KA PLAGË QË NUK MBYLLEN, POR ATO MBAHEN ME DINJITET.MIGEL FLOR
Në poezinë bashkëkohore shqiptare, një pjesë e rëndësishme e kërkimeve, studimeve poetike është zhvendosur drejt erotikës së jashtme ,pa u thelluar në qasjet filozofike, në analizën e mjeteve që përdoren në strukturën etike dhe estetike. Në këtë horizont estetik dhe etik, krijimtaria poetike e Migel Florit shfaqet si një hapësirë ku përvoja njerëzore strukturohet: jeta bëhet tekst, trupi kthehet në arkiv aktiv dhe kujtesa merr formën e një etike të re. (Profesor Doktor Agim Sallmani “Luaneshat nuk veshin taka” ,libri i pestë i Migel Flor.)
Poezia e Migel Flor nuk ndërtohet mbi idenë e përsosmërisë, por mbi bindjen se plagët mund të shndërrohen në shenja orientimi; se dhimbja mund të përkthehet në gjuhë dhe gjuha të funksionojë si mënyrë mbijetese.
Një pjesë e kritikës letrare e ka lexuar poezinë e Migel Florit kryesisht përmes prizmit të trupit, kujtesës dhe spiritualitetit. Ky lexim, është i vlefshëm, por do mundohem ta pasuroj këtë lexim duke e zhvendosur fokusin drejt mekanizmave të ndërtimit të subjektit lirik: si ndërtohet ky subjekt, çfarë instrumentesh poetike përdoren dhe si organizohet përvoja në strukturë poetike.
Poezia e Miguel Florit është jo vetëm poezi e ndjenjës së rrëfyer, e dhimbjes , e identitetit çam por poezi e përvojës së strukturuar. Në këtë kuptim, plaga ,heshtja funksionon si veprim etik; kujtesa shfaqet si përgjegjësi morale; dhe rituali poetik zëvendëson ritualin shoqëror .
Një nga instrumentet kryesore të kësaj poetike është antiteza semantike midis dheut dhe asfaltit. Kjo antitezë nuk shfaqet si slogan, as si figurë e drejtpërdrejtë proteste. Në poetikën e Migel Florit ndjehet tension i brendshëm strukturor që prodhon vetë subjektin lirik. “Asfalti” si shenjë e modernitetit urban funksionon si sipërfaqe që lodh trupin dhe prodhon plakje, lëvizje të pandërprerë dhe raskapitje me lodhje.
Në këtë pikë, poezia e Miguel Florit lidhet qartë me mendimin e Zygmunt Bauman-it mbi modernitetin ku subjekti është vazhdimisht në lëvizje, pa mundur të ndërtojë një jetë të vendosur në hapësirë.
Kjo e vendos poezinë e saj brenda një dhimbjeje ballkanike shumë specifike. Pas viteve ’90, poezia e rajonit e ka kthyer lëvizjen, mërgimin dhe humbjen e tokës në një nga temat themelore. Migell Flor e trajton këtë përvojë përmes shenjëzimit konkret, duke aktivizuar një instrument tjetër poetik: leksikun etnobotanik dhe etnografik. Rigoni, mollezi, murrizi, bimësia dhe objektet e jetës së hershme shërbejnë si rrënjë gjuhësore.
“Zemër Çame “ nuk thjesht një poezi për nënën ,as për Çamërinë, kjo poezi është një strukturë poetike ku dhimbja bëhet gjuhë, ku identiteti kolektiv përkthehet në ritëm ,në mënyrë jetese madje ngrihet në nivel universal .Subjekti poetik, vetë poetika e Migel Flor ,nuk zhvishet nga rrënjët e saj kulturore por i përcjell i trashëgon ato.
Subjekti lirik në poezinë e saj prodhohet pikërisht nga përplasja midis tokës dhe asfaltit, dhe kjo përplasje shfaqet si teknikë poetike: trupëzim i kujtesës, antitezë materiale dhe leksik rrënjor.
Heshtja është një tjetër instrument qendror i kësaj poetike, sepse plaga flet vetë.
“ Plagët janë gozhda të thella
Të ngulura në trup
të karfosura në shpirt
Të gjakosura në zemër.
Si vrima që rrjedhin papushim.”
Ndryshe nga shumë poezi bashkëkohore që bien në retorikën e trishtimit dhe klithmën e zëshme, Migel Flor ndërton një regjim të heshtjes. Kjo heshtje është formë e dendur e pranisë. Kur autorja shkruan se ndez qiriun për heshtje, ajo gëzimin e zhvendos dhe i jep kuptim, kuptimi i heshtjes është akt i brendshëm besnikërie ndaj kujtesës.
Në këtë mënyrë, poezia për nënën ndërtohet si ritual që pranon mungesën si realitet.
Migel shkruan :
“Ka data që trokasin”
Ky varg është situatë ekzistenciale: koha shoqërore shënon festa, ndërsa subjekti lirik përballet me boshllëkun. Data nuk është më ditë; ajo shndërrohet në prag që nuk kalohet.
Kështu, heshtja e Miguel Florit është forma më e lartë e të folurit. Migel Flor pranon se ka plagë që nuk mbyllen, por që mund të mbahen me dinjitet.
Teuta Sadiku