Materia gjallëruese në Unisonin e artit poetik modern (Nga Angela Kosta)

Nga Angela Kosta
Është diçka shumë e bukur kur dy persona, dy bashkëshortë, dy shpirtëra, bashkohen në një të vetme, bëhen njësh, duke sjellë në jetë nga lidhja e tyre, gjënë më të rëndësishme dhe më të vyer: një vajzë, e mbi të gjitha, duke ecur krah për krah, në rrugëtimin e gjatë drejt artit, i cili, në epokën tonë, pavarësisht tranzicionit, ekziston sepse reziston, falë atyre që "luftojnë për ta mbajtur gjallë", pavarësisht vështirësive; e pikërisht këtu dua të tërheq vëmendjen e secilit prej jush.
Sot, nuk kemi të bëjmë me një portret të thjeshtë çifti - bashkëshortësh, por me dy figura të njohura në peizazhin kulturor bashkëkohor: artistin Paride Bianco dhe poeten, kritiken e artit Giuliana Donzello, të dy ende shumë aktivë në fushën poetike, artistike dhe letrare.
Nuk është hera e parë që njoh bashkëshortë poet - artist; kam pasur nderin të intervistoj edhe të njoh edhe të tjerë, si në Itali po ashtu edhe jashtë saj. Secili me penelat, kanavacat dhe veprat e tyre të mrekullueshme.
Si botuese e revistës artistike "The Nuances On Panoramic Canvas", ndihem e privilegjuar të flas dhe të prezantoj për artdashësit, çiftin e larpërmendur.
Artisti i mirënjohur italian, Paride Bianco ka lindur në vitin 1944 në Martellago të Italisë, qytet në të cilin familja e tij e zhvendosur, kishte gjetur strehë nga lufta. Dëshiroj të theksoj, se ai është pasardhës (nga nëna) i Domenico Zampierit, i njohur si Domenichino, i konsideruar si trashëgimtar i madh i traditës së ngjyrave veneciane. Artistikisht, Bianco “lindi” në Milano.
Që në moshë të vogël, ai vizatonte dhe pikturonte, duke soditur muzetë, Bienalen, galeritë historike etj., por për shkak të pamundësisë për të ndjekur studimet në pikturë, në ndonjë institut teknik, hoqi dorë nga kjo dëshirë dhe nisi të punojë në moshë të re. E megjithatë, vazhdoi të mësojë dhe të pikturojë në papafingon e shtëpisë në Mestre, ku familja ishte kthyer pas luftës.
Në vitin 1968, pas shumë përpjekjesh, studimesh mbi historinë e artit dhe anatomisë artistike, Bianco vihet në konkurrencë me artistë të tjerë të rinj dhe realizon përvojën e re, përmes ekspozitës së tij të parë me vizatime me bojë të zezë, në Galerinë “La Torre - Kulla” në Mestre, ku ruhet origjinali i punës “Dietro un recinto - Pas një gardhi” në arkivat e ASAC (Arkivi Historik i Arteve Bashkëkohore i Bienales së Venecias).
Takimi me galeristin Graziani do të ishte vendimtar për të: ai sheh tek Bianco një potencial të madh si ngjyrues dhe e inkurajon të ndjekë rrugëtimin artistik. Në vitin 1970, Paride martohet me Giuliana Donzello, e cila sjell në jetë vajzën e tyre të vetme; më pas, bashkëshortja do të jetë një mbështetje e madhe për karrierën e tij artistike.
Në vitet ’80, krahas një pikture me ndikime shprehëse, Bianco eksperimenton me bitum, duke krijuar kompozime që i përafroheshin një negativi fotografik. Dy dekada më vonë, arti i tij do të arrinte në Lindjen e Largët, në Japoni dhe Kore, ku do të vlerësohej më shumë se sa në Itali.
“L’accusa del tempo” (1978, olio su juta, 100x80 cm) është vepër në të cilën Paride “flet” për gjithçka: rrjedhshmëria e pamëshirshme e kohës, është elementi qendror i metamorfozës, jo vetëm tek njeriu, por edhe në vetë poetikën e artistit. Zgjedhja e jutës, (material i papërpunuar dhe i shndritshëm), thekson kontrastin mes brishtësisë së lëndës dhe shumëllojshmërinë e mesazhit që Bianco propozon.
