Biografi e shkurtër e Dajë Osman Gecit

Biografi e shkurtër e Dajë Osman Gecit
OSMAN GECI (1943-1998)
 
Osman Geci, i lindur në Llaushë të Skenderajt, ishte biri i Shaban Gecit, daja i Kryekomandantit Adem Jashari. Osmani i qëndroi besnik luftës për liri e bashkim kombëtar, si dhe nipave të vet, që nga dita kur Rifati, Hamza dhe Ademi ia kthyen pushkën pushtuesit serb.

Dajë Osmani kishte qëndrim burrëror dhe i vendosur në qëndrimet e veta me dukje prej mashkullores. Ishte njohës i shkëlqyer i historisë së popullit shqiptar dhe i luftërave kaçake.
Që nga viti 1981, Dajë Osmani, kudo që ndodhej, nëpër oda, tubime e manifestime ishte ligjërues dhe këshilldhënës se si duhet bërë luftën kundër pushtuesit serb, në fakt ishte kënaqësi ta dëgjoje tek fliste për historinë e lavdishme të shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë. Për luftën e trimave që kishin luftuar e po luftonin kundër okupatorit serb dhe bashkëpunëtorëve të tyre.
Meqë, pushtuesi serb i kishte rënë në gjurmë, Dajë Osmani që i detyruar t'ia vërë armën krahut dhe t'iu ngjitet maleve të Drenicës bashkë me nipat e tij.

Ky burrë Drenice, shumicën e kohës e kaloi në Prekaz, te nipat e tij, duke u bërë pjesë e pandarë e grupit të parë të armatosur të Adem Jasharit.

Një natë para Epopesë së Lavdishme të UÇK-së, më 5 mars 1998, Dajë Osmani së bashku me nipin e tij Ademin, u nisën prej fshatit Ticë për në Kullën e Qëndresës në Prekaz. Aty, së bashku me dhëndrin e tij, Shabanin, me nipat Hamëz e Adem Jashari dhe anëtarët e tjerë të Familjes Jashari, për tri ditë rresht luftuan kundër makinerisë policore e ushtarake serbe dhe ranë heroikisht.

     __________________________________________________
1)     Dibran Fylli, “Prekazi brezni trimash-Ai është i gjallë” f.18-20; LSHK, 2012