Sami Mulaj, tregim

Sami Mulaj, tregim
SAMI MULAJ - TAVOLINA 21
(Tregim)
 
- Alo! Jam Vjollca, Vjollca e hotelit të gjuetisë, besoj se nuk më ke harruar… Kam ardhur në New York, e prej gati një vit jetoj këtu si një emigrante e re… Të lutem nëse nuk e quan krejt të harruar kohën e njohjen tonë para njëzet vitesh dhe e ke edhe kohën e mundësinë, kam dëshirë të takohemi e të shihemi… Të lutem më mirëkupto, kam vetëm dëshirë të shihemi e të flasim sado pak për kohën e shkuar. E ndjeva si detyrim moral të të lë mesazh… Ato kujtime jetojnë akoma dhe ne jemi gjallë….
Sapo hypa në makinë dhe hapa celularin që e kisha lënë në karikim, m'u shfaq para syve ky mesazh….
"Ua, paska ardhur “miss gjuetia…, kështu e thërrisnim Vjollcën, shoqen tonë të kohës studentore. Dikur kishte qenë një çapkëne e vërtetë, një vajzë pa komplekse, studente shumë e zellshme për librin. Leksionet e saj ishin model, të shkruar bukur të cilët lexoheshin kollaj dhe me nënvizime e ngjyrime të fjalive a frazave kryesore. Ajo e kishte pasion poezinë dhe me të gjithë e niste bisedën me vargje; ishte tepër miqësore me shoqet e me shokët e kursit, bile ishte e afërt edhe me vajza e djem të grupeve të tjera paralele si edhe ma ata të kurseve të viteve më të larta. Vjollca ishte shumë e njohur në fakultet pasi ishte ndër dy a tre vajzat më të bukura. Ishte një zeshkane simpatike, gojë ëmbël dhe me një paraqitje që binte në sy nga larg për veshjen e saj paksa ekstravagante me fustane të shkurtëra e pantollona ngjitur mirë në trup ku linjat e sidomos të pasmet saj gë dalura pak, binin në sy. E ndjeva ëmbël këtë mesazh të papritur. Zëri i saj më kishte ngelur i pashlyer në memorien time. Dhe pa dyshim m'u shfaq përpara syve si në një ekran të madh me ngjyra filmi ynë, kështu po e quaj historinë a lojën tonë naive të para shumë viteve në hotelin e gjuetisë të qytetit bregdetar, kur me dy shokët e mi dhe Vjollcën e dy shoqet e saj darkuam e fjetëm një të shtunë që mbeti për shumë kohë e shtuna e gjuetisë dhe Vjollca si personazh kryesor i asaj nate: Vjollca e gjuetisë.
Atë mbrëmje e tepruam në pije, ne djemtë i rreshtuam pa numër birrat e Korçës dhe vajzat u tërbuan me ponçin e ëmbël. Mbasi mbaruam së ngrëni darkën, bëmë një shëtitje midis pishave përreth hotelit e gati u harruam jashtë…
Po të mos na vinin re rojet e hotelit me siguri do ta gdhinim mëngjesin midis pishave, të humbur si robinhudët në ishullin e pa banuar.
Të lodhur nga pija por edhe të dehur më shumë nga çlirimi që ndiem atë natë prej detyrimeve të shkollës e prej largimit të syve të kontrollit rutinë të gjithçkaje nga jeta jonë studentore, dëshironim që ajo natë të zgjaste pa fund ndaj kishim humbur edhe kontrollin e kohës. Ndoshta në ato momente nuk dinim as ku ishim, pasi nuk dinim as numrat e dhomave të hotelit.
Duke ndjekur si pula pa krye rojet e hotelit, erdhëm tek sporteli dhe u shprazëm në dy kolltuqet e pritjes sikur të ishim në urgjencën e ndonjë spitali, ashtu ngjitur me njëri - tjetrin.
