Bedri Tahiri - NËPËR DALLGËT E ATDHEUT

Bedri Tahiri - NËPËR DALLGËT E ATDHEUT
Recension
 
NËPËR DALLGËT E ATDHEUT
 
Topi që shemb kështjellat më të forta
është  atdhedashuria.
(Naim Frashëri)
 
         Gjithmonë e jetës më kanë pëlqyer njerëzit që flasin pak. Ata, me atë heshtjen e tyre mitike, që në takimin e parë, sikur të bëjnë për vete dhe thonë shumë. Vetë jam i tillë dhe të tillët i çmoj. Heshtja është edhe një gjest filozofik, një mençuri e llojit të vet. Faik Smajli është i tillë.  E kisha nxënës në shkollën e mesme në Vushtrri, madje isha kujdestar klase. Edhe udhëtimi nga Drenica e përtej Qyqavicës na lidhte e na bashkonte. Prej të gjitha lëndëve mësimore, letërsinë e kishte në shpirt. Lexonte shumë, më shumë se sa kërkonim me plan program. Që atëherë dallohej prej të tjerëve me talentin e tij në hartimet e mrekullueshme. Kishte imagjinatë të bujshme dhe gjerat i kapte me intuitën e një mendimtari kureshtar.
           Dhe, kjo dhunti nuk iu shua asnjëherë, edhe pse rravgimet e jetës hileqare e dallgët e pamëshirshme të kohës zezonë, si gjithë etninë tonë, edhe atë e përlanë përpara dhe ia dhanë rrugën e mërgimit. Kontaktet tona qenë të vazhdueshme. Mirëpo, para pak ditësh më erdhën një tufë poezish, të futura nën një çati me një titull sugjestiv e mjaft domethënës “DALLGËT E ATDHEUT”. Disa prej tyre i kisha lexuar edhe më herët, mirëpo të përmbledhura në një vend, i lexova dhe rilexova më me endje, me laps në dorë siç i thonë, dhe, si redaktor, e tumira publikimin e tyre si një dhuratë e çmuar për lexuesit.
          Moti është thënë se modestia është madhështi, është vlerë, është sinqeritet. Kjo dhunti e dallon edhe Faik Smajlin, në jetë e në krijimtari. Ai shkruan rrallë e për mall. Një poezi, që të jetë e mirë, duhet të jetë  e sinqertë. Po që të jetë poezia e sinqertë duhet të jesh më parë i sinqertë, gjer në fund të shpirtit tënd, ti që e shkruan. Në poezi s’gënjen dot! Kështu në mëson Lasgushi ynë i madh.
          Siç shihet këtë maksimë e paskësh kuptuar mirë edhe Faiku, i cili shkruan kur ka çka të thotë e nuk shkruan sa për të thënë. Natyra e tij e heshtur në të parë, kur e kërkon nevoja, shpërthen si një krater vullkani dhe llava përvëluese nuk kursen asgjë që bie ndesh me parimet e atdhetarizmit. Vargu i tij,  i latuar me një mjeshtri metrike, nuk i ikën edhe aq tradicionalizmit, por as nuk bëhet rob i klisheve të ngurta teorike që shpeshherë ngufasin poezinë tonë. Ai është një varg i lirë, lakonik, përmbajtjesor, domethënës, i qartë, i stolisur mirë me petkun e bukur figurativ, përplot ngjyrime tematike e motivore, gjë që na del origjinal, i papërsëritshëm,  funksional. Gjuha e pastër dhe e pasur me figura stilistike, me tekste e me nëntekste, me një semantikë specifike e shtresim shumëdimensional, veçse i begatojnë dhe ua shtojnë vlerat këtyre vargjeve antologjike.
          Tematika e librit DALLGËT E ATDHEUT është e larmishme, ashtu siç është vetë jeta me trillet e saj. Mirëpo, në fakt, kredoja e saj sillet rreth një boshti kurrizor, rreth një lajtmotivi-ATDHEDASHURISË! Poeti i vëmendshëm, është kujdesur që lexuesit t’ia lehtësoi komunikimin me poezinë e tij, duke i ndarë ato në tri cikle:
 
1.Atdhetare,
2.Dashurie dhe
3.Të ndryshme
             
            Siç na paralajmëron vetë titulli i librit DALLGËT E ATDHEUT”,  tema më e pëlqyer e këtij poeti mbetet Atdheu. Kjo temë, sado që duket e konsumuar, veçan në kohën e rilindësve tanë, për ne të përvuajturit në robërinë tej shekullore, përherë mbetet aktuale. Gjakimet për një Ditë të Bardhë, janë të vjetra sa vetë kjo tokë.
            Të gjitha këto shpalosen si në pergamenë, në poezinë programatike “Udhëve të vargut tim”, e cila hap portën e madhe për t’u futur brenda kështjellës ku zhvillohet një dramë me shumë akte tragjike. Heroi lirik, i përkushtuar për të qëndruar i pathyeshëm përballë dallgëve të dalldisura, si Gilgameshi i lashtësisë, nuk pushon së reshturi derisa siguroi ilaçin e përjetësisë-FJALËN:
 
...do t'i mbes fjalës në grykë
do ta zbusë dalëngadalë
derisa t'i vë shalë
derisa të bëhet Pegazi im.
 (Udhëve të vargut tim)
 
