Ibrahim Skenderi - PIKA LOTI MBI ALBUM (Homazh për shkrimtarin)

Ibrahim Skenderi - PIKA LOTI MBI ALBUM (Homazh për shkrimtarin)
PIKA LOTI MBI ALBUM
(Homazh për shkrimtarin)
 
Buzëmbrëmje e 11 shtatorit 2005. Sapo filluan lajmet kryesore në RTK. Folësja, si zakonisht, veçoi disa nga titujt kryesorë të lajmeve:
“Sot në moshën gjashtëdhjetë e shtatë vjeçare në Ulqin, vdiq papritmas shkrimtari ynë i madh Rifat Kukaj!”.
“Mos!”– shkreptiu i habitur gjyshi dhe mbeti si i nemitur. Ndërkaq Oles së vogël i mbeti në gojë përsheshi që ishte duke ngrënë dhe as që mund ta përbinte atë kafshore buke. Brofi në këmbë dhe hodhi lugën. Ia lëshoi sytë gjyshit të mbërdhezur nga dhembja për lajmin e hidhur dhe ia plasi vajit.
- Jo, gjysh, nuk ka vdekur xhaxhi Rifat! Jo, këta po gënjejnë! - Jo, jo- tha Ola, e cila e donte aq shumë shkrimtarin.
Pa vonuar shumë, ashtu duke dënesur, nxori nga sirtari i vitrinës albumin me fotografi. Aty kishte edhe ca fotografi ku ishte së bashku me xhaxhin Rifatin.
Fotografia më e dashur e Olës ishte ajo nga takimi i parë me shkrimtarin kur ishte vetëm dy vjeçe. Një fotografi e bërë spontanisht, por me vlerë çfarë do dëshironin edhe mjeshtërit e mëdhenj të fotografisë artistike.
Ola vështronte fotografinë “duke ia çakur dorën shkrimtarit”, si do të thoshte ajo, por, kishte mbetur si e humbur derisa me dorën e vockël fshinte pikat e lotit që i pikonin mbi album. Mbase i silleshin ndërmend kujtimet nga takimet me shkrimtarin, përkëdheljet dhe fjalët e ëmbla derisa qëndronte në prehrin e tij : “Hë moj, si të quajnë ? ... Çakja xhaxhit dorën ... ashtu e ta lumsha.
Ti mu bëfsh Ola si molla: Mu bëfsh personazh moj çupëz e xhaxhit!”
Kurse gjyshi i tronditur nga humbja e një miku të dashur, një shoku që e kishte përkrahur në punën e tij krijuese, përcillte me dhembje Olen, e cila vazhdonte t’i fshijë pikat e lotit që i pikonin mbi albumin me fotografi.