Zaim Haliti - NUK FESTOJ SOT (tregim)

Zaim Haliti - NUK FESTOJ SOT (tregim)
NUK FESTOJ SOT
(Faqe e shkëputur ditari)
 
     Sonte po e akordoj telin e lotit me telin e dhimbjes për një këngë malli me aromë vendlindjeje. Sonte plagës sime po ia hapi zemrën dhe po ia numëroj të rrahurat e saja... Sonte jam zgjuar, dhe dhimbjes sime po ia ngarkoj mijëra vuajtje e gëzime vendlindjeje, deri në plasje vaji. Eh, sonte le të pëlcasë çdo dromcë durimi, loti le ta shterë burimin...
     Në mesnatë, kur bëhet ndërrim data, mos më trego se po fillon festa. Mos, se unë nuk festoj sonte. Unë do të mendoj se shpresat vdiqën atje ku u gurëzua fati i jonë. Te Guri i Buajëve, Guri i Hutit, Guri i Kalit, Guri i Bardhë e gurë e tjerë të përtej kufirit. Sonte Rekës  do të eci këmbëzbathur. Do të eci deri te Zidi që thellësinë e lumit ta mbas me thellësinë e ndjenjës...
     Nuk e dua askënd sonte. Dua të jem vetëm sonte dhe ta ndjej se si është zbrazja e vendlindjes sime. Pikë loti nuk do të më pikoje, se lotët i mori rinia për në mërgim, i morën për moskthim. Unë nuk i fali kujtimet e mia. As nuk kam shpresa. Shpresën për liri e varrosëm te Guri i Buajve, kurse mijëra shpresa udhëtuan me visika nën sqetull rrugës për moskthim... Pse të festoj sonte?! Për shtegun pa këmbësor? Për shtëpitë fringo të reja pa asnjë banor? Për përçarjet deri në mosdurim? Pse?!
   Festat po i'u fali juve. Festoni çka të dëshironi. Luani valle nëse doni... Uluni mbi fatin e popullit këmbëkryq si alamet burra. Uluni se e meritoni... Unë po rri ulur afër notesit tim dhe po shkruaj për fatin e vendosur në shpresën e vrarë. Po shkruaj për shpërnguljen e heshtur që as gëkë e as mëk nuk po bënë. Po shkruaj për krenarinë e juaj. Pse jo? Krenarinë që duheni me e vendos në një përmendore dështimi... Dështim me pasoja  në popull, në rini…
   Unë nuk shpresova shumë. Thellësinë e vuajtjeve e mbata duke ecur lumit këmbëzbathur… Thellësia ishte herë deri te zogu i këmbës e herë deri te gjysma ime. Nga Jazi e deri te Zidi thellësia ndryshonte. E ju çka mbatët?! Gëzimet apo profitet? Sukseset apo dështime? Lavdet apo meritat? Investimet apo keqpërdorimet? Premtimet apo realizimet? Nejse… Të i gëzoni të gjitha sepse janë të juajat. Sukseset qofshin me ju se na duhen deri sa nuk bëhet vonë. Qofshi mirë, se shëndeti i juaj mund të jet mirëqenia e jonë!
Mirëqenia e jonë? Çfarë ironie! Ajo është e humbur nga surrati i juaj e ata të llojit të juaj. 
Mua mos ma merrni vetmin. As hisen time shpirtërore për ato toka në kornizat e tokave shqiptare. Edhe ardhmëria ime ju qoftë fal, por shpresën mos ma prekni, as ëndrrat. Ju qofshin fal edhe fati i rinisë, ai i mërgimtarit edhe i veprimtarëve. Vetëm tokat le të mbesin. Arat, luadhet, kodrinat, lumi, fushat, se nuk i dihet. Nesër ose një të nesërme më të largët do të brazdoje dikush në ato toks për ti gjet vuajtjet, djersën dhe dashurinë tonë për at tokë të harruar edhe nga vet ne…