ZJARR FILIZASH
U ndez me një tufë bar të njomë
mbirë rrëzë ndjenjave të zemrës,
ashtu pa u ndjerë e pakuptuar
gjuha e flakës si e çmendur
do të digjte qelizat e shpirtrave përvëluar.
Në fillim na u duk si një lodër
edhe pse ti nuk e besove kurrë,
që kjo lodër e rrezikshme fëmijësh
do të të digjte më shumë se ç'të djeg një furrë.
Ndërsa ti vrapoje larg flakëve përvëluese
nga frika se do të rrëmbenin me gjuhët e zjarrta,
unë flakëve i fryja me frymë dashurie
dhe përzhitesha me flakët e puthjeve të arta.
Indiferente me gjëmën që ndodhte me flakët,
ku pamëshirshëm bashkë me trupin filiz,
digjej e shkretohej një zemër.
As dy pika ujë nuk i hodhe zjarrit,
kur deti nga dhimbjet oshëtinte me gulçe.
Më pas frynë erëra nga të gjitha stinët
dhe kohët pa kuptuar ndërronin kalendarë,
e vetme u ndodhe papritur
kur flakët të erdhën aq pranë.
U dogje, u përzhite nga gjuhët e tyre,
u shndërrove në një grumbull hi.
U enda i lodhur dhe i etur në të zezën shkretëtirë,
por asnjë shenjë e gjurmë nuk gjeta nga ti.
Erërat e dashurisë u ngritën përsëri,
qelibar e bënë rërën nga hiri i zi,
mbi të dallova një rrëke të pastër uji,
krijuar nga lëngu i kripur i syve të tu.
U DEHËM ATË NATË
Atë mbrëmje ishim ulur të dy në tavolinë
përballë të magjishmit e të dashurit det.
Gotat me pije kishim përpara dhe ngadalë,
duke u parë në sy, ngritëm nga një shëndet.
I pashë sytë e tu tek ndritën si vetëtimë
në çastin e trokitjes së ëmbël të gotave.
Dritë lëshuan pupilat e plota dhe nata
u bë e bardhë si vello nuseje.
Deti u ngjyros më shumë dhe të kaltërën e tij
e thithën si me magji sytë e tu,
ku unë notoja në gjëndje të dehur
dhe isha gati të mbytesha brenda tyre.
Hëna e larë na vështronte dhe donte
të ishte e ulur në tavolinë me ne,
por ç'do ta donim hënën, kur ne ishim bashkë
dhe po pinim shtruar dhe me nge?
Ndjemë flladin e valëve tek na rrahu
fytyrat tona të ndezura prush, si prushi
që lënë zjarret e ndezur në pyje të thatë
e tek putheshim me afsh dhe me mall,
me buzët e ngjitura u dhamë një uratë.
Nuk mbaj mend sa kohë qëndruam
me buzët e ngjitura e të bëra njësh
kur papritur dëgjuam klithma vetëtimash,
që ulërinin në qiell nga një tufë resh.
Thërritëm pulëbardhat që fluturonin
mbi kokat tona e rrihnin krahët mbi ne,
iu thamë të na pastronin qiellin e mbuluar
nga të çmendurat e të zezat re.
Më pas ndjemë ca pika shiu që trokitën me frikë
mbi fytyrat tona prush të ndezura,
por nuk ndjemë asgjë, ne digjeshim nga brenda
dhe trokitja e tyre nuk ishte për ne.
Ne ishim ulur dhe po pinim me gotat e mbushura,
të mbushura me puthje pranë të dashurit det
ku valët e ngrohta me shushërimë
përplaseshin e përqafonin të butin breg.
Përcillnin fjalët tona, fjalët me ndjenja malli
dhe me ëndrra yjesh, që me shkëlqimin e tyre
reflektonin mbi pasqyrën e të thellit det.
Yjet zbritëm nga qielli dhe gotat mbushëm me to
duke i pirë deri në agim me fund, një e nga një.
U dehëm atë mbrëmje përballë detit të paanë
dhe qiellin lamë pa yje si një jetim pa nënë.
U dehëm atë mbrëmje aq shumë,
që me çmendurinë tonë prej dashnorësh
edhe natën vetë e lamë pa gjumë.
U dehëm atë natë, u dehëm aq shumë,
unë të puthja ty, e ti me puthjet e tua
më derdheshe furishëm si lumë.
KU HUMBE?
Kur të pashë për herë të parë, nuk mbaj mënd në ishte dimër, apo kishte trokitur e bukura pranverë?
