krekoset shumë, sepse, hëpërhë e sjell botën vërdallë, por nuk është gjithçka...Më mirë fukara e i ndershëm! Për qejf të askujt nuk do të bëhem as i majtë, as i djathtë. Do të jem ai që jam. Do të jem i partisë më të madhe, siç ka thënë Hygoi, i partisë së quajtur POPULL!
-Unë e kam dinjitetin tim, për të cilin rroj dhe nuk thyhem dot!- i dha fund të gjitha meditimeve krijuesi hallexhinj, i cili kurrsesi nuk deshi të rrëshqasë në terrenin e përgatitur nga të tjerët...