Angela Kosta - Hekuran Halili /Dehja e përjetshme në muzgun e shpirtit/

Angela Kosta - Hekuran Halili /Dehja e përjetshme në muzgun e shpirtit/
HEKURAN HALILI - DEHJA E PËRJETSHME NË MUZGUN E SHPIRTIT

Nga: Angela Kosta

- VARGJE TË MUZGËTA
"Me kërleshje ngjyrash, drithërima hijesh,/
me heshtje rritjeje, lulëzim dëshirash,/
me zhveshjen nazike të ditës nga drita, / vjen Muzgu..."

Me një vizion pamor tejet elegant, autori Halili na zhvendos në një atmosferë - peizazh pothuajse piktoresk. Muzgu, jo vetëm përshkruhet, por edhe përjetohet. Bëhet protagonist i heshtur, melodioz, sensual, (gati njerëzor), me “zhveshjen e tij”, në personifikimin e tij edhe kur “zhvishet krejtësisht”, duke na treguar se gjithçka ndodh realisht dhe metaforikisht. Muzgu “vishet” reshtazi, dhe na shoqëron, na udhëheq në çdo varg me “aspektet” që ndodhin në jetën tonë.
"Në muzg, sa shumë gjëra ndodhin në muzg,/
kur të shtata ngjyrat treten e bëhen një,/
kur çdo gjë mbi Dhé nis e humb trajtat,/
ndërsa drithërima e ajrit, e shpirtit, na kujton..."

Muzgu i cili tret kufijtë, shkrin ngjyrat, pikërisht në këtë shpërbërje krijon hapësirën për vetëdijen që jemi të vdekshëm.
Autori Halili bën që ajri dhe shpirti të vibrojnë së bashku: e jashtmja dhe e brendshmja bashkohen për të na kujtuar se jemi vetëm të përkohshëm në këtë jetë tokësore.
"Ndaj ndizemi e ndriçohemi përbrëndshmi,/
përbrëndshmi gjëmojmë si deti në furtunë,/
ndërsa muzgu na pushton si qerthull pa dalje/
me rrathë hijesh, shtrëngim dëshirash..."

Në këto vargje lexuesi përfiton menjëherë reagimin human të autorit, i cili na drejton drejt një reagimi të përgjithshëm, me vetëdijen për arritjen e një gjendjeje të shndritshme të brendshme. 
“Si deti në furtunë” përcjell intensitetin e ndjeshmërisë përtej hapësirës së pakufishme, ndërsa muzgu kthehet në një gardh, një vend i mbyllur hijesh, pothuajse një burg emocionesh dhe dëshirash.
Unë palat e kindave të tij pres,/
e bëj një kostum të muzgët, tretem në të/...

Këtu Halili jo vetëm vetë shkrihet me muzgun, por vesh edhe vetë petkun e muzgut, duke e pritur ashtu siç pritet e dashura në një takim romantik. Vargjet përshkruajnë jo vetëm një metaforë estetike, por edhe dëshirën për t’u transformuar në diçka magjike, ndoshta për t'u përhumbur në të, pikërisht aty ku mund të gjejë veç qetësi në trazimin e madh shpirtëror.
...unë në një skaj të paarritshëm strukur brenda vetes gjendem,/
në rrafshe hijesh,/ mjegullnaja kujtimesh,
ndërsa ëndrrat varur në gozhdë dëshirash,/
era e viseve të mia m’i lëkund...

I strukur, në vetmi, në muzg (jeta e autorit - ekzistenca e tij e zymtë), autori gjen strehimin e tij të izoluar mes melankolisë dhe pendimeve, të mjegulluara disi në harresë.
...ti më ringjall të gjitha trishtimet, të gjitha dhimbjet,/gjithë shpirtrat e të vrarëve të mi gjithashtu, /në tisin tënd të argjënd shoh vendlindjen time, /tek rend kohrave e viteve si e marrë,
për gjith padrejtësitë e Botës që i janë bërë,
për të vrarët e saj pa varr...

