MJEKU I URAVE TË PADUKSHME: AMARILDO HILA DHE FORCA E DIALOGUT KULTUROR
-Intervistë nga Sabina Darova-
Sabina D: Kush është dr. Hila?
A. Hila: Quhem Amarildo. Kush jam unë?
Një pyetje e vështirë dhe e lehtë njëkohësisht. Jam një mjek i ri që, krejt papritur, është dashuruar me Mjekësinë Territoriale. Aktualisht kryej disa funksione në ASL-in tonë të Astit.
Jam drejt përfundimit të Kursit të Formimit në Vazhdimësi në Mjekësinë e Përgjithshme. Aktualisht punoj në Shërbimin e Vazhdueshëm të Kujdesit Mjekësor dhe në Ambulatorin I.S.I.
Për gati dy vjet kam punuar gjithashtu në Urgjencë si mjek për rastet me “kode të bardha”. Kam kaluar gjithë jetën në Firence dhe studimet universitare i kam kryer në Chieti, në Abruzzo. Ndërsa në Piemonte jam tashmë prej pak më shumë se pesë vjetësh, për arsyen më të bukur: sepse u martova me një vajzë cuneese “doc”!
Sabina D: Ti i përket brezit të dytë të emigracionit shqiptar. Cilat janë anët pozitive dhe ato negative që ke përjetuar?
A. Hila: Anët pozitive janë pa dyshim fakti që mund të mendoj njëkohësisht në dy gjuhë, gjë që më ka ndihmuar shumë të mësoj edhe të tjera. Flas pa asnjë vështirësi spanjisht, anglisht, shqip dhe italisht, ndërsa di pak rumanisht dhe arabisht.
Një tjetër anë pozitive është se kam një këndvështrim shumë të gjerë mbi jetën, që më ndihmon të vlerësoj gjithmonë më shumë aspekte të realitetit, pikërisht sepse jam bir i më shumë se një kulture.
Ndërsa për anët negative do të thosha se gjithmonë jam ndier “as mish as peshk”, edhe pse kam kaluar gjithë jetën në Itali. Edhe pse sot jam pjesë aktive dhe e integruar e shoqërisë italiane, nuk mund ta mohoj që gjatë gjithë adoleshencës kultura e prindërve të mi ka ndikuar shumë në formimin tim si njeri.
Sabina D: Çfarë është shërbimi mjekësor ISI?
A. Hila: Ambulatori ISI është akronimi i Informazione e Igiene Salute Immigrati (Informacion dhe Higjienë Shëndetësore për Emigrantët). Është një shërbim i lindur në fillim të viteve 2000 dhe fillimisht ishte menduar si një lloj “roje mjekësore për personat pa dokumente”.
Pra, posaçërisht për emigrantët në situatë të parregullt, për ata që nuk kanë asnjë dokument ndërsa ndodhen në territorin italian. Me kalimin e viteve është zhvilluar, duke u kthyer në një Ambulator ku unë jam në çdo kuptim Mjeku i tyre Kurues.
Sabina D: Çfarë vështirësish has në menaxhimin e këtij shërbimi?
A. Hila: Vështirësitë janë të shumta. Duke filluar nga fakti që, përveç vendeve të Europës politike, si pacientë kam përfaqësues të pothuajse çdo shteti të planetit Tokë.
Kështu që duhet të di të menaxhoj çdo gjuhë, çdo kulturë, çdo zakon e traditë që, në mënyrë të pashmangshme më del përpara ndërsa ushtroj profesionin e mjekut.
Sabina D: Çfarë tipologjie kanë pacientët gjatë shërbimit dhe cilat janë vështirësitë që paraqiten?
A. Hila: Tipologjia është jashtëzakonisht e larmishme si për nga numri i vendeve, ashtu edhe për nga “lloji i të huajve”. Ka njerëz që ndodhen në Itali thjesht “në kalim”, sepse synojnë të shkojnë në vende të tjera evropiane, por ka edhe të tjerë që dëshirojnë të qëndrojnë, të integrohen e të ndërtojnë jetën e tyre këtu.
Sabina D: Cilët janë të mirat dhe të metat e pacientëve shqiptarë?
A. Hila: Do të nis duke thënë se shqiptarët i përkasin lëvizjeve të grupeve të qëndrueshme, atyre që zakonisht vendosin të ndërtojnë një jetë në Itali. Të mirat janë padyshim respekti që kanë për figurën e mjekut, një veçori që mund të krahasohet me atë që kishte italiani mesatar para më shumë se pesëdhjetë vjetësh.
E metë mund të quhet fakti që shumë prej tyre hasin vështirësi për t’u përshtatur me një sistem shëndetësor shumë të ndryshëm nga ai që ekziston në Shqipëri, dhe kjo shpesh është një pengesë e dukshme.
Sabina D: Si funksionon shëndetësia italiane në raport me pacientët e huaj? Dhe a je ndier ndonjëherë pjesë e “të huajve” në ushtrimin e rolit tënd si mjek me origjinë shqiptare?
A. Hila: Në këtë pikë nuk mund të them veçse fjalë vlerësimi për Italinë. Sistemi shëndetësor italian gjen gjithmonë një zgjidhje, edhe për rastet më të vështira e komplekse.
Askush nuk mbetet pa dëgjuar apo pa ndihmë mjekësore. Si mjek italian me origjinë shqiptare, kjo më ndihmon shumë të krijoj ura emocionale të forta me pacientët, gjë që më lejon të ndërtoj marrëdhënie pune edhe më të mira.
Sabina D: Si e sheh veten, dr. Hila, në të ardhmen?
A. Hila: Pyetje shumë e bukur. E shoh veten si një i rritur që ka familjen si prioritet absolut.
Por e shoh edhe si mjek që nuk do të ndalojë kurrë së ushtruari profesionin më të bukur në botë, duke u përpjekur, në përmasën time të vogël, të bëj diçka më shumë për pacientët, për kolegët dhe, pse jo, edhe për qytetin e Astit që më ka pritur me kaq dashuri.
Sabina D: Çfarë aspiron të përmirësosh në rrugëtimin tënd si mjek?
A. Hila: Sigurisht, kompetencat e mia profesionale. Nuk do të ndalem kurrë së studiuari dhe së mësuari për të qenë një profesionist sa më i mirë për të gjithë ju.
Nuk përjashtoj asnjë mundësi të re pune apo përvoje në të ardhmen
Përktheu Angela Kosta