"BRIRËT E DHISË PLUGOJNË QIELLIN" - DËSHMI E TALENTIT DHE PËRKUSHTIMIT
Pas librit me haiku titulluar " Kujtesa e lotit", botuar para dy vjetësh, nga shtēpia botuese " Shpresa", autori Elmaz Qerreti , një zë i njohur i letrave shqipe, vjen me një libër tjetër me poezi haiku, me titullin shumë domethënës " Brirët e dhisë plugojnë qiellin".
Ashtu sikurse në librin e parë, Elmaz Qerreti, një poet me përvojë shumë vjeçare, i thur poezitë e tij haiku nga gjithçka që kthehet në objekt meditimi për të. Kur reflektimet vishen edhe me pyetje të zgjuara, me dinamikē dhe mbi të gjitha me fjalë të përkora, këtu lindin edhe poezitë tre vargëshe haiku, spontane, si lulet e qershisë në pranverë.
Hëna me re
grua me këmishë nate,
gjoksin zbuluar.
Spontaniteti, frymëzimi, çasti efimer janë brumi i poezisë haiku që përdor Elmazi. Ai me mjeshtëri fut në vargjet e tij këto elemente ,por jo vetëm, bashkë me këto shkrihet edhe filozofia e tij e përditshmërisë, substanca dhe përjetimi personal.
Jo çdo çelës
e hap derën e shpirtit.
Elmaz Qerreti është nga ata poetë që nuk mërzitesh kurrë kur e lexon. Dhe kjo falë talentit të tij, stilit të thjeshtë por mjaft modern, vargut të kursyer dhe jo të rënduar, një lloj brendie ku do gjesh edhe pakëz hare e humor, ku çdo gjë trajtohet me qetësi dhe pa shtypje, me një lloj lehtësimi shpirtëror dhe lirie, me urtêsi dhe njerëzillëk. Ai nuk imponohet, ai thjesht të fton, është lexuesi që nëpërmjet leximit e përzgjedh , e seleksionon, e ruan për gjithnjë.
Sentencat e tij nëpërmjet haikut janë të një bukurie të rrallë dhe të veçanta.
Përrenjtë, si zagarët,
nuk e kapin gjahun për vete...
Ja si shprehet ai në këtë haiku dyvargësh. Pak a shumë na rrëfen simbolikën me të cilën është ndërtuar jeta, përrenjtē vrapojnë, fryhen , marrin gjithçka me vete, por jo për vete, ato shkojnë të përqafohen me detin dhe të njehësohen me të. Ky është ligji i natyrës. Mbase edhe plot njerëz janë si përrenjtë, sidomos poetët, ata vërshojnë, mbledhin fjalë dhe ide,i përpunojnë dhe i nxjerrin jashtë në formë poezish për t'ia dhuruar lexuesit të vëmendshēm e të zellshëm.
Poeti Elmaz Qerreti është i vëmendshëm edhe ndaj dashurisë dhe femrës. Në disa haiku të librit ai do të përshkruajë ndjenjat më intime në lidhje me gruan , domosdoshmërinë e dashurisë në jetën e njerëzve.
Gruaja lakuriq,
vezë e qëruar,
shijohet me dorë.
Ky perceptim dashuror i ngarkuar me shumë emocion erotik na shfaq më së miri dëshirat dhe tundimet e burrit përpara lakuriqësisë femërore, duke e krahasuar atë me një vezë të bardhë e cipë qashtër që hahet duke e prekur me duar. Kështu dhe një femër e bukur është dhe mbetet një " kafshatë" e lakmuar për çdo burrë pasionant.
Por tematikat e ndryshme që ai trajton, të çojnë sa tek dashuria, gjer tek marrëdhëniet e ndryshme dhe të komplikuara njerëzore.
Thëngjilli
të nxin dorën.
Njeriu jetën.
Këtu bën një aludim midis kongjillit dhe njerëzve të ndryshem, që për nga sjellja dēmtojnë shumë të tjerët
dhe bëhen pengesë e lirisë dhe emancipimit.
Paraja
qeni s'e ha,
njeriun bën qen.
Edhe këtu kemi një aludim me trysninë e parasë, nga njëra anë për paranē njeriu lufton, bën të pamundurën ta fitojë, ta shtojë në bankë, që është siguri e prestigj, nga ana tjetër paraja nuk është vlerë universale. Për një qen paraja është thjesht një send i papërfillur, një kockë për të lëpirë, do të ishte " paraja" apo vlera monetare e qenit. Me këto lloj haiku Elmaz Qerreti tërheq vëmendjen, duke iu thënë njerëzve " O njerëz, paraja nuk është gjithçka, kushtojuni më shumë jetës dhe dashurisë".
Elmaz Qerreti, poeti nga Lushnja me një taban të pasur artistik, ku shquhen poetë kalibri, është poeti i denjë për lexuesin shqiptar. Ai përmes shumë veprave letrare ka ditur të fitojë zemrën e lexuesit, duke eksperimentuar në gjini të ndryshme letrare. Ai është poeti i fëmijëve, ka shkruar për ta që në vitet shtatëdhjetë të shekullit të shkuar e vazhdon ende të shkruajë. Por ai ka levruar me mjeshtëri edhe poezinë për të rritur, midis tyre edhe dy libra dedikuar poezisë haiku. Ai është mjeshtër edhe i rrëfimit, me disa libra me tregime dhe romane.
Një njeri i përkushtuar ndaj artit që ndër vite i ka dhuruar lexuesit perlat e tij. Ky libër, me titullin metaforik Brirët e dhisë plugojnë qiellin" do j'ua dëshmojë këtë.
Rifat ISMAILI
Savona, 11- 08- 2025