            Shalimi i mundimshëm i kalit fluturues, kërkonte mund, kërkonte sakrificë, kërkonte vetëflijim. Dhe mendja e kalëruesit pegazian  spërndriti si fanar në furtuna. Pena e tij skaliti mjeshtërisht fatet e atdheut të grisur e të ndarë në dyzet copë, degdisur nëpër dallgët e pamëshirshëm të historisë njerkë. Dalzotësit  e Atdheut nuk munguan kurrë, as në kohë, as në hapësirë. Ata ishin të shumtë, që nga Gjergji e  Ismail Qemali, Hasan Prishtina e Zhujë Selmani, Azem e Shotë Galica, Baca Ukë e Bali Met, por Atdheu, megjithatë,  pati një LIS, pati  Adem Jasharin që:
 
atdheun e ngriti në këmbë
i dha jetë nga jeta e tij
e përqafoi e puthi në ballë
iu fut drejt në zemër
me Legjendë e mbuloi.
(Lisi i Atdheut)
 
            Gjeografia e këtyre vargjeve lapidar shtrihet në plotësinë e saj: Kosovë-Shqipëri-Çamëri; Qyqavicë e Rugovë, Sharr e Pashtrik, Tomorr e Korab, Ibër e Valbonë, Drini i Bradhë e Drini i Zi, Tiranë e Prishtinë,  Pargë e Paramithi, prandaj, poeti në një moment gulçon me afsh zemre:
           
Nuk e di Shqipëri…
a më shumë kam qarë
a kam qeshur për ty
se dashurinë qe kisha
ma mbanin nën dry
prandaj qaja për ty
(Shqipëri)
 
         Gurgullimë e vargjeve nuk ka të ndalur. Ajo oshtinë tej e tej, duke na shpërfaqur tablo të gjalla ngjarjesh e betejash, mbushur me heroizëm e mbijetesë, nostalgji e përjetësi, gjithherë me porosi për sot e për nesër.
         Se poezia lirike nuk është thjesht një shfrim ndjenjash momentale, por edhe një perceptim e një shënjues ngjarjesh të caktuara kohore, është vërtetuar që nga lashtësia. Poezia thotë shumë në pak kohë,- shprehet Bukowski. Këtë e dëshmon bindshëm poeti drenicas, Faik Smajli që i përjetësoi në vargje ata që i dhanë jetë LIRISË!
 
            * * *
            Dashuria si koncept filozofik dhe si ndjenjë që e mban gjallë gjithë globin, madje edhe yjet në qiell, ka qenë dhe mbetet tema më e parapëlqyer në letërsi, që nga muzgu i antikitetit të mjegulluar. Madje, vargjet e para për të i hasim në librin e shenjtë të Biblës. Për të kanë shkruar poetët më të mëdhenj botërorë, duke u bërë edhe vetë të pavdekshëm. Për të shkruajnë edhe sot e gjithë ditën.
            Shigjetës së Kupidit nuk i shpëtoi dot as poeti Faik Smajli, ndonëse jo me përkushtimin e dy cikleve tjera. Në këto lirika dashurie (dhjetë gjithsej), edhe pse derdhen ca vargje më të lëbyra e të një niveli mesatar, dashuria na del sinonim i jetës dhe i përtej jetës, i bukurisë dhe i përjetësisë, i dëlirësisë dhe i sakrificës. Një dashuri universale që shndërrohet në amshueshmëri.
          Sidoqoftë, edhe këtu mbizotëron diskursi lakonik, aftësi e përsosmërisë së perceptimit të abstraksioneve në nivelin e sintagmave ekzakte, siç është poezia DASHURI, ku një botë të ter emocionesh, përmblidhet me tre rreshta:
  
Të gjeta
më gjete
humbëm të dy.
(Dashuri)
            * * *
            Larushia tematike që paraqet një mozaik të shkëlqyer ngjyrash, na del më bindshëm në ciklin Të ndryshme.  Këtu, me daltën e artistit, gdhenden vargje për hipokrizinë, për fjalën, për mërgimtarin, për paradokse, për jetën, për lypësin, për plagjiatorët, për vjeshtën, për zogun, për erërat, për nënën, për shpresën, për ëndrrat, për “intelektualët”, për çmendinë, për rebelimin, për fëmijët, për mjerimin, për pendimin, për...
            Pena e tij e mprehtë di t’i thumboi dhe t’i fshikulloi ashpër dukuritë negative të shoqërisë sonë dhe t’i kamxhikoi të babëziturit, hienat, demonët, hipokritët:
 
Sa bukur i thurin nekrologjitë
me kurora lulesh i mbështjellin
dhe “harrojnë” krejt hipokrizitë
që nëpër hijet e veta i mbjellin
(Akt hipokrizie)
 
Në të përfunduar, mund të themi se tashmë ka formuar profilin e vet krijues, me një stil specifik individual. Bota poetike e tij ka taban të shëndoshë e të palëkundshëm kombëtar. Dhe, kjo e përligj mendimin e teorikut frëng, Byfon, kur thoshte: Stili është vetë njeriu!
            Nëse i referohemi thënies së lashtë metaforike se, libri i parë është çelësi për t’i hapur portat e mbretërisë së quajtur LETËRSI, atëherë, lirisht mund të konstatojmë se kësaj ia ka dalë suksesshëm poeti Faik Smajli me librin mjaft premtues DALLGËT E ATDHEUT.
 
Galicë, 2023