Bujana Xhindoli - Tregim

Bujana Xhindoli - Tregim
FSHATI PRANË MANASTIRIT
 
Jetonte në fshatin pranë manastirit. Aty, pas zjarrit që ra, mijëra libra u dogjën. Në manastir ende jetojnë murgj. Janë pak. Numërohen me gishtat e dorës. Gruaja ishte nëna e dy fëmijëve; djalë e vajzë. I shoqi ndërroi jetë fill sapo martoi fëmijët. Mbeti e ve afër të pesëdhjetave dhe e vetme fill pas martesave të fëmijëve. E bija shkoi pranë familjes të së shoqit, rreth dy-tre orë larg së ëmës. I biri shkoi larg nënës së gruas rreth tre-katër orë. Pas humbjes të të shoqit, gruaja fliste pak; kur përshëndeste fqinjët, ose kur fliste me tregtarin e sende të vjetra. Po ndryshonte çdo ditë. Nuk ishte më ajo gruaja e hajthme, me sytë e shkëlqyeshëm, buzët e tulta dhe hundën kryeneçe. Kaçurrelat e gështenjta në ditë të veçanta i mbulonte me një copë të hirtë. Cepat e buzëve filluan t'i vareshin, sikur të ishin një lugë prej alumini. Mbi pantallona vishte një fund. Shpatullat i ngrohte me xhaketën e dikurshme të të shoqit. Ai kishte qenë ushtarak i mesëm. Kur retë zbrisnin mbi rrugët e ngushta të pashtruara, gruaja dilte enkas. Banorët e fshatit futeshin në shtëpitë e ulëta dhe një dritë e zbehtë ndizej në konak. Poshtë shiut të njelmët ajo fliste, si të kishte pranë miqtë, të njohurit dhe fëmijët e saj. Nga një e folur, biseda kthehej në ngashërim të mbytur, gjersa e linte zëri dhe i thahej kanali i lotëve në të dy sytë. Pas kësaj gjendjeje gruaja ndryshoi. Një tjetër formë komunikimi lidhte ekzistencën e saj me botën përreth. Vishej me pantallona, sipër tyre shtonte një fund. Shpatullat i mbulonte me xhup të leshtë, sipër tij vishte xhaketën e të shoqit dhe sipër xhaketës një jelek prej shajaku. Dimër e verë mbante të njëjtën veshje. Fillo të mblidhte copa guri, tjegulle dhe llamarine të vjetër. Me to rrethoi shtëpinë e saj. Më tej vazhdoi që të mblidhte ç'të gjente në mbeturina; letra, kanaçe, shishe plastike, orendi të vjetra. Njerëzit qeshnin me të në fillim, pastaj ndjenin keqardhje dhe shqetësoheshin kur nuk e shihnin të mblidhte rraqet e përditshme. Kaluan jo më shumë se pesë vjet. Gruaja nuk lodhej teksa rraqet e vjetra i zëvendësonte me rraqe të reja. Ditët e para të pranverës në fshat zgjojnë qenie, kafshë, zogj e lule. Gruaja nuk mundi të zgjohej. Kur shkuan në shtëpinë ku jetonte, njerëzit gjetën sende, rroba e rraqe që prej vitesh i kishin hedhur në koshat e mbetjeve. Ajo grua kishte ruajtur kujtimet e banorëve të fshatit pranë manastirit, që dikur në bibliotekën e tij kishte rënë zjarr.