DASHURIA SI FORCË NGA METAFIZIKA ORIENTALE TE REALIZMI MODERN
Në teorinë letrare dhe filozofike, dashuria është trajtuar jo si ndjenjë private, por si strukturë force që prodhon subjektin. Roland Barthes, në Fragments d’un discours amoureux, e përkufizon dashurinë si një diskurs ku subjekti flet nga mungesa dhe varësia, jo nga pushteti. Alain Badiou e sheh dashurinë si “procedurë të së vërtetës”, por vetëm nëse ajo i reziston konsumit dhe instrumentalizimit modern. Megjithatë, këto qasje perëndimore mbeten të ankoruara në idenë e subjektit autonom që zgjedh, negocion dhe artikulon veten.
Tradita orientale e zhvendos radikalisht këtë aks.
Te Ibn Arabi, dashuria nuk është marrëdhënie mes dy individëve, por forca përmes së cilës Zoti e njeh veten në krijesë. Subjekti nuk zotëron dashurinë; ai përshkohet prej saj. Në këtë kuptim, vargjet e Ndoc Gjetjes:
“jam instrumenti yt i verbër”
“më pëlqen të jem skllav”
janë më afër mistikës islame dhe sufiste sesa romantizmit evropian. Dorëzimi nuk është dobësi morale, por pozicion ontologjik. Njeriu ekziston vetëm duke u tejkaluar nga dashuria.
Edhe Rumi, në Masnavinë, e sheh dashurinë si zjarr që shkrin identitetin:
“Unë nuk jam as i krishterë, as hebre, as mysliman ,
jam flakë që digjet nga dashuria.”
Këtu zhdukja e vetes nuk është nihilizëm, por kalim drejt një njohjeje tjetër. Në këtë dritë, poezia e Gjetjes fiton një lexim më të thellë: ajo nuk infantilizon subjektin, por e vendos atë në një traditë ku dashuria është absolute dhe e pakontrollueshme.
Ndryshe ndodh te Hafezi, ku dashuria është njëkohësisht hyjnore dhe ironike, e shenjtë dhe tallëse. Ky dyzim është i rëndësishëm për të kuptuar Petrit Rukën. Sepse te Ruka dashuria nuk është as hyjni, as ide; është përplasje e përditshme, e ngarkuar me histori, trup dhe pushtet:
“me dredhi ballkanike që as OKB s’ka parë”
Kjo e afron Rukën më shumë me realizmin etik modern, sesa me mistikën. Nëse orienti klasik e sheh dashurinë si shkrirje të vetes, Ruka e sheh si pamundësi për t’u çliruar nga tjetri, edhe kur lidhja është helmuese:
“s’bëjmë dot pa këtë helm të mallkuar”
Nga ky këndvështrim, dallimi mes Gjetjes dhe Rukës nuk është thjesht estetik, por filozofik.
Njëri e vendos dashurinë mbi subjektin, tjetri e mban subjektin të bllokuar brenda saj
Pozicioni im kritik, nuk është të zgjedh mes këtyre dy modeleve, por të vë në dukje se të dyja qasjet zbulojnë kufijtë e lirisë moderne. Dashuria, si në orient ashtu edhe në modernitetin ballkanik, nuk është hapësirë emancipimi të plotë, por terren tensioni ku subjekti formohet duke humbur diçka nga vetja.
Kjo është arsyeja pse dialogu me poetët tanë dhe me traditat orientale nuk synon rikthimin e mitit, por çmontimin e iluzionit se dashuria është shpëtim. Dashuria është provë dhe poezia është vendi ku kjo provë artikulohet pa justifikime.
Teuta Sadiku