Juli Sono - BABAI I VARFËR DHE DJALI

Juli Sono - BABAI I VARFËR DHE DJALI
PROZË NGA JULI SONO
BABAI I VARFËR DHE DJALI
 
Në një Republikë e cila ndryshonte emrin sipas rotacioneve politike, njëherë u quajt: "BËNI ÇFARË TË DONI" dhe njëherë tjetër "KAP ÇFARË TË KAPËSH". Në ato kohëra ekzistonin ende dhe njerëzit e ndershëm; këtë na e tregon ngjarja që do mundohem ta shtjelloj tani: Një burrë i varfër nga buxheti por që rridhte nga një familje ku nderin dhe familjen e kishin tepër të shenjtë kishte një djalë që adoleshencën po e kalonte midis mbarimit të emërtimit të parë të Republikës dhe fillimit të emërtimit të dytë. Një ditë djali i bëri një pyetje të atit: - O ba po pse ti s'arrin të më sigurosh të ardhmen time si gjithë të tjerët por më bën moral vetëm për ndershmëri? Nderi as hahet, as pihet, as vishet dhe as të argëton! Çfarë më ke dhënë ti mua, përveç fjalëve plot moral? Babai e dëgjoi të birin dhe i tha se do ia jepte përgjigjet, por i duhej pak kohë sa t'i shkruante në një letër, pasi kur ta lexonte atë, do të arsyetonte më mirë sepse ishte i bindur që shkrimi i jepte kujtdo mundësinë të ishte i paqtë në arsyetim. Ai shkoi në dhomën e tij dhe shkroi: I dashur biri im! A e mban mend kohën kur ishe në fillore? Atëherë unë isha herë me punë dhe herë pa punë e ti më kërkoje dyqind lekë? Unë të thosha: s'kam për momentin dhe ai moment bëhej disa ditësh. Po veprimin që bëja pas kësaj përgjigjeje a e mban mend? Në qoftë se jo, po ta freskoj kujtesën... Unë shkoja dhe mbyllesha në banjë e qaja me dënesë aq sa mbyllja gojën me duar që të mos më dëgjohej ngashërimi, dhe më pas dilja sikur s'kish ndodhur asgjë. Po pas kësaj kohe dhe deri më sot që unë jam punësuar me një rrogë vërtet mjaft modeste, por ty s'të kanë munguar gjërat bazë, madje as qejfet. A e ke pyetur ndonjëherë veten se si e arrij unë këtë? Sot erdhi momenti ta them: duke mos harxhuar asnjë qindarkë për veten time! Duke përjetuar vetminë madje duke pirë edhe kafen i vetëm. Duke hequr dorë edhe nga disa qejfe ose argëtime që ka mosha ime. Duke punuar me sakrifica për të fituar rrogën dhe duke menduar me përgjegjshmëri, pa pushim, për të ardhmen tënde. Po kur të ndihmoja në mësime me aq sa mundesha dhe kuptoja, a e mban mend? Sa herë më ke thënë se ke takuar të njohurit e mi dhe të flisnin me respekt për mua? Po kur ti çave kokën dhe të mbajta në krahë deri në spital, e mban mend? Patjetër që duhet ta mbash mend, sepse dhimbje të tilla s'harrohen lehtë. Ndoshta mund të kesh harruar respektin e doktorit që qëlloi në turn të cilin e njihja. Mos vallë doktori më respektoi se isha i pasur? Po drejtori i shkollës që të futi jashtë planizimit të shkollës, vetëm sepse ti dëshiroje të studioje në atë gjimnaz, mos e bëri se unë jam ndonjë i fortë dhe e frikësova? Ka dhe shumë e shumë raste të tjera, por po ti lë ty t'i kujtosh! Unë mor bir po bëj atë që bëri im atë me mua dhe ai këtë e kishte trashëguar nga babai i tij. Pra biri im, siç e sheh nderi vërtet nuk hahet por të ushqen dinjitetin. Nderi nuk pihet, por është oaz në mes të shkretëtirës, pikërisht aty ku shuhen etjet mëkatare. Nderi nuk vishet, por është një kostum që prihet që në vogëli, qepet në adoleshencë dhe pastaj të rri bukur për tërë jetën. Nderi s'të plotëson qejfet, por të mban një shpirt të paqtë deri sa të vdesësh. Të ndjehesh me vetveten i ndershëm bir, do të thotë ta ndryshosh botën për mirë. Uroj që këtë letër jo vetëm ta lexosh, por ta kuptosh edhe përmbajtjen e saj, e më pas je i lirë të zgjedhësh midis asaj çka është e ndershme dhe jo e pandershme. Me dashuri babai yt i ndershëm i cili veç këtë pasuri trashëgoi të cilën dëshiron të ta lërë ty.
 
Përgatiti dhe përktheu Angela Kosta Akademike, shkrimtare, poete, eseiste, kritike letrare, redaktore, promovuese, gazetare