Po në të njëjtin vit, “Il Clown - Klouni” (1978, vaj në kanavacë, 100x70 cm) është një pikturë lirike dhe e ashpër njëkohësisht, me një teknikë tejet të rafinuar. Kjo vepër përfaqëson kërkimin e thellë shprehës të artistit, i cili fokusohet mbi dyfishin e ekzistencës dhe kontrastin mes dukjes dhe së vërtetës. Paride e zhvesh klounin nga funksioni i tij teatror, duke e shndërruar në një arketip njerëzor. Ai nuk kufizohet në krijim, por edhe interpreton, duke e kthyer figurën e klounit në jehonë të brendshme të vetvetes.
Në veprën “Madame Italia - Zonja Itali” (1979, vaj në kanavacë, 120x80 cm), shfaqet alegoria e kombit italian, e paraqitur jo si një entitet abstrakt, por si një figurë e ndërlikuar e humanizuar. Artisti e përshkruan atë si një grua të fortë, e dergjur, duke simbolizuar kështu historinë e një vendi të plagosur nga ngjarjet historike.
Edhe në veprën “L’accaduto (Bandiere rosse) - Ndodhia (Flamuj të kuq)” (1978, vaj në kanavacë, 120x80 cm), Paride Bianco nuk ndalet te kronika e thjeshtë e lëvizjeve të kohës. Ai lëshon britmën e tij piktorike, duke na ftuar të reflektojmë mbi pasojat e përplasjes mes idealit të palëkundur dhe realitetit kompleks. E kuqja dominuese, e ndërprerë nga tone të errëta apo gjeste të thyera artistike, nënvizon tensionin dramatik dhe paqartësinë e ngjarjeve që evokon.
“Davide e Golia – Omaggio a Caravaggio” (1981, vaj në kanavacë, 120x80 cm), është një vepër në të cilën Paride risjell një temë të rëndësishme të traditës artistike, përmes një vështrimi bashkëkohor dhe kritike të thellë.
Homazhi për Caravaggion dallohet në dramën e skenës, në kontrastin e fortë të dritë-hijes dhe në tensionin emocional që përshkon figurat.
Si gjithmonë, Paride nuk mbetet në nivelin e citimit: ai rimendon mitin si metaforë të pushtetit dhe rebelimit. Davidi bëhet simbol i njeriut modern që sfidon gjigantët e sistemit, shtypjes apo ideologjisë. Kjo shihet në fytyrën e Golias, në rrëzimin e trupit të tij përtokë, në tehun e konfliktit. Çdo element në këtë vepër madhështore, shërben për të shprehur mesazhin që Bianco kërkon të na komunikojë.
Në këtë libër, Donzello vazhdon analizën me ciklin “I Sogni Della Madre Terra - Ëndrrat e Tokës Mëmë”, duke propozuar një lexim historik-kulturor të epokës postmoderne, e cila na detyron të bëjmë një pyetje themelore mbi kuptimin e kohës sonë. Kjo epokë përshkruhet si një kohë ku ka humbur mundësia për një rrëfim të madh që ta udhëheqë shoqërinë drejt një të ardhmeje sa më të kuptueshme dhe të vetëdijshme.
Në këtë kontekst, vepra e piktorit Paride Bianco, shfaqet si një dëshmi e gjallë e një artisti që nuk është shkëputur kurrë nga kërkimi i domethënies, por e ka bërë atë themel të të gjithë veprimtarisë së tij krijuese. Në një kohë tepër të varfër për sa i përket narrativave, arti i Parides ringjall kujtesën historike, duke riaktivizuar fijet e së kaluarës në një sintezë personale dhe vizionare, ku ëndrra dhe vetëdija harmonizohen dhe bashkohen.
Shpesh Paride Bianco krahasohet me figura të mëdha si Kandinsky për ritmin dhe dinamizmin, Boccioni e Depero për energjinë dhe ndërtimin formal, si dhe me Gino Severini për kompozimin dhe inteligjencën vizuale. Megjithatë, Paride mbetet unik: sepse jo vetëm ëndërron, por edhe kultivon dëshirat.
“I Sogni della Madre Terra - Ëndrrat e Tokës Mëmë”, me mbi 100 punime me tempera dhe prekje akriliku, paraqesin një pasuri të çmuar në skenën artistike bashkëkohore.
“Shpërthimi i shenjës” përfaqëson një fazë thelbësore në kërkimin e artistit, ku gjuha vizuale evoluon drejt një thelbi të ri.
Nga fundi i viteve ’80, braktisja e rrëfimit figurativ dhe peizazheve të strukturuara, i hap rrugën një thellimi mbi shenjën si formë shprehjeje të pavarur.
