Nga Francesca Gallello - Shtatori fatkeq i Skifter Këlliçit (Përktheu Angela Kosta)

Nga Francesca Gallello - Shtatori fatkeq i Skifter Këlliçit (Përktheu Angela Kosta)
SHTATORI FATKEQ I SKIFTER KËLLIÇIT: KUJTESË, DENONCIM DHE SHPRESË - BOTIMET VELIERO APS (ITALI)
 
Nga Francesca Gallello Gabriel Italo Nel Gomez - editore VELIERO aps
 
Me emocion të madh njoftoj botimin, në edicionin e shtypur dhe digjital në Amazon e Kindle, të romanit Shtatori FatkeqSkifter Këlliçit, autor dhe figurë publike me origjinë shqiptare, që ka shënuar historinë kulturore dhe gazetareske të vendit të tij dhe sot jeton në Shtetet e Bashkuara.
Shtatori Fatkeq është një vepër që ndërthur trillimin dhe kujtesën, e frymëzuar nga tragjedia e 11 shtatorit. Përmes personazheve imagjinarë dhe rindërtimeve narrative, Këlliçi na udhëheq mes hijeve të Kullave Binjake, brenda çasteve pezull të një dite që ndryshoi botën. Zëri i gazetarit Sokol Kama bëhet simbol i detyrës morale për të treguar, duke u dhënë dinjitet viktimave dhe duke e shndërruar heshtjen në dëshmi.
Autori vendosi ta shkruajë këtë roman gati dhjetë vjet pas sulmit, i shtyrë nga përvoja e tij personale si roje sigurie në aeroportin Logan të Bostonit, nga ku u nisën avionët e rrëmbyer. Askush nuk kishte guxuar ende ta rrëfente në formë letrare këtë ngjarje: Këlliçi e bën me thjeshtësi dhe forcë, duke zgjedhur letërsinë si hapësirë kujtese.
Kur mora dorëshkrimin, e pranoj se nuk isha krejtësisht e bindur. Titulli më bënte të mendoja për një nga librat e shumtë mbi 11 shtatorin. Por mikja e dashur, gazetarja, përkthyesja, promovuesja ndërkombëtare, poetja dhe drejtoresha e revistës letrare Miriade, Angela Kosta, duke njohur vlerën e autorit dhe të veprës së tij, më inkurajoi ta lexoja dhe të mos e refuzoja, edhe pse isha e mbushur me angazhime. Kështu, duke lexuar faqet e para, u pasionova menjëherë: historia më pushtoi dhe më preku. E lexova librin me një frymë, me dëshirën për ta sjellë tek lexuesit italianë.
Si drejtoreshë e Veliero APS, një shtëpi botuese e vogël e lindur për të ruajtur bukurinë dhe të vërtetën dhe për t’u dhënë hapësirë autorëve me vlerë, jam kujdesur, (së bashku me bashkëpunëtorët e mi të vlefshëm), për çdo detaj: që nga përkthimi nga anglishtja në italisht, faqosja, e deri tek kopertina, e brishtë por e fortë njëkohësisht. Botimi i këtij libri do të thotë t’u ofrojmë lexuesve një gjest drite, një ftesë për të kujtuar jo për të rihapur dhimbjen, por për t’i dhënë formë heshtjes.
Romani nuk kufizohet vetëm në rrëfimin e 11 shtatorit: është një mozaik jetësh, emocionesh dhe kulturash që bashkohen në një moment tragjedie globale. Historia e Steve dhe Jacqueline, e ndërprerë në prag të martesës, bëhet simbol i të gjitha jetëve të ndërprera. Amerika multikulturore shfaqet si një tokë mikpritjeje, ku njerëz me origjina të ndryshme takohen dhe i rezistojnë fanatizmit. Shkrimi i Këlliçit është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë, por kurrë banal. Çdo fjalë është përzgjedhur me kujdes, çdo skenë është ndërtuar për të lënë gjurmë. Nuk kufizohet vetëm në rrëfim: denoncon. Tregon mangësitë e sistemit, lëshimet, por e bën me ekuilibër dhe respekt, duke u përpjekur më shumë të kuptojë sesa të akuzojë.
Skifter Këlliçi (Tiranë, 1938) është shkrimtar, publicist dhe komentator i njohur sportiv i Radiotelevizionit Shqiptar, ku ka punuar nga viti 1959 deri në vitin 1999. I diplomuar në letërsi në Universitetin e Tiranës, që nga viti 1999 banon në Boston. Është autor i shumë romaneve me tematikë historike dhe veprave për fëmijë, ndër të cilat Në gjurmë (1972), nga i cili u realizua filmi i shpërblyer në Festivalin e Giffonit. Ka shkruar tekste dedikuar futbollit dhe skenarë për kinemanë, duke konfirmuar kështu shumëllojshmërinë dhe angazhimin e tij kulturor.
Shtatori Fatkeq është një vepër që prek, ngre pyetje, frymëzon. Është një homazh për viktimat e 11 shtatorit, por edhe një himn për qëndrueshmërinë, diversitetin dhe shpresën. Në një kohë kur kujtesa rrezikon të zhduket, ky roman na kujton se kujtesa është një akt drejtësie. Veliero APS është e nderuar t’u ofrojë lexuesve këtë zë, me bindjen se letërsia mund të ndriçojë ende atë çka historia ka errësuar.

