ME SYTË NGA QIELLI
"Përtej gardhit,asgja e re",
asgjë ndryshe,qiell pa re,
as shi do bjerë,as do fryjë erë,
pyjet n' flakë, toka skëterrë.
Sytë nga qielli,shpresë te zoti,
i nxehtë valë rrëshqet loti,
me frikë në zemër kërkojmë ndihmë,
shpirti nga brenda hon e greminë.
Mendjedreqosur,zemra mëkatare,
na gënjen shpresa gënjeshtare,
më mirë do jemi,do shkojë më mirë,
e keqja do humbë,do bëhet firë.
Me sytë nga qielli plot përgjërim,
po vetë sollëm shkatërrim!!!
Qielli nga lart shtjellë uragan,
robi në tokë zjarr e katran.
I fryjmë zjarrit me sa fuqi,
më pas lutemi të bjerë shi,
por "çorbën" që vetë ke gatuar,
përtype,gëlltite o i uruar.
Se Zoti i madh i madhëruar,
të dha një mendje "të ndriçuar",
jo për të liga e prapësi,
por ta meritosh emrin "Njeri".
ZAPTIM...
Gjysmë të vdekura,
gjysmë të gjalla,
gjysmë të rëna
pishat rënkojnë.
Faji i tyre që tokën kanë zënë,
ndërtesa pa fund
s'na lenë të ndërtojmë!!!
Gjysmë të blerta,
gjysmë të zbehta,
gjysmë të prera
pemët mbijetojnë,
me heshtjen e tyre,
stoike,mbijetuese,
mbi çdo mizori njerëzore
protestojnë.
Dhe njerëzit vazhdojnë,
tokën mbretërojnë
dhe pemët rënkojnë,
gjysmë në jetë,
gjysmë në vdekje,
në heshtje durojnë,
sikur ndihmë kërkojnë.
COPËTIM
Dhe një hektar
dhe një dynym
dhe pak këtu
dhe pak atje,
u copëtove vendi im,
u katandise o atdhe.
Dhe dy-tri metra
dhe një pëllëmbë
dhe një copë tokë
dhe një copë det,
u ndave keq si me parcela,
mëshirë për ty,kush do të ket?!