VARGJE KUNDËR HESHTJES: UNA POESIA PER SARA - NJË POEZI PËR SARËN
Disa ditë më parë, në zemër të muajit nëntor, ndërsa e gjithë bota përgatitet të kremtojë 25 Nëntorin - Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, përfundoi projekti i cili nuk është vetëm letrar, por thellësisht njerëzor dhe simbolik: “Një poezi për Sarën”, botuar nga Departamenti i Letërsisë së Akademisë Tiberina dhe Katedra e Grave në OKB.
Libri dedikuar Sara Campanella si dhe të gjitha viktimave të feminicidit dhe dhunës, përmblodhi poezi autorësh nga çdo skaj i botës.
Ky projekt nuk është një antologji e zakonshme, por një kor global, një ulërimë e heshtur që përshkon kontinentet, duke u dhënë zë atyre që nuk mund të flasin më, të rrëfejnë, të ëndërrojnë apo të jetojnë.
Në titull shqiptohet një emër që përfaqëson shumë femra të tjera: Sara kthehet në simbol universal i të gjitha atyre jetëve të ndërprera, të keqtrajtuara, të vrara. Por, përveç dhimbjes, libri përmban jo vetëm kujtimin e të gjitha grave, viktima të egoizmit dhe të mizorisë mashkullore, por edhe solidaritetin total ndaj atyre që e përjetojnë dhe vazhdojnë ende sot e kësaj dite, të vuajnë në heshtje. Poezitë, si përkëdhelje mbi plagët e historisë së të gjitha këtyre grave, bëhen rezistencë kulturore kundër indiferencës dhe padrejtësisë.
Shpeshherë, gruaja e fsheh dhunën në heshtje, ndaj fjala poetike shndërrohet në akt guximi.
Çdo varg në këtë libër është një armë e vyer kundër errësirës, një veprim që riafirmon të drejtën e çdo gruaje për barazi, jetë, liri dhe respekt. Poezia bëhet akt politik dhe etik, një dëshmi e tmerrit, vuajtjes dhe mbijetesës që kërkon dëgjim të kujdesshëm për një ndryshim thelbësor dhe rrënjësor.
Veç kësaj, “Një poezi për Sarën” është gjithashtu një vend takimi mes kulturave dhe sensibilizimit, ku letërsia jo vetëm ngushëllon, por denoncon, edukon dhe transformon. Ky libër është një vepër që pasqyron përgjegjësinë dhe na fton të kujtojmë se nuk duhet vetëm të prekemi e të ndiejmë keqardhje, por duhet të japim sidomos kontributin tonë të domosdoshëm, kudo që të ndodhemi, në çdo rrethanë, për t’i dhënë jehonë kësajj dite të rëndësishme e të shënuar me gjak.
Kohët e fundit, ashtu sikurse tashmë, statistikat janë shqetësuese, me histori tronditëse, dhe ky libër përfaqëson një akt kolektiv dashurie dhe angazhimi: për Sarën... për të gjitha gratë... për një botë ku askush më të mos vdesë nga dora e atij që thoshte se e dashuronte, pasi dashuria nuk mbjell errësirë apo vdekje, por vetëm jetë, dhe jeta është frymëmim me sytë hapur dhe buzëqeshje në buzë, jo sy të perënduar përgjithmonë.
“UNA POESIA PER SARA - NJË POEZI PËR SARËN” do të mbetet arma e fuqishme e fjalës kundër dhunës.
Nga: Angela Kosta, gazetar, eseist, botues, kritik letrar, redaktor, përkthyes, poete, promovuese ndërkombëtare