Rubjana Nika
GJUHËZJARR
Gjuhët e zjarrta lëpijnë qiellin,
si demonë fluturakë,
ndryshojnë ngjyrën kaltëroshe,
mbi qytete shkrumb e flakë.
Nuk janë lojëra fëminore,
fishekzjarre qiellndriçuar,
janë përbindësha dore njerëzore,
grabitës ëndrrash,natëzgjuar.
Janë krijesa monstruoze,
pjellë e mendjes djallëzore,
s'duan paqe e zhvillim,
por kthim pas,heshtje mizore.
Nuk është flaka e Prometeut,
mbushur dije e mirësi,
është flakë dalë nga ferri,
zhduk njerëzoren shkrumb e hi.
Nuk është flakë e dalë shpirtit,
që ngroh zemra akulluar,
është flakë botëshkrumbuese,
del nga mendja e mallkuar.
S'është flakë që ngroh në të ftohtë,
e bekuar,falë nga Zoti,
është flakë e sajuar,
flakë që s'e shuan as loti.
Është flaka e padijes,
pjellë e shpirtit të mallkuar,
përbuzësh ndjenjash e zhvillimit,
fatin e botës mban në duar.
BRITMA
E kush e dëgjoi,
kujt zemrën ia lëndoi,
kujt shpirtin ia copëtoi,
kush dhimbjen ia besoi,
kjo britmë që ajrin vibroi?
Vallë kush e shikoi,
fytyrën që pamje ndërroi,
syrin e njomë që lotoi,
dorën që ndihmë kërkoi,
kujt shpirtin ia revoltoi?
Po kush e ndihmoi,
njomishten që jetë kërkoi,
për çnjerëzoren protestoi,
dhe qielli vetëtima lëshoi,
por zemrat e ngurosura s'i
depërtoi.