 
Le t’i bëjmë disa pyetje autorit:
 1 – Çfarë ju shtyu të shkruante një roman të frymëzuar nga një tragjedi universale si 11 shtatori?
Më shtyu vetë tragjedia e atij dite të tmerrshme, një pjesë të së cilës e përjetova personalisht duke punuar si punonjës sigurie në një pikë kontrolli të Aeroportit Ndërkombëtar të Bostonit. Në atë vend pashë të kalonin pesë të rinj me pamje arabe: ishin aq të çiltër, aq të buzëqeshur, dhe askush në atë moment nuk do ta kishte menduar se mund të ishin terroristë, gati për të rrëmbyer një avion dhe për të goditur njërën nga Kullat Binjake të Nju Jorkut. Ashtu si pesë të tjerë, që do të rrëmbenin një avion të dytë për të goditur Kullën tjetër.
Po atë ditë, duke parë në televizion Bin Ladenin që mburrej me krenari se tragjedia ishte vepër e Al Kaedës, mendova se ai mund të bëhej një nga personazhet e një romani të ardhshëm. Fillova të lexoja me kujdes artikujt e gazetave më të mëdha amerikane kushtuar 11 shtatorit, duke mbledhur të dhëna për terroristët. Më pas e ndërpreva punën përgatitore, i bindur se shkrimtarë amerikanë, shumë më të njohur dhe autoritarë, po bënin të njëjtën gjë dhe se veprat e tyre do të kishin një nivel shumë më të lartë se romani që kisha ndër mend të shkruaja.
Kaluan vitet dhe, përveç filmit World Trade Center të regjisorit të madh amerikan Oliver Stone (2006), kushtuar sakrificës së zjarrfikësve që shpëtuan shumë jetë mes rrënojave të Kullave, nuk u shkrua asnjë vepër letrare që të trajtonte drejtpërdrejt ngjarjet dramatike të 11 shtatorit.
Dy vite më vonë, duke lexuar librin Shqiptarët e Amerikës të publicistit të njohur kosovar Vehbi Bajrami, drejtor i gazetës shqiptaro-amerikane Illyria që botohet në Nju Jork, hasa një artikull të gjatë kushtuar tre shqiptarëve: Frrok Camaj, Mon Gjonbalaj dhe Simon Dedevukaj, të cilët humbën jetën në Kullat Binjake më 11 shtator 2001. Zbulova kështu lidhjen midis ngjarjeve në Aeroportin Logan të Bostonit, prej nga u nisën terroristët, dhe atyre në Kullat Binjake të shkatërruara nga avionët e rrëmbyer.
Në pranverën e vitit 2008 fillova të shkruaja romanin, të cilin e titullova Shtatori Fatkeq (Disastrous September). Libri u botua për herë të parë në Tiranë në vitin 2010 nga shtëpia botuese Albin dhe do të ribotohet nga shtëpia botuese Jonalda, gjithashtu në Tiranë. Me ripunime dhe ndryshime? Sigurisht. Një ide interesante m’u sugjerua nga Zylyftar Plaku, botues i “Jonalda”, gjithashtu edhe ai shkrimtar: romani mund të fillonte pikërisht në pikën e kontrollit të Aeroportit Logan, me dialogun enigmatik midis dy terroristëve për mënyrën se si do të realizonin planin e tyre satanik, pa e treguar se si.
Një mëngjes të 8 prillit 2008, ndërsa vazhdoja të shkruaja, dëgjova disa trokitje në derë. E hapa dhe pashë një burrë me shtat mesatar, fytyrë të zbehtë dhe sy gri. Pas një përshëndetjeje të lehtë më pyeti: “Vij nga FBI-ja, ju jeni Skifter Këlliçi?”. Pohova dhe e ftova të hynte, duke menduar se vinte për ndonjë grindje mes fqinjëve. Por nuk ishte polic i lagjes: ishte një agjent i FBI-së, i cili menjëherë më pyeti nëse kisha qenë në një rrokaqiell në kryqëzimin e Washington Street e State Street dhe nëse kisha pyetur se në katet e sipërme kishte punonjës sigurie, ashtu sikurse në katin përdhes. Iu përgjigja “po”, dhe e kuptova se kisha ngjallur dyshime.
Ia shpjegova se isha shkrimtar dhe se po punoja për një roman kushtuar 11 shtatorit. Meqë Kullat Binjake nuk ekzistonin më, doja të dija nëse në atë rrokaqiell 57-katësh kishte një punonjës sigurie, siç kishte pasur ndoshta edhe në Kullat Binjake. M’u duk se u bind. Atëherë mora guximin dhe i thashë se, sikur FBI-ja të kishte pasur të njëjtën vëmendje para 11 shtatorit në pikat e kontrollit të Aeroportit Logan dhe sikur në rregullat e fluturimit të ishte shtuar një nen që ndalonte pasagjerët të merrnin me vete gërshërë, brisk, deodorantë apo shishe, siç ndodhi menjëherë pas 11 shtatorit, tragjedia do të ishte shmangur. Sepse pikërisht këto sende terroristët i përdorën për të neutralizuar stjuardesat dhe pilotët dhe kështu morën nën kontroll avionët. Agjenti i FBI-së nuk foli.
 
