Antonietta Micali (Përgatiti: Angela Kosta)

Antonietta Micali (Përgatiti: Angela Kosta)
ANTONIETTA MICALI:
SHKRIM ETIK MES ANGAZHIMIT CIVIL DHE SOLIDARITETIT KULTUROR

Jetoj mes jetës dhe ëndrrës. Kam respekt të madh për jetën dhe ëndërroj një botë më të mirë për të gjithë. (Antonietta Micali)

Antonietta Micali njihet si një nga zërat më të spikatur dhe koherentë të poezisë bashkëkohore italiane: gazetare, shkrimtare dhe lëvruese që ka ditur të bashkojë një ndjeshmëri të thellë letrare me një prani konkrete në botën e kulturës dhe formimit. Rruga e saj, e rrënjosur në traditë, por e projektuar drejt horizonteve të reja shprehëse, është një dëshmi e asaj se sa shumë mund të jetë shkrimi njëkohësisht edhe reflektim, angazhim apo mjet për transformimin shoqëror.
Prodhimi letrar i Micalit zhvillohet në disa aspekte. Për më të vegjlit ka botuar përralla dhe tregime të ilustruara, si “Dedalo dhe Icaro”, që trajtojnë në mënyrë delikate por të vetëdijshme tema si ndryshueshmëria dhe aktualiteti i ditëve tona të sotshme.
Për të rriturit ka botuar përmbledhje poetike, si “Il vento scompiglia i pensieri - Era çrregullon mendimet”, ku gjuha bëhet ritëm emocionesh, reflektim mbi kohën, mbi natyrën, mbi brishtësinë dhe shpresën. Poezia e Micalit lëviz në atë hapësirë mes jetës dhe ëndrrës, mes realitetit që lë gjurmë dhe dëshirë që çliron.
Në të, përditshmëria bëhet lëndë e një metamorfoze, fjala bëhet vend rrënjosjeje dhe fluturimi.
Veçanërisht, e rëndësishme është zgjedhja etike që shoqëron shkrimin e saj: vendimi për të dhuruar përfitimiet e disa prej librave të saj për projekte humanitare, dëshmon një koherencë që shkon përtej artistikes dhe hyn në fushën e veprimit solidar. Në këtë gjest gjendet ajo që vetë autorja pëlqen ta quajë bashkimi midis “respektit për jetën” dhe “ëndrrës për një botë më të mirë për të gjithë”. Kjo e bën figurën e saj jo vetëm të lavdërueshme në planin estetik, por edhe të rëndësishme për ata që e shohin letërsinë si një forcë ndryshimi.
Njohja ndërkombëtare e Micalit është e dukshme: përkthimet e poezive të saj në shumë gjuhë, pjesëmarrja në shumë antologji botërore, çmime dhe vlerësime, të gjitha këto janë dëshmia e një autoreje që nuk përmbyllet apo kufizohet vetëm në kontekstin e saj, por e zgjedh fjalën si udhëtim dhe ndarjen si fat.
Pjesëmarrja e saj në evente të ndyshme prestigjioze, si: prezantime, festivale dhe manifestime kulturore e vendos atë ndër protagonistet e një panorame letrare ku kufiri kombëtar kapërcehet nga qarkullimi i kuptimit dhe përvojës njerëzore.
Libri i saj i ri, i botuar së fundmi, “Tra vita e sogno - Mes jetës dhe ëndrrës” (2025), vlerësohet si një moment i shprehjes më të arritur: në të, Micali duket se ka gjetur një përmasë të re të zërit poetik, një qartësi që e mbështjell lexuesin në një dimension vizual dhe ndjesor. Leximi i poezive të saj nuk mbetet vetëm akt i deshifrimit të vargut, por kërkon pjesëmarrje dhe reflektim
Formimi akademik i Micalit është zhvilluar në Universitetin “La Sapienza” të Romës, në fushën e Letërsisë Moderne, i ndjekur nga një Master në Gazetari Kulturore dhe Komunikim, si dhe kurse në shkrimin krijues dhe redaktim.
Ky sfond i rëndësishëm, e ka ndihmuar të zhvillojë një gjuhë letrare të vetëdijshme dhe një vizion kritik që reflektohet edhe në veprimtarinë e saj mësimore: për vite me radhë ajo ka dhënë mësim në shkolla, e bindur se formimi i gjeneratave të reja kalon përmes edukimit në krijimtari, imagjinatë dhe mendim kritik. 
Ky dimension pedagogjik është thelbësor për të kuptuar se si vetë poezia e saj nuk lind nga një akt i izoluar artisti, por nga një dialog, mes fjalëve, mes brezave e mes botëve.
Por Antonietta Micali nuk është vetëm mësuese: ajo është gjithashtu gazetare dhe promovuese kulturore. Kontribuon në revista si “Gutenberg” dhe “Meravigliarsi”, si dhe merr pjesë në ngjarje, konferenca dhe festivale që promovojnë shkrimin si një mjet hapjeje, reflektimi dhe marrëdhënieje shoqërore. Tek ajo bashkëjeton gjesti krijues me përkatësinë në botën e kulturës së ndarë: fjala nuk është kurrë vetëm një shpërthim personal, por një përpjekje për ndërtim kolektiv.

DY LIBRA, NJË ZEMËR E MADHE NË SHKRIMIN QË BËHET DHURATË
Antonietta Micali është një figurë shembullore dhe e shumëfishtë: edukatore që formon mendjen dhe zemrën, shkrimtare që shndërron fjalën në këngë, qytetare e botës që i udhëheq lexuesit fëmijë drejt përrallave dhe vargjeve, e të rriturit drejt reflektimit dhe bukurisë. Rruga e saj na kujton se kultura nuk është muze, por frymë, lëvizje, takim. Dhe se poezia e vërtetë di të jetë urë, shërim dhe perspektivë.
Në një kohë kur fjala e shkruar shpesh shihet vetëm si produkt për t’u shitur, Antonietta Micali zgjedh me bujari një tjetër rrugë: atë të dhurimit të sinqertë. Të ardhurat nga dy librat e saj të fundit do t’u dhurohen projekteve humanitare, duke dëshmuar atë çka buron nga çdo faqe e saj: shkrimi nuk është vetëm art, por edhe akt dashurie.
Dy libra të ndryshëm, por që të dy shprehin të njëjtën ndjeshmëri të thellë. Nga njëra anë, një vepër për fëmijët që përmes gjuhës së përrallës i njeh ata me ditët ndërkombëtare: një urë midis imagjinatës dhe ndërgjegjes qytetare. Një tekst që edukon me butësi dhe i afron lexuesit e vegjël me vlera universale si paqja, miqësia, mbrojtja e planetit dhe solidariteti. Nga ana tjetër, një përmbledhje poetike, e re në krijimtarinë e autores, që shënon një kthesë stilistike dhe emocionale: vargje të goditura, të fuqishme, ku fjala bëhet jehonë e shpirtit, hapësirë ku jeta e përditshme takohet me thellësinë e ndjenjës.
Të dyja veprat mbajnë vulën dalluese të poetikës së Micalit: përkujdesjen për tjetrin, vizion ndaj botës, vullnet për të lënë gjurmë jo vetëm estetike, por edhe njerëzore. Poezia e saj shikon përtej faqeve, nuk mbyllet në vetvete, por shndërrohet në dhuratë. Akti i dhurimit të të drejtave të autorit është një vendim natyral i mënyrës së saj për të kuptuar artin: si shërbim, si dëshmi, si urë midis botëve.
Në këtë zgjedhje, zbulohet bukuria e shpirtit të saj: Antonietta Micali beson në të mirën, jo si një utopi abstrakte, por si një praktikë e përditshme. Ajo beson në fjalën që "përkëdhel" lexuesin dhe transmeton dashuri, që shëron, që edukon.
Ajo beson se çdo akt bujarie është një pikë e vogël në një det që mund të ndryshojë fatin e atyre që kanë më pak.
Fuqia e librave të saj nuk qëndron vetëm në cilësinë letrare, por në koherencën mes asaj që shkruan dhe asaj që jeton. Një autore që heq dorë nga përfitimi personal për ta kthyer artin e saj në një gjest konkret solidariteti, na kujton vlerën më të lartë të kulturës: të ndërtojë ura, të lehtësojë dhimbje, të ndriçojë zemra.
Antonietta Micali është një zë i kthjellët dhe autentik që zgjedh të mbetet përgjithmonë njerëzore. E që me fjalë e me vepra, vazhdon të mbjellë veç dritë.

Biografia:
Antonietta Micali, shkrimtare, poete, gazetare është diplomuar për Letërsi Moderne në Universitetin "La Sapienza' në Romë. Më pas, mori një Diplomë Master në Gazetari Kulturore dhe Komunikim, në Specializim në Shkrim dhe u kualifikua në një Kurs Trajnimi të Avancuar në Shkrimin Krijues dhe Redaktimin. Antonietta është Akademike në Shoqatën Tiberina si dhe Drejtore Kombëtare e Departamentit të Letërsisë të Akademisë Tiberina, Presidente e Konkursit Ndërkombëtar G. Belli - F. Lami, Drejtore e Katedrës së Grave dhe Zv. Presidente e Projektit Kombëtar kushtuar Njëqindvjetorit të Danilo Dolcit. E angazhuar në veprimtaritë shoqërore - kulturore, ajo merret me letërsi prej disa vitesh. Aktualisht jep mësim në Milazzo dhe beson fuqishëm se formimi i njeriut dhe i qytetarit të ardhshëm bëhet që në moshë të re. Antonietta organizon vazhdimisht konferenca dhe veprimtari kulturore. Ajo i ka dashur librat që nga momenti kur mësoi të shqiptonte rrokjet e para njëra pas tjetrës, duke u harmonizuar me tingujt e çuditshëm të fjalëve. Krijimin e konsideron një udhëtim të brendshëm të shpirtit. Micali ka qenë Presidente e Qendrë Studimmore "Kardinali Giuseppe Guarino". Shkruan trillime dhe ese për fëmijë, krijon dhe boton poezi në Itali dhe jashtë saj, bashkëpunon me shoqata dhe institucione të tjera, duke përfshirë Fondacionin Writers Capital International.

Përgatiti: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare