ARTI SOT – NJË UDHËTIM NË MOSVAZHDIMIN E TË MENDUARIT PËR IMAZHET
Nga: Giuliana Donzello - Itali
(Kritike arti, poete, shkrimtare)
Ku po shkon arti, cilat rrugë po ndjek, nuk është një pyetje që e bëjnë vetëm studiuesit dhe artistët. Në epokën e globalizimit, përballë një ndarjeje dhe një shkëputjeje nga post-modernja dhe nga njeriu, dhe pa asnjë stil të unifikuar, arti sot, është në gjallërinë e tij e përfaqëson një model të mundshëm dekonstruksioni dhe ndërtimi të gjuhëve të tjera që vërtetojnë shfaqjen e një vetëdijeje që paraqitet si homazh ndaj zanatit.
Për të kuptuar proceset që qëndrojnë pas veprës, hapi i parë është të kujtojmë se fusha e artit, pra “të menduarit përmes imazheve”, është një përkufizim që korrespondon me një shumëllojshmëri befasuese mënyrash të shprehjes. Imazhe që nuk janë vetëm regjistrime të identifikuara nga syri, por një proces emocionesh dhe përzgjedhjesh të inteligjencës, fryt i lirisë sonë fantazish, shpikje ose transfigurim i një impulsi apo koncepti.
Një udhëtim nëpër hapësirat e mëdha ekspozuese dhe në veprat e artistëve që kanë zgjedhur të bashkojnë zanatin e tyre me kërkesat e sistemit të artit mund të ofrojë një pasqyrë mjaftueshëm të qartë për të kuptuar të sotmen.
Kaërthimi, mahnitja, çorientimi: të gjitha veprime që duken të zakonshme për qëllimet e artit bashkëkohor, nëse ndonjëherë i njihet një drejtim mendimi. Një manierizëm i ri, për të cilin, të paktën për momentin, nuk janë aq të qarta dhe të përcaktuara mjetet dhe parimet që duhen demonstruar.
Duhet pyetur nëse arti i penelit, i pigmenteve të pastra të ngjyrës dhe vetë vizatimi (shenjë e...), që ka qenë gjithmonë një stërvitje e padiskutueshme për të fituar dije dhe formim për breza të tërë artistësh, është bërë i vjetruar, dhe si i tillë, duhet arkivuar në magazinat e kujtesës historike. Mendoj se jo. Është e padiskutueshme, megjithatë, që institucionet e mëdha mirëpresin me entuziazëm dhe pothuajse ekskluzivisht projekte anikonike dhe multimediale, me një prirje për të gjallëruar hapësirat me instalacione të përkohshme ose të përhershme. Nëse merren parasysh pastaj instalacionet gjigante, agresive, shpesh të frikshme të Bienaleve ndërkombëtare, të MAXXI dhe muzeumeve të tjerë, koncepti që qëndron në origjinën e secilit projekt dhe realizimit të atyre veprave, të çon më shumë të mendosh për një rikthim të artit monumental, por të brishtë, ndërtuar mbi baza prej argjile, ku qëllimi i provokimit apo denoncimit “shpërthen” në formën e spektaklit.
Kontrasti dhe harmonia duket se kanë karakterizuar në vend të kësaj zgjedhjet e një muzeu të rëndësishëm si MACRO i Romës i cili, përkrah instalacioneve të ashtuquajtura “normale”, duket se ka dashur të marrë në konsideratë gjuhë alternative dhe ato të historizuara, së bashku, si gjurmët e lëna nga Yahon Chang me rastin e ekspozitës së tij të shënuar nga vepra në kanavacë dhe në letër orizi me përmasa të mëdha, ku ndërthuren bojëra me bojë indiane dhe akrilik me punën e penelave kineze të madhësive të ndryshme.
Harmonia, siç thashë, është e lidhur me një shpirtërim të thellë të shprehur në ngjyra dhe në dinamikën e penelatave. Por në shumë raste eksplorimi konceptual i instalacioneve tejkalon shpesh kërkesat e institucionit dhe akoma më shumë respektin për hapësirat, edhe kur këto reflektohen në ftesat drejtuar artistëve me famë, jo domosdoshmërisht “të mëdhenj”.
Për Chang dhe për një numër të madh artistësh italianë është bërë jetik një interes i ri për shenjën. Funksionet që ajo merr sot në vepër paraqesin një rikthim të kaligrafizmit me ndikim oriental, edhe pse i perëndimizuar, një studim i veçantë për disa, i shenjave jo të shpikura, por të përcjella nga një kallëp. Teknikë kjo që mund të konsiderohet “arkaike” nëse synon të nxjerrë thjesht një klon, për ta vënë më pas në krahasim me modelin origjinal, të dy shpesh të vendosur në skenografi shqetësuese.
Në një plan tjetër, rikuperimi i kallëpit, i kuptuar si një zgjerim i mësimit të frottage-it të Max Ernst dhe braktisja e përfaqësimit si metaforë, i ekspozojnë artit nevojën për të gjetur rrugë kuptimi që mbështeten në një kompetencë të lartë zanati, trashëgimi e një brezi të tërë artistësh aktivë në vitet '80 e '90, padrejtësisht të neglizhuar.
Duke vazhduar në dhënien e formës, shumëllojshmërisë së stileve, për të cilat kam folur që në fillim, një gjuhë që nuk ka hasur në vështirësi të veçanta për të gjetur hapësirën e saj të afirmimit (dhe që pothuajse ka “magjepsur” artistët e rinj të përfshirë në sistemet e komunikimit, duke fituar ndjekës), është ajo e operatorëve të NET ART-it (art underground). Ky është një term që identifikon praktikat artistike që përdorin rrjetin si mjetin e vetëm të krijimit dhe shpërndarjes, por që është gjithashtu një proces që, për natyrën e tij efemere, afrohet me Artin Konceptual dhe me Artin e Performancës.
Përkrah saj, evolucioni i teknologjisë dixhitale po zgjerohet gjithnjë e më shumë, duke i ofruar artistëve dhe dizajnerëve mundësinë për të realizuar ambiente interaktive me përmbajtje krijuese: softuerë për grafikë gjenerative, algoritme animacioni dhe teknologji që lejojnë krijimin e botëve të banuara nga identitete fiktive që jetojnë në mënyrë autonome ose ndërveprojnë me përdorues realë.
Përkrah “pulsimit” të jetës së përditshme, në një ndërthurje të informacionit të detajuar hapësinor dhe kohor, Software Art-i vë në qendër të vëmendjes kodin e programimit: përshkrimi i shkruar i veprës, pra vetë procesi i krijimit, bëhet vepra. Efekti përfundimtar për autorin është pjesërisht i parashikueshëm; kërkimi i efektit! Megjithatë, ekziston gjithmonë një element i rastësishëm, i ndryshëm çdo herë (të ashtuquajturat improvizime të softuerit), që mund të shoqërohen me kompozime të ngjyrosura vizualo - tingullore dhe që ndryshojnë gjithashtu në varësi të ndërveprimit të përdoruesve.
Atëherë, brenda këtij skenari, si mund të gjejnë hapësirë dhe zë të shpëtuara nga harresa e degradimit, objekte të nxjerra në dritë për të treguar, emocionuar, por mbi të gjitha për të denoncuar, duke e trajtuar eco-artin si një kategori të re të së bukurës? Po grafitet? Po Street Art-i?!
E gjithë bota perëndimore është një eksperiment i madh metafizik; brenda saj, “e reja” dhe “risia” janë kundërthënie të një mënyre veprimi që lejon arritjen e një konsensusi kritik.
Në fusha të ndryshme, “e Bukura” është bërë një term i vjetruar dhe bukuria është kthyer në sinonim të shkëmbimit tregtar. Në shkallë të gjerë, vlera tregtare po zëvendëson tërheqjen e kritikës nga roli i saj parësor, që është gjykimi i veprës artistike jo sipas vlerës së saj të këmbimit.
Të pranohet, pra, veprimi përmes imazheve si metodë që i lejon artistit të shohë dhe të vëzhgojë botën, dhe imazhi si dritarja e shpirtit të tij, një mjet për të hetuar dhe zgjeruar vështrimin e brendshëm.
Ai që ushqen një aversion ndaj kritikës dhe për ideologjinë e neutralitetit të çliruar nga përgjegjësia (për një kritik dhe spektator a kritik dhe pajtues), zgjedh përfaqësimin e një bote spektakolare dhe artificiale të krijuar nga teknika e tij, duke harruar se dimensioni i vërtetë i artit “është mbretëria e ndërveprimeve njerëzore”, ku vepra lind si rezultat i një mendimi kolektiv (Bourriaud, 2002).
Kthesa e artit lind nga përfshirja e aktorëve të rinj, ngjarjeve të reja historike, politike dhe shoqërore. Vetëm një tension drejt së vërtetës e thërret artistin të kundërvë imazhin e tij të botës ndaj një bote tashmë të shndërruar në imazh; kushtet e prodhimit, dinamikat e brendshme të saj, e paraqesin si “një grumbullim i pamasë spektaklesh”.
Ripozicionimi i artit aktual, në rebelimin e tij të mundshëm kundër kulturës postmoderne, mund të ndodhë vetëm duke kundërvënë imazhe ndaj një bote të reduktuar në imazh, çka i përgjigjet imperativit për të “imagjinuar pavarësisht gjithçkaje”.
Nënvetëdija kolektive i kërkon artistit të na tregojë çfarë është realiteti, më shumë sesa të na rrëfejë për botë të tjera, imagjinare, utopike, fantastike. Metafizike! Arti sot është imazhi i përçarjes së atij që jeton kohën e shkatërrimit si të reales, ashtu edhe të së vërtetës: nevoja për t’iu drejtuar imazhit për të dokumentuar atë që imazhi-spektakël fsheh.
Le të kthehemi pra te kritika dhe çdo prodhim artistik të konfirmojë kapërcimin e domosdoshëm dhe përfundimtar të kufijve të mendimit të dobët.
(Përktheu: Angela Kosta)