2 – Çfarë mesazhi ose reflektimi dëshironi t’u përcillni lexuesve italianë me këtë botim të ri të kuruar nga Veliero APS?
 
Së pari dëshiroj të falenderoj drejtoreshën e kësaj shtëpie botuese, shkrimtaren dhe publicisten Francesca Gallello, si dhe bashkëpunëtorët e saj, të cilët e vlerësuan romanin dhe e botuan kaq shpejt. Dëshiroj që lexuesit italianë të tërhiqen jo vetëm nga ngjarjet e kësaj tragjedie, e cila më 11 shtatorin e ardhshëm mbush 25 vjet, por edhe nga mënyra se si janë zhvilluar në roman, duke u bazuar në të dhëna historike për talebanët dhe filozofinë e tyre, e konkretizuar në personazhe si Bin Ladeni dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, si dhe në të dhëna personale për terroristët, të cilët në roman paraqiten me emrat e tyre të vërtetë.
 
3 – Romani është botuar fillimisht në shqip, pastaj në anglisht, dhe tani në italisht. Si ndryshon, sipas jush, pritja e librit në gjuhë dhe kultura të ndryshme?
Në tekstin në gjuhën shqipe jam përpjekur të përshkruaj ngjarjet me një fjalor sa më të pasur, duke u bazuar në përvojën e shkrimtarëve tanë më të mirë të traditës dhe sidomos të përkthyesve, të cilët e kanë pasuruar gjuhën shqipe me përkthimet e tyre. Natyrisht kjo pasuri është e vështirë të përcillet në përkthimet në gjuhë të huaja, edhe për shkak të fjalëve të reja, por besoj se edhe në anglisht dhe italisht përkthimi tingëllon rrjedhshëm dhe natyrshëm.
 
4 – Cila ka qenë sfida më e madhe në rrëfimin e një ngjarjeje kaq të dhimbshme dhe globale përmes formës narrative?
Shndërrimi i kësaj tragjedie nga një ngjarje thjesht dokumentare në një vepër letrare nuk ka qenë i lehtë për mua, aq më tepër sepse ngjarja ndodhi brenda disa orëve. Një vepër letrare, siç dihet, ka kërkesa të tjera dhe shumë më të vështira sesa kur shkruhet një tekst dokumentar. Uroj t’ia kem arritur qëllimit.
 