Në këto vargje, toni i autorit bëhet më i fuqishëm dhe disi më me peshë. Muzgu është çasti kur kthehen fantazmat e së kaluarës, jo vetëm për të, por edhe për padrejtësitë që kanë ndodhur e ndodhin kudo si dhe për të vdekurit të mbetur “pa varr”. Vendlindja “që rend si e marrë”, kohërave, viteve e shekujve, është vargu qendror i gjithë poezisë ku dëshmohet portreti i një populli të tërë që vuan ende pasojat e së shkuarës.
Por në muzg, zënë fill gjithë pabesitë e botës,/
në muzg zënë e ndërtohen gjithë kuajtë e drunjtë,/ në muzg shpërvishen mëngët, rrëmbehen kamat, /që ngulen në popuj, që ngulen në trup...
Këtu, poeti Halili fillon ta "zhveshë" krejtësisht metaforën nga çdo iluzion i dukshëm apo paradoksal. Muzgu, që dikur shfaqej si vello delikate, tashmë shndërrohet në një skenë tragjedish historike dhe plagësh masive. Ai bëhet dëshmi e së keqes që nis në heshtje e rrënon gjithçka deri në përgjakje e me shumë dhimbje, e jo vetëm për popujt në përgjithësi, por edhe për rrënjët e popullit të tij.
"Por në muzg, zënë fill gjithë pabesitë e botës…/
…që ngulen në popuj,/ që ngulen në trup…"

Edhe pse, fokusohet e "rrotullohet" këtu, Halili na bën të ndalemi pikërisht në pikën kulminante, të boshtit të poezisë, aty ku gjithçka nis: në skenën e muzgut që përgatitet me hijen e dhunës, duke marrë formën e tradhtive, të mashtrimeve dhe luftërave. Këtë e finalizojnë figurat mitike të “kuajve prej druri” (Troja), që megjithëse i përkasin lashtësisë, flasin për aktualitetin e tashëm.
Në muzg, kur drita zë terret e nata me heshtje ndjell, /ndizen dëshirat, pasionet marrin zjarr, /rriten e marrin përmasa kozmike,/
se Toka më si mban.

Edhe këtu vargjet arrijnë kulmin emocional dhe kozmik. Muzgu, që dikur ishte veç heshtje dhe tretje, tashmë shpërthen pa ndërprerje. 
E gjithë poezia e Halilit është e dendur, e shtresëzuar me metafora dhe alegori të pasura; është një lirikë që alternon ëmbëlsinë me drama të spikatura e të thella, duke e lidhur përvojën personale të të afërmve të tij, me fatin e gjithkujt tjetër.

- NËNAT
Nënat, /si fushat me lule, /si fushat me grunjëra,
që bëhet buka, /dhe qeshet buza...

Me këtë hyrje vargjesh, Halili prezanton menjëherë figurën qendrore: Nënën.
Duke e krahasuar me "fushat me lule" dhe "fushat me grurë", ku shfaqet pjelloria, bukuria dhe bollëku, Halili e përshkruan nënën si tokën që dhuron, ushqen dhe mirëpret. Përmendja e bukës (ushqimi bazë dhe universal) e forcon së tepërmi thelbin e këtij koncepti. Nënat, si fushat, jo vetëm që mbartin jetën, por e bëjnë edhe më të ëmbël, siç thuhet në vargun e fundit: "dhe qeshet buza".
Nënat, ato të shenjtat, /që jetën mbjellin në ëndrra, / jetën mbarsin me sy, / jetën rrisin në bark, / jetën mbartin mbi shpinë, /jetën ngrohin me shpirt...
Në këtë strofë, Halili e ngre figurën e nënës në një nivel pothuajse të shenjtë. Nënat janë "hyjnore" dhe funksioni i tyre jetësor nuk kufizohet vetëm me lindjen fizike të fëmijëve, por bëhet një akt shpirtëror, ëndërrues dhe universal. 
“Jeta”, që përsëritet gati në çdo varg, i jep forcë dhe solemnitet idesë që nëna jo vetëm e sjell jetën, por e shoqëron në çdo fazë: nga ëndrrat, deri në ngjizjen me sy, me mbartjen mbi supe e deri tek ngrohtësia e shpirtit.
Kulmi emocional mbyllet me “jetës i japin jetë”, një shprehje jashtëzakonisht e fuqishme që nënvizon rolin fillestar dhe të përjetshëm të nënës. Halili nuk kremton vetëm një rol biologjik, por një ekzistencë kozmike dhe gjeneruese që sfidon kohën në epoka e në përjetësi.
Dhe këtë koncept, Halili e vulos me shprehjen përmbyllëse: “deri në përjetësi”, ku vihet re një ton absolut, duke na sugjeruar se dashuria e nënës është një urë që bashkon jetën tokësore me atë të pavdekshme.
Halili e mbyll poezinë me një psherëtimë të thellë, thuajse frymëmarrje pa frymë. Ai nuk shton më asgjë, sepse ka thënë gjithçka për këto figura hyjnore, figura të shenjta, të pazëvendësueshme, edhe pse e di mirë që nuk do të mjaftonin miliona vargje për t’u shprehur për to, për nënën e tij gjithashtu, për nostalgjinë, për mirënjohjen ndaj saj, e ndaj të gjitha nënave kudo në botë: (ah, nënat...!)

- Poezia “ÇAST ETERIK”, e shkurtër por intensive dhe vizionare, (që në vetë titullin), Halili e paraqet si një moment të pezulluar midis qiellit dhe tokës, të përshkruar nga misteri dhe dëshira. Ai lëviz dhe valëvitet në një plan dhe hapësirë thellësisht magjepsëse, në mënyrë që lexuesi nuk mund të ndahet nga leximi dhe vizioni që ajo sjell dhe përcjell.
"Më flet me zëra si klithma çafkash," Halili sjell për lexuesin metafora dhe alegori të fuqishme zanore: thirrjet e çafkave janë komunikim disi primitiv, që edhe pse i ashpër dhe i largët, megjithatë i referohet diçkaje hyjnore ose mbi-natyrore. Këto klithje - ky zë i autorit, nuk ngushëllon, por trondit, na shkund: “Sikur zbret nga shtatë qiejt” 
Ja pse origjina e këtij zëri duket hyjnore. “Shtatë qiejt”, i referohen dhe përqendrohen në një imazh kozmik, mistik, i cili fuqizon shenjtërinë e çastit thirrës.
Në vargun: 
“mistershëm mbështillesh me velin e heshtjes...” 
Këtu, velloja fsheh diçka por në të njëjtën kohë edhe mbron. Çasti paraqitet si një entitet enigmatik, gati femëror, dhe i paarritshëm: “më e papushtueshmja kështjellë."

Heshtja e autorit transformohet në një kështjellë, duke mbetur sërish e largët, e izoluar, pa i lejuar askujt t'i afrohet. Halili nuk e mohon fuqinë e kësaj heshtjeje, sepse nuk na paraqet thjesht një moment, por, na paraqet gjendjen eterike që sundon mbi mbretërinë e heshtjes.
Sa do doja hyrjen sekrete t’i’a gjeja/ që ta pushtoja heshtjen - kështjellë...
Tek autori shprehet dëshira e thellë që ka për ta kaluar barrierën pasi është gjithnjë në kërkim të qetësisë absolute - (çastit eterik) ose të vërtetës së fshehur, ku përsëri tërhiqet në një intimitet që nuk dêshiron ta braktisë.
...bashkë të mbështilleshim në velin e dehjes/
buzëmbrëmjes, që dëshira të zjarrta ndez…
I mbështjellë me velin dhe heshtjen, (pasi ajo i ka depërtuar edhe nën lëkurën e shpirtit), autori  gati dehet nga ajo dëshirë e zjarrtë buzëmbrëmjes, i cili është çasti i përshtatshëm për t’u dorëzuar ndjesive, dëshirave dhe bashkimit pse jo të përjetshëm shpirtëror.
“Dhe koha të mos pillte mëngjes!”
Ky varg është gati tronditës po aq sa dhe befasues: dëshira e një pranie të përjetshme,  pezullimi i vetë kohës për ta zgjatur atë çast bashkimi dhe misteri me heshtjen në heshtje, për të shmangur kështu kthimin në realitet, pra për të mbetur sa më gjatë i mbështjellë në velin dehës, eterik, anullon ardhjen e mëngjesit për t'iu shmangur kaosit të jetës.

