REEMA HAMZA - IRAK
TË PAPRITURAT E NJË AGIMI QË PO AFRON
-Vizioni-
Nuk pashë njëmbëdhjetë yje
por një tablet, teksa nga jehona tingëllonte,
aty, ku agimi me delikatesë përthyhet:
Vajzat në lëndina
duart me Zotin nën një himn shtrëngojnë.
INTERPRETIMI
1. Ku Këndon Agimi:
Aty, ku agimi frymë nis të marrë,
vajzat gërshetat e tyre mbjellin në tokë
dhe kallinjtë zgjaten,
duke sjellur buzëqeshjen e parë të diellit.
2. Të Prekësh Pafundësinë:
Kur kënga lart ngrihet,
lëndinat, vajzat dhe qielli
në një dorë të vetme bashkohen
e përjetësinë përshëndesin.
3. Lëndina Pafajësie:
Përballë agimit,
lëndinat rrëfimin e vajzave mërmërisin,
çdo lule të firmosur
me bojën e një kënge.
4. Betimi i Shenjtë:
Një vajzë nën qetësinë e mëngjesit
emrin e Zotit në vargje këndon
dhe shiu,
bindshëm, fillon të bjerë.
5. Një Agim Pa Fund:
Aty ku agimi Hyjnoren takon,
vajza në poezi shndërrohet,
dhe fushat lulëzojnë
në këngë që harrojnë si të mbarojnë.
6. Melodia Ugaritike:
Aty, ku lind mëngjesi,
Ugariti fillin e shpresës
në një tel endacak shtrëngon.
Vajza këndon
e fushat dritën riorganizojnë,
sikur shkronjat e para të botës
sërish të rilindnin.
*Ugariti: Qytet antik në bregun sirian i cili lulëzoi në mijëvjeçarin e dytë para Krishtit, i njohur për alfabetin e tij më të hershëm dhe muzikën e regjistruar.
Përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistave fizike: MIRIADE, NUANCES ON THE PANORAMIC CANVAS, BRIDGES OF LITERATURE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese