Dibran Fylli - Cikël poetik

Dibran Fylli - Cikël poetik
Cikël poetik nga libri “sikur t’isha hije”
 
Ditari poetik
 
...Të kam në bebëzat e syrit 
syri se ç’më loton mëngjes e mbrëmje
mëngjes e mbrëmje shikoj në pasqyrë
portretin tënd si një mjellmë.  
 
Të kam në mendje përherë
shikimi më fluturonte tej oqeanit përvëlues
silueta yte shtrihet ne syprinë,
 
Kur muza më pushon
imagjinoj puthjet tona
që pena skalit vargëzimin në buzë.
 
Nëpër orë letrare thur vargun si Esenini
Ana, ti më je e vetmja temë
mall, dashuri e brengë. 
 
Sikur jeta të me falë shekujt
nuk di a do mjaftonin
 ta përfundoi ditarin tim poetik
 
Tani më fytyrë të rrudhosur
shëtis parkun e qytetit
rrugëve që hapëruam së bashku.
 
Bashkë me zogjtë shtegtar
flasim për vitet që lamë pas
kujtimet mbesin në sirtarin e mendjes.
 
Princi i ëndrrave tua
nuk mund të merr frymë
as të jetoi pa ty
se të kam në bebzë të syve!...

 
Vetmia
 
Të ndaloi para portës   
Ku për herë të parë dashurova
Mendja e shpirti përvëlojnë
Ngela ne shkretëtirën e pafund
Vetmia është foleja e mendimeve.
 
Një fytyrë engjëllore
Tani në ballë të rrudhosur
Flokë të thinjura e duar të mplakura
Kujtojnë ditët e lumtura rinore
Vetmia është foleja e mendimeve
 
Të kujtoi rinin e ditët e lumtura
Muajt e vitet e pranverës me lule
S’mund të mos kujtoj buzët e ëmbla
Që më ujisnin dashurinë shpirtërore
Vetmia është foleja e mendimeve
 
Dikur rrëshqisja poshtë trupit të saj
Pushim bëja mbi gjoksin e thepisur
Aromë dashurie ngopesha
Etjen shuaja ne oazën trekëndore
Vetmia është foleja e mendimeve
 
Sot mallin e shuaj kur shoh portretin tënd
Duart me dridhen e shpirti më ligështohet
Lutem që të kthehem në ditët e rinisë
Që edhe njëherë ta shuaj etjen time
Vetmia është foleja e mendimeve
 
Portreti yt
 
Emri yt me pak shkronja
është gdhendur në vargjet e mia
jeton thellë në shpirtin tim
flas e shkruaj për imazhin tënd
 
Mbeti në sirtarin tim të jetës
në magjen e bibliotekës sime
aty ku zë vend fjala e shkruar
je gjithmonë personazh i papërfunduar.
 
Aty ku është dashuria,
aty ku jeton magjia
aty në mua je ti
aty si margaritar që shndrit
në vend të shenjtë,
të ndryj si relikt i çmuar...

 
Ndjenja
 
Faqeve më rrëshqiti një kokërr loti
më tradhtoi ndjenja e dashurisë
shpirt vrarë mbeta në qoshe të dhomës
ike, tashmë nuk po të kërkoj labirintheve
 
Ndjenja e zjarrtë nuk shuhet aq lehtë
në zemër troket mëngjes e mbrëmje
padashje të ngacmon shpirt e zemër.