Vepra "L’incontro dei pellegrini con il Papa", homazh për Paolo Uccello, nuk është vetëm estetike, por edhe konceptuale: një dekonstruksion e njëkohësisht një rimendim i traditës në dritën e një vizioni bashkëkohor.
Po kështu, "La Sacra Famiglia - Familja e Shenjtë", nuk është thjesht një ikonë fetare, por një dialog i ndërlikuar mes së shenjtës dhe gjuhës abstrakte.
Kalimi nga shenja në numër, e më pas rikthimi tek parafina, përfaqëson një cikël kërkimi që e karakterizon të gjithë rrugëtimin e tij: një përpjekje për të ndërtuar një gjuhë vizuale që është njëkohësisht konceptuale dhe emocionale.
Nëpërmjet veprave si “Figura” apo “Bim, bim, bam”, Paride dëshmon një liri krijuese që rrjedh nga zotërimi i teknikës dhe nga një vizion i qartë artistik, ku materia, drita dhe mendimi bashkohen në një poetikë vizuale unike.
Vepra: "Takimi i pelegrinëve me Papën, Homazh për Paolo Uccello" është një shembull i rëndësishëm: citimi historik, edhe pse i filtruar përmes parafinës dhe mungesës së ngjyrës së përndezur, nuk është më protagonist i narracionit, por terren për trajta ndërtimi.
Përgjatë gjithë rrugëtimit të tij krijues-artistik, Paride trajton tema historike, sociale dhe të përditshme.
"Familja e Shenjtë" (1992) përfaqëson një pikë takimi midis shpirtërimit arkaik dhe eksperimentimit formal bashkëkohor. Vepra, realizuar me teknikë të përzier në letër dhe dru, shkon përtej ikonografisë tradicionale, duke evokuar një temë klasike, e ripërkthyer me një gjuhë simbolike dhe abstrakte.
Kjo teknikë e përzier, i lejon Biancos të shtresojë materien dhe dritën, duke krijuar kështu, një efekt pezullimi midis të dukshmes dhe të padukshmes, ku shenja bëhet fjalor absolut i artit dhe ngjyra i lë vend sintezës formale (akti i thjeshtimit të realitetit vizual, duke reduktuar detajet dhe duke u përqendruar te elementët thelbësorë, si: linjat, format, ngjyrat dhe volumin për të krijuar një imazh të plotë dhe të fuqishëm).
Kalimi nga shenja në numër dhe kthimi i mëpasshëm në parafinë shënon një evolucion të rëndësishëm, një çelës themelor në krijimtarinë e Biancos
Në veprat e tij, ngjyra bëhet më e hollë dhe e rrjedhshme, si një notë që dridhet në hapësirë, duke u shpërndarë përtej kufijve fizikë të kanavacës, ndërsa shenja ruan dhe zotëron një poetikë të thellë. Ndaj parafina kthehet në materie të gjallë.
Veprat si “Figura” (2010) dhe “Bim, bim, bam” (2016), dëshmojnë qartësisht lirinë shprehëse.
Rreth viteve 2000, Paride è derdh artin e tij në kanavaca me përmasa të mëdhaja, me vepra të larmishme, shpesh të përshkuara nga “citime” filozofike, si: Goethe, Hegel, Kant, në dialog të drejtpërdrejtë me mendimin e Heideggerit.
Duke vëzhguar këto kanavaca dhe vepra të shumëllojshme, përhumbemi në kohë dhe hapësirë, ku takohemi jo vetëm mjeshtrat e mëdhenj të artit, por edhe me:
- Citimi i Goethes, me teknikë të përzier në kanavacë, (160x215, 2001)
- Citimi i Hegelit, akrilik në kanavacë, (215x160, 2001)
- Citimi i Kant-it, akrilik në kanavacë, (236x160, 2001), etj...
- "Lisola dei pensieri - Ishulli i mendimeve", akrilik në kanavacë, përfaqëson një nga kulmet konceptuale të prodhimit të Biancos.
Me dimensionet e tij të mëdha (160x216 cm), vepra imponohet si një hapësirë mendore, më shumë se fizike, ku mendimi materializohet përmes një gjuhe abstrakte dhe të shtresëzuar. Ishulli nuk është vend izolimi, por strehë përqendrimi dhe dëgjimi të brendshëm, ku piktura bëhet filozofi vizual.
