Kumrie Shala - Ese dhe poezi

Kumrie Shala - Ese dhe poezi
Të vërtetat  pse po heshtën:
 
KUSH E SOLLI LIRINË DHE KUSH PO E HARRON ?
 
Nga: Kumrie Shala – Pejë
(Profe, poete, gazetare, themeluese e Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve për Kosovë, anëtare në Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur, motër dëshmori, luftëtare e lirisë, Udhëheqëse e Kategorive te Luftës D.M.S. ne Komunën e Pejës )
 
Në historinë e një kombi, disa emra shkruhen me gjak. Liria që e gëzojmë sot, nuk erdhi vetvetiu dhe as nuk është rezultat i ndonjë projekti kulturor, apo ndonje revistë shkollore, për fëmijë, apo programe festive të propagandistikes. Ajo është ndërtuar mbi sakrificën e qindra e mijëra njerëzve, të cilët i dolën zot tokës dhe identitetit kombëtar në kohët më të errëta. Dhe janë pikërisht ata, dëshmorët, martirët, të zhdukurit, të dhunuarit, invalidët dhe të burgosurit politikë, që mbajnë peshën e këtij shteti.
Megjithatë, me dhimbje po vërej se sot, në emër të lirisë, po shkruhet një tjetër histori, një histori që shpesh është e rrejshme, selektive, e mbështetur në lidhje partiake, në interes personal e në pazare. Rrugët e qyteteve tona po mbushen me emra që nuk janë pjesë e sakrificës, të cilët ndoshta as vetë familja nuk i njeh si kontribuues. E ndërkohë, shumë prej atyre që flijuan gjithçka për lirinë, mbesin të pazëshëm në hijet e harresës.
Si është e mundur që të flijuarit për atdheun të mos përmenden askund, përveçse në një listë të thjeshtë si "dëshmorë"? A nuk është ky një mëkat i rëndë ndaj atyre që na dhanë të drejtën të flasim sot lirisht?
Po ndodh një shpërfytyrim i historisë. Shumë emra të rrugëve, shkollave apo institucioneve vendosen pa kritere të qarta, ndoshta për hir të miqësive, parasë apo ndonjë agjende të fshehtë politike. Po krijohet një realitet i rremë ku të pavlerët po bëhen “heronj”, ndërsa heronjtë e vërtetë mbesin të harruar.
Kjo nuk është thjesht padrejtësi. Kjo është dhunim i së vërtetës historike.
Është e domosdoshme të kujtojmë se kontributi për lirinë nuk matet me numrin e faqeve të një reviste, as me zhurmën mediatike. Ai matet me qëndresën, me sakrificën, me plagën që nuk shërohet. Disa kontribuuan me mësim nëpër shtëpi, me financim të shkollës shqipe, me shpërndarje gazetash, dhe për këtë duhet të respektohen . Por nuk mund të vendoset në të njëjtin peshore një jetë e flijuar dhe një artikull i shtypur.
Nuk jam kundër askujt. Nuk shkruaj nga inati. Por më dhemb padrejtësia që u bëhet dëshmorëve tanë. Emra të panjohur, pa rrënjë në trungun e sakrificës kombëtare, sot marrin nderime të padrejta edhe ato nderime nga "shteti", ndërsa emrat e mëdhenj heshtën po ashtu nga shteti. Për këtë padrejtësi, nuk mund dhe nuk duhet të heshtim, sepse përkrahim antivlerat.
E vërteta historike nuk është pronë e askujt. Ajo nuk mund të shitet, të blihet apo të interpretohet sipas interesit personal. Shkrimtari, gazetari, poeti -duhet të jenë zëri i drejtësisë, jo zëri i porosive me pagesë. E vërteta nuk është komerciale.
Ka libra të mjaftueshëm që dëshmojnë kontributin e arsimtarëve dhe profesorëve që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Libri “Arsimtarët, profesorët dëshmorë dhe martirë që ranë në luftën e UÇK-së” i autorëve Qazim Berisha dhe Zumer Mehani, si dhe veprat e komandantit dhe profesorit dr. Sbahajdin Cena, edhe disa libra të tjera, janë dëshmi të gjalla të vlerave të shpërfillura.
Mësuesit dhe profesorët shqiptarë u rrahën, u burgosën, u masakruan – vetëm pse e mbanin gjallë gjuhën, identitetin dhe dinjitetin kombëtar. Ata janë shtyllat që ndërtuan themelet e këtij shteti. Nuk ka nder më të madh sesa të ruash kujtimin dhe emrin e atyre, qe dhanë jetën për lirinë e shteti Dardan.
Kemi nevojë për ndershmëri, për përgjegjësi, për kritere. Mos i përzini komisionet për emërtimet me militantë partie. Mos e përdorni patriotizmin si fasadë për përfitime. Mos krahasoni UDB ashet shqipfolës me patriotet e kombit. Mos i bëni mizat bull, sepse vlerat e kombit janë të shenjta.
Duhet të dimë mirë çfarë dhe për kë po shkruajmë. Nuk shkruhet historia për qejf, dhe nuk përmbushet detyra kombëtare me shkrime të paguara, qe ti mbuloj pisllëqet e bëra dikur, sado  von e vërtet del ne shesh . Vetëm e vërteta qëndron në kohë. E gjithçka tjetër, bie dhe harrohet.
.......................................................
 
Poezi
 
DASHURI E MARRË
 
Shikoja me dhimbje kokrrat e syve të tu,
Që lagën faqet, duke iu frikësuar vdekjes.
Por unë nuk do të të lë as atëherë…
Engjëjt më alarmuan
Se do të qash mbi kokën time,
Do të më fërkosh ballin e ftohtë,
E shpirti im do të të shikojë nga larg,
Duke u kacavjerrur në qafën tënde,
Që edhe i vdekur, nuk do të të lë.
 
Sepse ti më dhe, qetësi e dhimbje,
Më dhe vuajtje e dashuri,
Më dhe çfarë doja e çfarë nuk doja,
Më dhe gjithçka…
Ne, këtë e quajtëm dashuri të marrë,
Të jashtëzakonshme, të ëmbël, të çmendur përjetësisht.
Ti më çove të prek yjet,
E ti më çove në prag të vdekjes…
Por edhe frymën e fundit ti ma dhe,
Ti, dashuria ime e marrë dhe unike.