Vetëm Vjollca dukej sikur të ishte kujdestarja jonë dhe kontrollonte situatën. Mori tre çelësat e dhomave me numurat: 21, 22 e 23 që për çudi ishin numra të njëjtë me moshat tona, të të tre ne djemve. Unë isha atëhere 21 vjeç, Berti ishte 22 dhe Pirroja sapo kishte mbushur 23.
Vjollca m'u drejtua mua si më i riu që isha:
- Ja ku e ke çelësin e dhomës... shko ti i pari në dhomën 21, ti në dhomën 22 i drejtohet Bertit e ti në dhomën 23, Pirros. 
- I keni sipas moshave o dashnorët e Venedikut, thirri me të madhe. Ne vajzat do vijmë më vonë. Do i zgjedhim dhomat pasi të shkoni ju...
Dhe ashtu u bë... mbasi u larguam ne djemtë, vajzat ranë dakord të vijnë në dhomat tona sipas një formule tjetër e jo sipas moshës.
Ato kishin vendosur që të zgjidhnin djemtë pa e ditur dëshirën e njëra - tjetrës, por vetëm vendosën radhën se cila të shkonte e para, e dyta dhe e treta për të zgjedhur djalin që dëshironte… Shorti i ra Vjollcës të zgjidhte e para dhe ajo erdhi në dhomën time.
Më kishte zgjedhur mua për të fjetur bashkë atë natë në dhomën e hotelit me numur 21.
Sapo hyri në dhomë, ajo u përplas mbi mua krejt e shfrenuar dhe pa ndrojtje u puthëm edhe në buzë. Ishte hera e parë që putheshim ashtu ngjitur. Edhe herë tjetër ishim puthur por kurrë në buzë. Pas disa minutash dëgjuam një trokitje të lehtë në derë, ishte diçka e papritur dhe gati e pa kuptimtë... teksa pyesja veten kush mund të ishte hapa derën, dhe…
Dhurata hyri brenda plot gaz. M'u afrua gjithë afsh gati për t’mu hedhur në qafë. Në atë moment Vjollca i foli me ton të rreptë: 
-  Dhurata jam unë këtu sonte. E kisha unë radhën për të zgjedhur…
Pa e lënë të mbaronte, atë moment Dhurata ia ktheu menjëherë: 
- Ju na keni mashtruar! Ju e keni zgjedhur njëri - tjetrin prej kohësh dhe na e keni fshehur.
Ju kam lexuar muaj më parë që ju duheni, e kam parë në sytë e tuaj por unë budallaqja...
teksa tha kështu e zemëruar u kthye pas duke e përplasur me forcë derën pas vetes.
Menjëherë pas mbylljes së portës, atmosfera në dhomë ndryshoi. Dëgjova Vjollcën të më thoshte:
- Ju djemtë jeni të pabesë... ti e paske të dashur edhe Dhuratën, ndryshe ajo nuk kishte pse të vinte këtu… Hë më thuaj, dhe... nëse është e vërtetë po dal dhe e thërras Dhuratën të vijë ajo këtu e të flejë me ty…
- Jo, - i thashë, - kam vetëm miqësi e shoqëri ashtu si me ty. Ju jeni shoqet e mia e jo të dashurat e mia, e pas disa minutash kërcet prapë dera dhe në dhomë futet edhe Klejda.
Edhe ajo sapo e pa Vjollcën, e pezmatuar në fytyrë na drejtohet: 
-  Ah, Vjollca ti e paske zgjedhur… Të dy më keni mashtruar dhe e keni mbajtur të fshehtë lidhjen? Edhe ti bukurosh që sillesh si engjëll me ata sy, nuk je i pa faj… po unë krejt si torollake erdha pas teje për ata sy të bukur. 
E, edhe ajo, krejt me nerva e duke e përplasur derën edhe më shumë se Dhurata, doli në koridor. Vjollca, e pezmatuar nga zgjedhjet e shoqeve të saj që edhe ato ishin magjepsur pas djalit të saj të dhomës 21, më drejtohet prapë krejt hundë e buzë: 
- Tani më bëj edhe një rrenë tjetër për Klejdën, edhe ajo vetëm shoqe qenka, jo e dashura jote, e ashtu si shoqe dashka të flejë me ty sonte?