VARGJE TË MUZGËTA

 Me kërleshje ngjyrash, drithërima hijesh,
me heshtje rritjeje, lulëzim dëshirash,
me zhveshjen nazike të ditës nga drita,
vjen Muzgu...

Në muzg, sa shumë gjëra ndodhin në muzg,
kur të shtata ngjyrat treten e bëhen një,
kur çdo gjë mbi Dhe nis e humb trajtat,
ndërsa drithërima e ajrit, e shpirtit, na kujton,
se mbi këtë dhé s’do jemi përgjithnjë.

Ndaj ndizemi e ndriçohemi përbrëndshmi,
përbrëndshmi gjëmojmë si deti në furtunë,
ndërsa muzgu na pushton si qerthull pa dalje
me rrathë hijesh, shtrëngim dëshirash...

Unë palat e kindave të tij pres,
e bëj një kostum të muzgët, tretem në të,
me bëmat e shpirtin të tij këtë natë të loz,
ma ka ënda, se në muzg, çdo gjë bëhet në muzg!...

Në muzg, ndërsa shndrimi magjik i botës bëhet qetësisht,
unë në një skaj të paarritshëm strukur brenda vetes gjendem,
në rrafshe hijesh, mjegullnaja kujtimesh,
ndërsa ëndrrat varur në gozhdë dëshirash,
era e viseve të mia m’i lëkund...

Muzg, as errësirë e plotë, as dritë dritërimi,
ti më ringjall të gjitha trishtimet, të gjitha dhimbjet,
gjithë shpirtrat e të vrarëve të mi gjithashtu,
në tisin tënd të argjënd shoh vendlindjen time,
tek rend kohrave e viteve si e marrë,
për gjith padrejtësitë e Botës që i janë bërë,
për të vrarët e saj pa varr...

Por në muzg, zënë fill gjithë pabesitë e botës,
në muzg zënë e ndërtohen gjithë kuajtë e drunjtë,
në muzg shpërvishen mëngët, rrëmbehen kamat,
që ngulen në popuj, që ngulen në trup...

Në muzg, kur drita zë terret e nata me heshtje ndjell,
ndizen dëshirat, pasionet marrin zjarr,
rriten e marrin përmasa kozmike,
se Toka më si mban.
Hënës e yjeve nisin përplasen,
sa vjen mëngjesi me dritë e u vë zjarr...
Në muzg, sa shumë gjëra ndodhin në muzg...

NËNAT

Nënat,
si fushat me lule,
si fushat me grunjëra,
që bëhet buka,
dhe qeshet buza...

Nënat, ato
të shenjtat,
që jetën mbjellin në ëndrra,
jetën mbarsin me sy,
jetën rrisin në bark,
jetën mbartin mbi shpinë,
jetën ngrohin me shpirt,
jetës i japin jetë,
deri në përjetësi...

Nënat,
vet jeta,
vet ëndrat,
ato,
më të mirat,
më të bukurat,
më të ëmblat...

Nënat,
ah nënat...!

ÇAST ETERIK…

Më flet me zëra si klithma çafkash,
sikur zbret nga shtatë qiejt,
mistershëm mbështillesh me velin e heshtjes,
më e papushtueshmja kështjellë.

Sa do doja hyrjen sekrete t’i’a gjeja,
që ta pushtoja heshtjen - kështjellë,
bashkë të mbështilleshim në velin e dehjes
buzëmbrëmjes, që dëshira të zjarrta ndez…

Dhe koha më, të mos pillte mëngjes…!

 Nga: Angela Kosta