Irma Kurti - Babait tim, Hasan Kurti... (Ese)

Irma Kurti - Babait tim, Hasan Kurti... (Ese)
Irma Kurti - Babait tim, Hasan Kurti... (Ese)
 
Nuk dua t’i kujtoj përvjetorët e ikjes tënde baba, sepse e di se një datë mund të shkaktojë plot dhembje dhe lot; ajo mund ta thellojë aq shumë mungesën tënde sa ta transformojë në humnerë. Nuk dua as ta përmend datën kur ti u nise në udhëtimin pa kthim. Atë ditë do të doja të mos e jetoja, të mos ekzistoja… Do të doja të mbyllja sytë dhe të sillja ndërmend buzëqeshjen, ëmbëlsinë, përqafimin tënd, ku ndihesha e mbrojtur dhe e paprekshme nga marrëzitë e botës. Më ka marrë malli të jem edhe një herë në krahët e tu: ai përqafim ishte i madh, i pafund, i mblidhte të tëra brishtësitë e mia dhe atje padrejtësitë dhe çmenduritë e botës nuk arrinin dot.
Ti i mbaje në dorë poezitë e mia të para si gonxhe ende të paçelura dhe me to trokisje në dyert e redaksive të revistave. Sa dyer rrinin të mbyllura, por sa të tjera i hape ti duke më treguar rrugën, ku vazhdoj të eci sot.
Është e pabesueshme sesi rrjedh koha, me një ritëm të çmendur, të paperceptueshëm, por mendimi për ty, kur takoj dhembjen apo kur përjetoj një gëzim është i përhershëm, i pranishëm, i fortë si prania jote.
Sa herë e kam pyetur veten sesi do t’i jetonit ti dhe mami këto kohë të çmendura? Këtë kohë sëmundjesh, pandemish, lufte? Këto kohë kur njerëzit largohen gjithnjë e më shumë nga njëri -tjetri, kur dialogu është venitur dhe është zëvendësuar nga zënkat, mllefet, urrejtja, buçima e armëve. Një gjë e di me siguri: do të kishit kaluar net të gjata pagjumë, të turbullta, të paqeta, së pari nga preokupimi për ne, bijat tuaja.
Baba, dua të them se më mungojnë shumë bisedat tona të gjata për letërsinë, për krijimtarinë, dua të them se deri më sot s’kam gjetur askënd që të më dëgjojë pa u lodhur siç dije të bëje ti, siç më inkurajove ti deri në frymën e fundit të ekzistencës tënde. Dua të të them se nuk ka ditë që nuk të mendoj ty dhe mamin, se ju të dy jetoni thellë në shpirtin tim, atje ku strehohen  dashuritë më të mëdha, ato që nuk vdesin kurrë…

 
IRMA KURTI
Me rastin e përvjetorit të ikjes përgjithmonë të babait tim të shtrenjtë, Hasan Kurti, mjek & autor librash