Në ishte koha kur gjethet e pemëve kalbeshin nën këmbët tona
dhe ishin kthyer në humus, apo kur pemët shpërthejnë dhe mbushin ajrin plot aromë dhe erë?
Ti ishe filiz i njomë. Lule e freskët me petalet hapur si krahë fluture.
Me hap të shpejtë nxitoje rrugicave për të mos rënë preh,
nxitoje si një sorkadhe e trembur, ndjekur nga një dre.
Me sytë që detit i kishin vjedhur ngjyrën, me buzët e kuqe qershi,
që fjalë pa kuptim belbëzonin tek dridheshin si gjethe vjeshte
nga një fllad i lehtë dhe sytë shpesh lëshonin ndonjë rrëkezë shi.
Fytyra jote ishte veshur me stinë pranvere, engjëllore si një qiell
i kthjellët, pa re.
Trupi yt lastar hijeshohej me veshjen moderne,
një këmishë në blu të hapur lëshuar mbi pantallonat "jeans"
dhe flokët e drejta prerë model "kapeleon", Mirel Matje.
Sa rrugë bëra për tek ti? As vetë s'e di.
Ndoshta sa Marko Polo për të shkuar në fund të botës,
deri në të largëtën Kinë. Nuk e di, por di që bëra shumë, shumë...
Në "epokën" tonë nuk kishim ipod a celular dhe në lumin rinor
shpesh këmbeheshim pa folur dhe pa u parë.
Celularët dhe ipodët tanë ishin letrat e shkruara
që mbërrinin kur boja mbi to ishte zbehur dhe tharë,
nga malli dhimbjes dhe rrugë e gjatë.
Më tej nuk e di se ç'ndodhi, por kujtoj që kur unë vrapoja tek ti,
dhe ti me nxitim kishe marrë rrugën për tek unë,
papritur ndërruam kahe dhe busullën humbëm në një kryqëzim.
Ti, nuk e di se ku humbe. Ndoshta në ndonjë pyll a ndonjë shpellë,
ndërsa unë u lodha së rënduri tek kërkoja hapësirës siluetën tënde,
pa gjetur asnjë gjurmë, pa dalluar ndonjë shenjë.
Shojet e këmbëve rënkonin dhe me gojë të shqyer nga dhimbja,
emrin tënd shqiptonin,
herë ndarë në rrokje dhe herë gërmë për gërmë.
ËNDRRAT I SHOH NË ATDHE
Oh, sa frikë kam kur bie të fle, gjumi më mundon aq shumë
sa shpesh me zor më zë, përpiqem si zog i vogël, mbyllur në fole.
Kurrë nuk do të doja të më zërë ky gjumë e t'më bëjë të fle.
Ëndrrat, ah të shkretat ëndrra, më fluturojnë me katapultë,
më hedhin larg dhe veten e shoh papritur në Atdhe.
Atje i shoh të tëra, atje i shoh.
Shoh shtëpinë përdhese ku jam rritur, pranë vreshtit të madh me rrush,
rrugicën ku luaja me shokët,
ku gjunjët thyenin gurë. Ngjitem në kodër në pranverë.
Tepsi bakllavaje, balona tabake që në qiell ngre,
me krahët e lehtë të erës, me krahë të lehtë.
Me shokët shkoj në plazhin e virgjër Currilë.
Dy feta bukë, një copë djath e dy domate në dorë,
trupçveshur, vetëm në të mbathura, zbres kodrën me dhè argjilor.
Më pas ëndrra ndryshon dhe nuk është më fëminore.
Më çon në parqe, në klube dhe në mbrëmje rinore.
Shpeshherë ëndrra më kujton harbime rinie,
ku zemrën e kisha bërë grep dhe e hidhja në bulevardin lumë
për ndonjë sirenë, me zemër dhe shpirt si unë.
Dhe më pas ëndrra më çon në një kohë bosh, bosh,
në një jetë pa jetë, derisa një ditë bashkë me mijëra vetë,
notova symbyllurazi drejt një të panjohure jetë.
Dhe aty papritur ëndrra seç merr fund. Zgjohem i përmallur,
dhe me sy të lagur, sikur të kisha dalë nga një i thellë lumë.
Endrra ndonjëherë shoh dhe n'emigrim,
por më të bukurat, dhe t'ëmblat me kujtime,
janë ato që shoh, tek më çojnë në qytetin dhe vendin tim.