5 – Duke jetuar larg Shqipërisë, e ndieni mungesën e rrënjëve tuaja?
Kështu mendoja kur, së bashku me gruan dhe djalin, në mars të vitit 1999 u vendosëm në Boston. Por këtu gjeta miq shqiptarë dhe gjithashtu amerikanë, italianë e rusë, në fushën e letërsisë dhe sportit, pasioni im i dytë, me të cilët takohem rregullisht, sidomos me shqiptarët në klubin e Shoqatës Vatra.
Përveç kësaj vazhdoj të bashkëpunoj jo vetëm me mediat më të njohura shqiptare, me dosierë për ngjarje shumë të rëndësishme të historisë moderne shqiptare dhe të historisë së futbollit shqiptar, por kam botuar edhe disa romane në Shqipëri, ndër të cilët edhe romanin për të cilin po flasim, kushtuar 11 shtatorit.
 
6 – Në ç’mënyrë identiteti juaj shqiptar vazhdon të ndikojë në shkrimin dhe vizionin tuaj për botën?
Nuk do ta kisha menduar kurrë që, duke u shpërngulur në Amerikë, do të vazhdoja të botoja romane edhe me tematika shqiptaro-amerikane, si Shtatori Fatkeq, Një grua mes dy burrave (me temë socio-dramatike, shkruar së bashku me kolegen time amerikane Carrie Hooper dhe botuar gjithashtu në Amerikë), dhe më së fundi C-35 US i rrëzuar në tokën shqiptare, ku rrëfehen ngjarjet e ekuipazhit të një avioni ushtarak amerikan që, më 7 nëntor 1943, u detyrua të ulej në një rajon të Shqipërisë qendrore. Të ndihmuar nga banorët vendas, ata arritën t’u shpëtonin përndjekjeve të ushtrisë gjermane pushtuese dhe, pas dy muajsh, mbërritën në bregdet, prej nga, falë një anijeje ushtarake angleze, u kthyen në Bari, ku duhej të mbërrinin fillimisht.
 
7 – Cili është raporti që mbani sot me komunitetin shqiptar dhe diasporën?
Kam shkruar më sipër, lidhur me këtë çështje.
 
8 – Ju keni qenë ndër radiokronistët e parë sportivë në Shqipëri dhe një zë historik i televizionit. Çfarë kujtimesh ruani nga ajo periudhë?  
Gazetaria sportive radio-televizive ka qenë dhe është pasioni im më i madh pas shkrimit letrar. Në vitin 1958, ende student njëzetvjeçar, krijova në Radio Tirana, Rubrikën Sportive. Një vit më vonë, tashmë gazetar, u bëra radiokronisti i tretë sportiv shqiptar. Në vitin 1966 fillova për herë të parë të komentoj ndeshje futbolli në Televizionin Eksperimental dhe në vitin 1970 themelova gjithashtu Rubrikën Sportive tashmë në Televizionin Shqiptar.

 
9 – A ka ndonjë episod të veçantë nga karriera juaj gazetareske që e mbani ende në zemër?
Sportin ndërkombëtar dhe programe të tjera, ne shqiptarët i ndiqnim nga RAI me antena rudimentare, të cilat në vitin 1973 u ndaluan me urdhër të diktatorit komunist Enver Hoxha, në pushtet deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Në vitin 1972 propozova që ndeshjet sportive, sidomos të futbollit italian dhe botëror, të transmetoheshin edhe nga Televizioni Shqiptar, me pamjet e marra nga RAI dhe me koment sportiv nga unë, përmes kufjeve, për të ndjekur komentet e kronistëve italianë, veçanërisht të Nando Martellinit.
Sportistët shqiptarë, kur komentova ndeshjen Itali–Belgjikë në prill 1972, të zhvilluar në stadiumin San Siro të Milanos, menduan se po e komentoja drejtpërdrejt nga ai vend. Por kur, pas dy orësh, dëgjuan zërin tim që vinte nga stadiumi Wembley i Londrës, ku luante Anglia–Gjermania Perëndimore, kuptuan se po komentoja nga një studio e Televizionit Shqiptar. Ishte vërtet një ngjarje e rëndësishme, sepse nga ai moment ndeshjet nisën të shiheshin edhe në rajonet më të largëta të Shqipërisë, aty ku valët e kanalit televiziv RAI, nuk mbërrinin.
Kur i tregova këto episode Nando Martellinit në një intervistë për Radio Tirana në shkurt 1994, e regjistruar në një studio të një radioje private në Romë, ai mbeti i befasuar dhe i kënaqur.
 