Teksa vazhdoj të shfletoj dhe të admiroj veprat në këtë libër të mrekullueshëm, si dhe analizën e detajuar të Donzellos, mbetem e magjepsur nga mënyra se si Paride transformon numrin nga një njësi e thjeshtë matematike në një simbol poetik dhe jetësor.
Veprat: Numeri filanti - Numra të radhitur, Stormo di numeri in volo - Mori numrash në fluturim dhe Numeri al carnevale di Rio - Numrat në karnevalen e Rios, bëhen protagonistë të një universi vizual në lëvizje, mes ironisë dhe reflektimit, ku shenja bëhet vallëzim, ritëm dhe lojë.
“L'oroscopo del segno dei Dritti - Oroskopi i shenjës së së Drejtëve”, (edhe kjo vepër sfiduese ironike në kanavacë), bashkon pikërisht ironinë, kritikën sociale dhe simbolizmin në një rrëfim artistik - poetik, intensiv dhe shpërthyes.
Vetë titulli na sugjeron një lojë vizuale, ku oroskopi (simbol i fatit dhe parashikimit) lidhet me “të Drejtët”, një figurë bashkëkohore, emblemë e dinakirisë moderne dhe oportunistëve. Vepra duket sikur zbulon mitet e rreme moderne dhe sigurinë mashtruese të ofruara nga skemat dhe parashikimet.
Te “Komedia”, artisti kap një aspekt etik: është hyjnore në treguesin se cilat dhe sa mëkate mund të falen, nëse qëllimi për të pranuar artin nuk do të ishte i mbushur me pendesë të sinqertë; për artistin mjafton një fjalë: “Ri - thënie", fjalë ngushëlluese, thotë Donzello, për veprat danteske të Parides.
Në të gjithë librin ndjehet një rrëfim i thellë dhe origjinal i “Komedisë”: jo vetëm si një udhëtim eskatologjik, por si një vepër etike dhe njerëzore, e aftë të ofrojë shpëtim përmes artit dhe fjalës.
“Poetika e materies” e Biancos, përfaqëson një fazë të pjekur dhe të vetëdijshme të kërkimit të tij artistik. Përdorimi i eksperimentimeve materialiste, dëshmon vullnetin për të shkuar përtej sipërfaqes, për t’i dhënë zë asaj që mbetet e gdhendur në kohë. Në ciklet e tij të pikturës, Paride ndërthur mitologjinë me aktualitetin, ku ngjyra hap krahët e mendimit dhe vizionit të lirë.
Në veprat më të fundit, ai vazhdon të eksplorojë mundësitë e gjuhës artistike, duke mbajtur një tension të gjallë mes gestit dhe strukturës.
Dhe, ashtu sikurse thotë Lawrence Johns (i cili vazhdon të zhvillojë projekte që favorizojnë lidhjen mes të dukshmes dhe të padukshmes, mes artistit dhe publikut), i magjepsur nga bota e ngjyrave të larmishme të Paride Biancos: “Këto janë ëndrrat e tij... Le t’i lëmë të vijnë!”
Të gjitha veprat e artistit Bianco, gjithësecila prej tyre, (pa lënë asnjërën mënjanë), janë ëndrra dhe vepra me vlera të mëdhaja (jo vetëm artistike), në galaktikat e pafundme të artit universal magjepsës.
I ftoj të gjithë të humbasin në këto galaktika të pafundme, në këtë libër të mrekullueshëm të artit poetik, ku peneli i Paride Biancos dhe pena e Giuliana Donzellos ndërthuren në harmoni të plotë me materien e gjallë, drithëruese, ironike, të detajuar, gati surreale e njëkohësisht reale, në madhështinë e tyre të rrallë dhe mjeshtërore.
Ka botuar disa ese mbi artin dhe artikuj të shumtë mbi kërkimin arsimor, duke bashkëpunuar me revista të specializuara, përfshirë "L’Educatore, Mensile di Pedagogia, didattica e servizi professionali per la scuola primaria”, botuar nga RCS - Fabbri, Milano.
Giuliana ka kuruar situatat e orientimit dhe trajnimit për MIUR dhe Universitetin e Venecias dhe ka qenë oratore dhe trajnuese në konferenca dhe seminare evropiane mbi çështjet e gjuhëve analoge dhe përfshirëse. Shkrimtare dhe studiuese, botimet e saj përfshijnë shumë libra në zhanre të ndryshme.
Nga: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese ndërkombëtare