Hë, të gjitha vajzat të zgjodhën ty o Don Zhuan, pa më thuaj përse ?! Sepse i ke sytë e bukur!
Ah të shkretat ne vajzat që rrëmbehemi e joshemi nga bukuria e djemve dhe biem viktimë e pastaj akuzojmë dashurinë që ikën prej nesh…
Duke folur me vehten e saj, me pyetje e përgjigje më drejtohet: - Nuk do zihemi më! Ti mbështillu si një mëzat qumështi aty i vetëm në krevat e unë do të rri këtu në ketë kolltukun e vogël si një dhi e egër, sepse vërtetë e meritoj, e nesër në mëngjes do të sillemi sikur gjithçka është në rregull e të mos bëhemi akoma e më shumë qesharakë. Ashtu bëmë... unë pa gjumë në krevat e ajo pa gjumë në kolltuk, i kaluam ato pak orë që na kishin mbetur deri në agim.
Në dhomat e tjera kishte ndodhur edhe atje gati i njëjti "aksident" si në dhomën tonë. Pirroja nuk kishte shkuar tek dhoma e tij por tek Berti dhe pasi kishin ndezur nga një cigare, kishin filluar të këndonin me mandolinë një serenatë korçare me zë të ulët duke menduar se në hotel kishte edhe të tjerë. Kishin harruar se ishte vjeshtë e vonë e në hotel, në katin tonë ishim vetëm ne gjashtë studentët në tre dhoma.
Dhurata kishte zgjedhur Bertin si variant të dytë dhe sapo ishte futur në dhomën e tij e kishte gjetur aty edhe Pirron, kishte ndryshuar menjëherë klimën e sjelljes duke u përpjekur të shmangte tronditjen që kishte kaluar me zgjedhjen e parë, në dhomën 21. 
- Oh sa mirë... e dua edhe unë një cigare, - tha dhe u gjend si një pulëbardhë në prehërin e Bertit, e nisi edhe ajo të këndojë.
- Nuk do flemë sonte, por do të festojmë natën e parë të dhëndrit në dhomën 21... ha, ha qeshi ajo e kështu e pasuan duke qeshur edhe Berti me Pirron. Në bisedë e sipër troket dera dhe Klajda e skuqur në fytyrë hyri brenda. Pasi kishte gjetur bosh dhomën e Pirros, ajo kishte ndjekur zhurmën në dhomën e Bertit e kur i kishte parë të gjithë duke qeshur e duke kënduar, ishte futur në lojën e tyre dhe ishte hedhur në prehërin e Pirros. Ia kishte marrë nga goja cigaren, e kishte tymosur me gjithë mushkëritë duke lëshuar një afshamë kënaqësie. Kështu e kaluan natën... natë i thënçin se ishin vetëm pak orë para se të agonte mëngjesi i ditës së re.
Në gjashtë të mëngjesit morëm autobuzin e parë dhe ashtu të lodhur e pa gjumë, pas 3-4 orësh, u kthyem në konviktet tona. U përshëndetëm me njëri - tjetrin gati ftohtë, u puthëm me vajzat si më parë në faqe dhe të katër njëherësh si në kor, kur u puthëm unë me Vjollcën thirrën: "në buzë, në buzë por ne nuk u puthëm më, vetëm qeshëm.
Tani, pas gati njëzet vitesh më kthehet kjo histori e freskët… Vetëm pak muaj pas asaj nate rinore e naive, takoheshim më rrallë e të gjithë mendonin e na shikonin mua e Vjollcën si të dashuruar dhe flitej se ishim çifti më i mirë në fakultet. Në verën e atij viti e lamë shkollën të gjithë dhe njëri pas tjetrit, u larguam në vende të ndryshme të botës; mua më solli fati në Amerikë. Ikëm si të ishim pas një mortaje pa u përshëndetur njëri me tjetrin.