10 – Sa ka ndikuar përvoja juaj si kronist sportiv në stilin tuaj narrativ dhe në aftësinë për të rrëfyer histori?
Miqtë e mi, kur lexojnë ndonjë libër letrar të shkruar prej meje, më thonë shpesh se përshkrimi i ngjarjeve është i mbështjellë me një mënyrë që u kujton rrëfimet plot emocion të ndeshjeve të futbollit në radio ose në televizion.
 
11 – Pas kaq shumë vite shkrimi, gazetarie dhe skenaristike, si do ta përkufizonit sot misionin tuaj si autor?
Do të vazhdojë deri sa të mos jem më në këtë jetë, edhe pse janarin e ardhshëm do të mbush 88 vjeç. Në fushën e sportit kam botuar së fundi librin voluminoz Topi nën pushtetin e tyre, me kujtime, rrëfime, skica dhe analiza në këtë fushë. Kam përfunduar vite më parë edhe disa romane, ndër të cilët A Woman Between Two Men, i shkruar siç e përmenda më lart së bashku me kolegen time amerikane Carrie Hooper, i botuar në Shqipëri dhe në Amerikë. Në versionin amerikan ajo mendon ta propozojë tek Veliero APS, me shpresën që të botohet edhe në Itali, duke qenë se është pritur pozitivisht nga lexuesit amerikanë.
 
12 – Çfarë roli i jepni letërsisë në ruajtjen e kujtesës kolektive të ngjarjeve tragjike si 11 shtatori?
Librat historikë kanë pa dyshim një vlerë të madhe njohëse, por librat letrarë, sidomos personazhet që mbartin këto ngjarje në një nivel të lartë, mbeten shumë më të ngulitur në mendjen e lexuesit. Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939, lexuesi italian dhe shqiptar e ka njohur që fëmijë përmes teksteve shkollore dhe më pas edhe nga libra të tjerë me karakter historik. Por kur lexon romanin e shkrimtarit shqiptar me famë botërore Ismail Kadare, disa herë kandidat për Çmimin Nobel, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, përmes personazheve të një gjenerali dhe një prifti italian që vijnë në Shqipëri për të kërkuar dhe mbledhur eshtrat e ushtarëve italianë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore, kupton edhe vlerën e fortë simbolike të asaj lufte, e cila mbetet edhe më e ngulitur në kujtesë. Shpresoj që edhe romani im Shtatori Fatkeq të ketë një vlerë të ngjashme simbolike.
 
13 – Duke parë karrierën tuaj të gjatë, çfarë konsideroni si kontributin më të madh në kulturën shqiptare dhe ndërkombëtare?
Në kulturën shqiptare besoj se kam kontribuar si kronist sportiv televiziv, siç kam përshkruar më sipër, dhe veçanërisht si shkrimtar që e ka sjellë sportin në letërsinë artistike, me rrëfime, romane, filma dokumentarë dhe artistikë, si dhe me libra publicistikë e shkencorë. Shpresoj që, përveç romanit Shtatori Fatkeq, nëse do të botohen në gjuhë të tjera të huaja, të kenë një kontribut ndërkombëtar edhe romani me temë historiko-antike Sekretet e pallatit të Oktavianit, kushtuar luftërave të Ilirëve, paraardhësit e popullit shqiptar kundër pushtuesve romakë; Dashuri dhe intriga në Olimp, me temë mitologjike iliro-greko-romake, ende i pabotuar si dhe C-35 US i rrëzuar në tokën shqiptare, me temë shqiptaro-amerikane.
 
14 – Çfarë shprese ose mësimi dëshironi t’u lini lexuesve të rinj që i afrohen sot romanit tuaj?
Dëshiroj që ta vlerësojnë si një vepër që artistikisht lë një gjurmë të pashlyeshme mbi një ngjarje kaq tragjike, aq më tepër që deri më sot është vepra e parë dhe e vetmja e vërtetë letrare në botë kushtuar  kësaj ngjarjeje.
 
VELIERO APS ju falenderon për intervistën.
Faleminderit Juve Francesca Gallello!
 
Përktheu: Angela Kosta