Zenel Hajrizi - Recension

Zenel Hajrizi - Recension
VARGJE QË RIKTHEJNË KUJTESËN E POPULLIT NË PERIUDHA TË NDRYSHME
Abdullah Troshupa, “ATDHEU NUK ËSHTË VEQ TOKË”, Prishtinë, 2025
 
Poetët, që shkruajnë për atdheun, jo rrallë herë përpiqen të shprehin ndjenjat e thella të atdhedashurisë dhe dhembjes, ndërsa i japin një dimension të jashtëzakonshëm identitetit kombëtar. Poezia  "Kur linde Shndriti Qielli" është një pasqyrë e ndjeshmërisë e cila sjell në secilin cilave shumë sfida në periudha të ndryshme historike i gjen në vargjet:
 
Çdo përvjetor
Ditëlindjen ta festojmë
Këngë për ty
Kosovë këndojmë.
 
Autori përdor një gjuhë të thjeshtë dhe plot emocione për t`u shprehur që atdheu është simbol i shpresës, pavarësisht sfidave. Poezia  “Atdheu Këngë e Lot “ vargjet e saj e rikthejnë kujtesën e sfidës dhe sprovës së popullit në periudha të ndryshme, gjurmë të cilat mbeten vragë të pashlyera në historinë e shtetformimit. Poeti,  atdhedashurinë e ndërlidh me lashtësinë dhe bukurinë e natyrës, ndërsa përshkruan historinë e dhimbshme të popullit shqiptar të cilët përjetuan golgotën, deri në vende tej oqeanike. Koha evoluon, situata ndryshon e shkrimtari Abdullah Troshupa krenarinë nga vargjet nuk e ndan.
 
Le ta kuptoj e gjithë bota
Më nuk durojmë ofendime
Jemi të Zotët e vetes
Nuk duam nënshtrime.

 
Vargjet për jetën rinore, vitet e pjekurisë dhe ato të moshës i ndërlidh me ngjarjet dhe ndodhitë e qëllimkëqija të korbave, megjithatë valët e detit janë të pakapshme. Diçka të tillë edhe në poezinë “ Gjyshja Zepë “ autori Abdullah Troshupa, historinë nga goja në vesh e vendos në vargje duke sjell fate njerëzish, pasardhësit e të cilëve ishin bërë gurëthemel i lirisë së atdheut. 17 Shkurti datë në histori e pse mos të themi deri se jemi një Kosovë e Shqipëri e dimë që ka edhe të tillë që na kanë zili shkruan Abdullah Troshupa e nuk mërzitet shumë për ziliqarët. Pas errësirës lind agimi, pas mundimit vjen lehtësimi e kështu shkrimtari Abdullah Troshupa, përmes vargjeve në poezi, zogjve ua hap dritaret, rinisë horizontet dhe atdheut lirinë me flamur duke u valëvitur si në gurëthemele të lirisë, po ashtu edhe në rritën dhe zhvillimin e vendit.
Lashtësia dardane dhe 12 qershori i ditës së kthesës për liri dhe fuqizim të atdheut dhe shtetit janë poezi të cilat argumentojnë fuqishëm rrugën e gjatë të lirisë, falë sakrificave sublime. Shkrimtari Abdullah Troshupa impulsohet edhe nga veprimet përkatësisht mosveprimet në kohë për atdheun, andaj unitetin e ka bazament dhe thirrje  për të kontribuuar për atdhe. Sheshi i dikurshëm i lotsjellësit tash i takimit, gëzimit, progresit dhe frymëzimit gjendet në vargjet e shkrimtarit. Poezia e “ Mos më thoni diasporë “ preket si një element i rëndësishëm kombëtar nga autori, ndërsa pjesën më vitale të kombit nuk e ndan për asnjë qasët edhe me ata të cilët janë lindur në mërgim, por gjyshin e kanë nga Dardania. Shkrimtari  Abdullah Troshupa e qetëson shpirtin me poezi për atdhedashurinë dhe sfidën shekullore kombëtare. Duke kujtuar ditët djaloshare dhe mos bërë gjumin në netët e trazuara shpirtërore ai ndjen aromën e luleve vjeshtore, duke ndrydhur në vete dashurinë e heshtur dhe pritur çastin e vulosur në kraharorin e tij.
E pamundur është mos ta gjen veten një i ri në vargjet e profesorit dhe shkrimtarit Abdullah Troshupa, duke nënvizuar momente të ndërrim unazash drejt jetës së re duke ndërlidh dy zemra të cilat rrahin si një. Ndërsa në poezinë “ Për TY “ vargjet melankolike, domethënëse dhe falënderuese për një rrugëtim jete të pa shkëputur dhe një dashuri pa fund i sjell autori.
Pjesa e trungut të kombit janë mërgimtarët, ndërsa shkrimtari Abdullah Troshupa sikur të ishte vetë mërgimtar, ndoshta nuk do të përshkruante ndjesinë dhe emocionet më mirë. Përditshmërinë përmes vargjeve, shkrimtari Abdullah Troshupa e begaton me poezi kushtuar doajenëve të fushave të ndryshme kontribuues për shëndetin dhe mirëqenien e qytetareve të vendit.
Edhe nënçmimi paraqitet në vargjet me mesazhe të qarta të shkrimtarit Abdullah Toshupa, ndërsa  në njërën nga poezitë shkëpusim: “Shko në shtëpi ruaj dhentë dhe dhitë se nuk je për shkollë“.
Kujtimi për paraardhësit, mbamendja e viteve të kalimit në amshim sikur ia shtojnë emocionet poetit ashtu sikur edhe vargjet kushtuar Adem Demaçit. Personalitetet e arsimit dhe kulturës kombëtare nuk harrohen, ata i gjejmë në librin e shkrimtarit Abdullah Troshupa në tituj dhe vargje të poezive të cilët i bën të pavdekshëm. Shkrimtari Abdullah Troshupa me vargje përshkruan jo vetëm imagjinatën, por thur  vargje për luftën, paqen dhe lirinë. Profesorit Abdullah Troshupa shëndet, sukses, motiv dhe elan për librin dhe libra të radhës t`i nxjerr në pah, jo vetëm emocionet, por edhe krijimtarinë sikurse deri tani që do t`i shërbejnë gjeneratave të reja.
 
Zenel Hajrizi.