DRENICA DHE PRIFTI ORTODOKS NGA TETOVA
(Alfabetizmi dhe analfabetizmi kundrejt shqiptarizmes)
Nga Col Mehmeti
“High Albania” ishte bestseller për lexuesit anglishtfolës për dekada të tana.
Bâhet fjalë për udhëtimin e msheftë të zonjës Edith Durham në Kosovë në verën e vitit 1908, prej të cilit doli nji libër kaq kthesëshënues.
Ajo i bjen mespërmes Drenices dhe qëndron nji copë herë te manastiri ortodoks i Deviçit, pak përtej Llaushës.
Kur e pa zojën angleze doli nga kisha arkimandriti, nji burrë i gjatë, i hijshëm e miqësor. Menjiherë brofi në kamë shoqnuesi shkodran i Durhamit, Mark Shanto, dhe e pveti arkimandritin serb se a flet shqip. Ngjau diçka e kandshme për të dy mysafirët. Durhami rrëfen:
“Ai qeshi me gjithë zemër dhe u përgjigj, 'Unë jam shqiptar.' I lindur prej prindërish shqiptarë, ai na shpjegoi se shqipen e kishte folur vetëm si fëmijë. Por pasi iu bashkua Kishës Ortodokse, ai tani ishte serb, dhe serbishtja ishte më e afërt për të sesa gjuha e tij amëtare. Kështu ndodh në Tokat e Fesatit. Serbët e kanë konvertuar një shqiptar në krye të manastirit të tyre...." (High Albania, 1909, f.146-47).
Zonja angleze, ose ‘kralica e maleve’, na e le peng se nuk na e kallxon emnin e këtij prifti ortodoks, përveç që e quen “haxhi”, titull nderi që iu jepej edhe klerikëve ortodoksë për peligrinimet e tyne në vende të shejta.
Kjo shybe më ka ndjek edhe mua vetë dhe hamendjet e mia ishin se mos arkimandriti në fjalë na ishte ndonji shqiptar prej Drenice, prej Vushtrrie a Peje.
Vetëm sot i rashë në fije kësaj pikëpyetje falë vetë shënimeve të manastirit drenicak.
Arkimandriti që iu prezantue Durhamit si shqiptar paska qenë Manojlo Haxhi-Serafimoviqi nga Tetova.
Ai në krye të manastirit të Deviçit u vû në vitin 1905, për çka menjiherë kisha drenicake u gjallnue me aktivitete e kamje.
Në vitin 1906, gazetari serb B. Jugoviq e bâni nji reportazh mu te ky manastir dhe i kushtoi jo pak fjalë edhe priftit që atij iu duk i pazakontë.
Te reportazhi i tij “Jedna retka knjiga: Uspomene sa puta u manastiru Devič” (Nji libër i rrallë: kujtime nga udhëtimi në manastirin e Deviçit), ai na e jep kit përshkrim për tetovarin ortodoks:
“Arkimandrit Manojlo, iguman i manastirit, nga një familje priftërinjsh prej Tetove, është një nga murgjërit e rrallë në këto anë, nuk ka tjetër si ai. Ai i mbaroi studimet teologjike në Serbi e Rusi, meqë grekët nuk e pranuan në Halikidikë.”
Po kush kanë qenë këta Serafimoviqët e Tetovës, këta shqiptarë ortodoksë, që veç paskan qenë “sveshteniçke porodice” (familje priftash)?
Tu shfletue dokumentacione kishtare serbe mësojmë se plot studentë me mbiemnin Serafimoviq nga Tetova, në vitet 1870, përfituen bursa me studiue koftë në Seminarin Teologjik Ortodoks në Prizren, koftë në Beograd.
Vëllau i Manojlos, Rufimi, po ashtu na shfaqet si murg. Nga Tetova vinte edhe nji tjetër murg si Jerotej Gavriloviq që shërbeu po në Deviq. Nga Tetova ishte edhe igumeni Sofronije që shërbeu në Pejë.
Manastiri i Deviçit ishte njifarë oaze në Kosovën e mas viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Më 1872, manastiri në fondin e vet kishte rreth 100 dorëshkrime të moçme, përfshi edhe aso të shekullit të 16-të. Nga 1889, në Deviç u hap nji shkollë që funksionoi deri më 1914.
Deviçi ishte ma i vizituemi tempull ortodoks prej shqiptarëve drenicakë. Kulti i Shën Joanikisë venerohej edhe prej shqiptarëve të sapokaluem në fenë myslimane. Njerëz me emna myslimanë bânin dhurime në kishë siç dëshmohet nga katastikoni manastiror.
Me 1912 kur Serbija e pushtoi Shqipnín, trupat serbe e rrethuen Prekazin dhe kullen e Ahmet Delisë pasi ishin vra tetë ushtarë serbë. Sipas dëshmisë së Bajram Hazirit, “pasha Zoten ka ra Popi i Deviçit e na ka pshtu.”
Ky “pop” duhet të jetë dora vetë shqiptari ortodoks nga Tetova, Manojlo Serafimoviqi.
Dëshmia e Durhamit nga 1908-a se ai e kujtonte prejardhjen e tij shqiptare flet shumëçka për flashkësinë e identiteteve.
Ndërhyrja e shtetit serb në vitet 1870 bâni që shqiptarët ortodoksë, mas shkollimit teologjik, me u bâ pjesëtarë të nji kombi e identiteti të ri. Gjithsesi, seminaret teologjike krijonin nji elitë të imtë që dinte shkrim-lexim dhe kurdo që njerëzia pajiseshin me të shumë ma lehtë krijonin ide edhe për shqiptarizmen si prejardhje...
Artikulli u huazuar nga Faqja (Shoqnia Bashkimi-1899)