Ne nuk dinim as se ku po shkonim dhe si zogjtë e hutuar fluturuam në vende të panjohura.
Pas shumë vitesh, falë rrjeteve sociale mundëm të gjenim njëri - tjetrin, por secili në botën e tij, nuk kemi harxhuar kohë në mesazhe për të njohur në detaje historitë e jetëve tona.
Kështu ndodhi edhe me Vjollcën... kisha fare pak dijeni se si i kishte shkuar jeta, e tani ky mesazh më vuri përpara faktit që të kthehesha pak vite pas e të prekja nga afër miqësinë e vjetër me ato kujtime, pse jo edhe të bukura. 
U takova me Vjollcën disa herë e për nja tre - katër javë biseduam gati çdo ditë në telefon. 
Edhe pse isha shumë i ngarkuar në tregun e makinave, prej 4-5 vitesh si menaxher në një kompani të madhe makinash, gjithësesi e gjeta kohën dhe me dëshirë e takoja. Ajo e priti me shumë gëzim gatishmërinë time për ta takuar e kaluar kohë sëbashku.
Pas çdo takimi vura re se Vjollca po afrohej më shumë me mua. Më 14 shkurt ditën e të dashuruarve të vitit të kaluar e lamë të darkonim bashkë në New Jersey, në qytetin tim, në një steak restorant të famshëm. E mora me makinën time në Brooklyn tek banesa e saj ku jetonte me një shoqe dhe siç kishim rënë në ujdi, pas darke do të shkonim në banesën time. Ishte veshur bukur dhe flokët i shkëlqenin saqë kur hyri në makinë e mbushi atë krejt me aromë që të them të vërtetën më pëlqeu dhe më dhuroi energji, sa nuk durova e i bëra edhe komplimente. Sapo u ul në sedile, ajo më dha edhe një puthje tjetër e kësaj radhe në buzë që e prita më shumë endje. Ishte puthja e dytë në buzë, e para ishte ajo në hotelin e Gjuetisë në dhomën numur 21, para njëzet vitesh.
Pasi shkuam në restorant e lamë palltot në para dhomën e restorantit, kamarieri na drejtoj tek tavolina me numur 21. 
Të dy u stepëm… 
Eh kjo rastësi…. edhe magjike, edhe e bukur…ndoshta që të dyve na befasoi por edhe na pëlqeu… Mbasi pimë një shishe verë të dy bashkë, (edhe Vjollca e kishte qejf verën e kuqe), e porositëm të dytën, dëgjova zilen e celularit.
Një klient që kishte blerë një makinë nga unë disa vite më parë, kërkonte të blinte një tjetër dhe më pyeti se a mund ta kthente makinën që e kishte përdorur dhe që e kishte në gjendje të mirë. Edhe pse kishte shumë milje më shpjegoi se makina kishte histori të pastër dhe pa asnjë aksident. Duke i kërkuar falje Vjollcës për bisedën të cilën po e ndiqte dhe ajo pasi e kishte mësuar anglishten me përpikmëri të admirueshme, vazhdova t'i shpjegoja ish-klientit tim se e kishim të pamundur riblerjen e makinës së vjetër, për faktin se kompania jonë ka një rregull specifik që pranon makinë të vjetër për ndërrim vetëm kur kjo makinë është mbajtur nga një shofer, pra që është e shitur vetëm një herë, kurse makina juaj është shitur dy herë dhe ka ndërruar dy pronarë… "Më vjen keq", i thashë e i shpjegova edhe një herë se e kishim të pamundur…
- Ju nuk merrni një makinë që është në gjendje të mirë pse ka kaluar dy pronarë e unë kam marrë ish të dashurën time në shkollën e mesme, edhe ajo me shumë milje, e pasi është martuar e divorcuar dy herë, - më thotë duke qeshur. Edhe unë e pasova fundin e bisedës me klientin po ashtu duke qeshur.
Pasi u përshëndeta me të, dhe mbylla celularin, vura re se Vjollca më dukej pak si e prishur në fytyrë... kërkoi të shkonte në tualet. 
Mbas disa minutash u kthye, por në fytyrën e saj prapë shihej vranësirë dhe sytë e saj e kishin humbur shkëlqimin e mëparshëm…
"Ah, - mendova ndoshta vera", por në çast erdhi kamarieri dhe e njoftoi se kishte ardhur taksisti. Kthej kryet drejt saj dhe i habitur e pyes: 
- Sikur e kishim lenë të rrinim këtu sonte, në apartmentin tim e nesër do të ktheheshe… apo…
- Jo, ma ktheu Vjollca prerë… Do shkoj sonte…
- Më fal, m'u drejtua, e kam të pamundur… dhe faleminderit për të gjitha...
U ngrit nga tavolina, më puthi në faqe si atëherë kur zbritëm nga autobusi pasi u kthyem nga hoteli i gjuetisë dhe u largua…
E që atëhere nuk mora më asnjë thirrje apo ndonjë mesazh nga ajo… Biseda për rikthimin e makinës së vjetër dhe shakaja e klientit tim për martesën me ish të dashurën e tij të divorcuar dy herë, me sa duket e kishin lënduar në sedër...
 
Dr. MUJO BUÇPAPAJ
(kritikë letrare )
 
Rastësia si strukturë narrative dhe kujtesa e pakthyeshme në “Tavolina 21”
 
Nga dr. Mujë Buçpapaj
 
“Tavolina 21” e Sami Mulajt ndërtohet si një narrativë retrospektive me strukturë rrethore, ku numuri-simbol shndërrohet në bosht kuptimor të rrëfimit. “Dhoma me numër 21” dhe më pas “tavolina me numër 21” nuk janë thjesht koordinata hapësinore, por shenja të një kohe të ngurtësuar në kujtesë, ku subjekti rrëfimor përpiqet të rikthejë “një zë që kishte ngelë i pashlyer në memorien time”. Kjo memorie vepron jo si nostalgji sentimentale, por si mekanizëm kritik që ekspozon distancën mes asaj që ishte e mundshme dhe asaj që mbetet e parealizuar. Rrëfimi mbështetet në një realizëm intim, të pasuruar me dialogë të drejtpërdrejtë, ku spontaniteti i gjuhës maskon një tension të thellë psikologjik. Figura e Vjollcës ndërtohet si subjekt aktiv i zgjedhjes dhe dëshirës, por edhe si viktimë e zhgënjimit të heshtur, çka shprehet qartë në vetëreflektimin e saj ironik: “Ah, të shkretat ne vajzat që rrëmbehemi e joshemi nga bukuria e djemve… dhe biem viktimë”. Ky pohim e zhvendos tregimin nga anekdota rinore drejt një diskursi më të gjerë mbi iluzionin erotik dhe asimetrinë e pritshmërive.
Kulmi semantik i tregimit realizohet në episodin final, ku biseda e rastësishme me klientin për “makinën që ka kaluar dy pronarë” funksionon si metaforë brutale e konsumimit të marrëdhënieve njerëzore. Refuzimi teknik - “kompania jonë ka një rregull specifik” - përkthehet në refuzim emocional, duke e lënduar personazhin femëror pa pasur nevojë për konflikt të drejtpërdrejtë. Largimi i Vjollcës, i shoqëruar vetëm nga fraza e ftohtë “Faleminderit për të gjitha”, mbyll qarkun narrativ në mënyrë të heshtur, por të pakthyeshme.
Në këtë mënyrë, “Tavolina 21” shfaqet si një tregim për rastësinë që nuk shpëton asgjë dhe për kujtimin që nuk arrin të rikrijojë të shkuarën. Mulaj arrin të artikulojë me finesë idenë se koha nuk i shkatërron ndjenjat drejtpërdrejt, por i çbën ato përmes gjuhës, rrethanave dhe keqkuptimeve të vogla, të cilat, siç sugjeron vetë teksti, janë më vendimtare se çdo dramë e madhe.
 
Redaktoi: Angela Kosta