Maxhun Osmanaj - Duke tjerrë diçka (Ese)

Maxhun Osmanaj - Duke tjerrë diçka (Ese)
DUKE TJERRË DIÇKA
 
Maxhun Osmanaj
 
Derisa isha mbështjellë në gëzhojën e vetmisë, e “zura” pak kohën për një çast.Desha ta pyesja: kam diçka me ju.Muret e sallonit dhe gjesendet përreth më shikonin herë këndshëm, herë vrajshëm.Mendja ime ishte zhytur  në dyshime.Sikur mbretëria e saj më flet, më jap një këshillë: ose shkruaj diçka të mençur, ose hesht në pushtetin e vetmisë! Nga inati që s’paskam asgjë të mençur për çastin, rebelova memorien.Vendosa tri pika në fletën e memories... Nga ai rebelim,dikush ma hapi derën të dal nga ky rreth vicioz, ndryshe muret, gjësendet më shikonin sikur kisha çartur fytyrën, ngase më dukej vetja se po rrëshqitja në errësirë mendimesh. Hetova ca djersë që pullonin rreth ballit tim të pafajshëm.Për një çast u shkunda nga mendimet, sikur një pemë e ngarkuar nga pesha e borës që mban ditë të tëra, dhe kur dikush ia largon barrën e pafajshme, atëherë ajo çlirohet dhe ngre kryet drejt qielit. Ashtu m’u duk vetja.
  Hy në tri kohët, sikur në një lumë të thellë apo oqean të turbullt. Një zë i fshehur më flet: Nëse mendon të dalësh i pastër, pa njolla, provo. Nëse ke frikë, mos hy. Dogja frikën se mund të gjej thesarë mendimesh. Në atë çast seç m’u kujtua një proverb i një mendimtari për frikën;” Frika është hibrid i paditurisë dhe i pasigurisë”. Brenda humnerës së vetmisë, muret dhe gjesendet më silleshin si njerëz të çakorduar. Më ngacmonin. Donin të më futnin në lojë apo betejë. Unë s’isha i gatshëm, s’isha i armatosur. Parandjeja një humbje. Sapo m’u shfaq para syve, bashkudhëtarja ime dhe ma prishi gjolin e vetmisë.Më “zgjoi” nga buisja e mendimeve. Më shikoi më shikim  dyshues, shpërtheu :”Kah je humb’ o Njeri!?” Brenda orbitës së memories sime desha të fluturoja dikah  rrembyshëm, por...Ajo priste përgjigjen. Një ofshamë dhe qetësi më folën si kundërpërgjigje : -Nëse nuk humb dikah, si të fitoj?! U kënaqa, ia mbylla gojën. Nuk vazhdova dialogun më me fisniken. Doja t’i rrëfehesha vëtëm Zotit diçka. Atë e njihja gjykatës, të tjerët jo!
  Sërish m’u kthye koha  për bisedë. E shkuara ; Më mua ke shumë punë. Më shtangoi! U zhyta në mjegullen e dyshimit. Më ka vrarë më shumë  apo s’e njoha cila ishte?!
   E  sotjma si kasnece më foli: Fol tani para meje; kush jeni?! Iiii!,- ia ktheva. Përditë jam me ty, përditë ta shoh fytyrën, ta shoh shpirtin... Më lë të lirë!,- ia ktheva. E shikuam njëri-tjetrin me sy magnetik. S’desha ta rëndoj me akuza, sepse vetë isha kryeprotoganist kohe, sado që ajo, e kuptoi që desha shpirtin tim... Fëmijëria dhe rinia ma gozhduan mallin aty për aty.
  E nesërmja më pa krejt me një fytyrë tjetër. “Nuk e lashë më fol!” Më mirëkuptoi. -Më fal, i thashë!,- nuk di çfarë do të më dhurosh?! Çfarë do të më thoni?! Mos më trego asgjë për të nesërmen, iu luta me një zë mëshirues. Ma plotësoi dëshirën...
Sytë e së nesërmes më ndizën lakmi.Sikur mbeta herë mëshirues, herë një lypës i fatit të nesërm.Por ajo s’më dhuroi asnjë fjali. Mbeta gojëhapur! Ndoshta më mirë që s’më dhuroi asgjë, por m’u duk se fjeta në shtratin  e shumë pseheve, dyshimeve pakuptimësive pa ditur për fatin e nesërm...
Në atë çast,  m’u ndez një veprim; mosha sikur shtrydhi kohën time apo unë shtrydha kohën të më thoshte diçka që ende s’e kisha dëgjuar kurrë.S’di, a mbeta peng i kohës apo koha ma burgosi fatin e dëshirave...
                                                                        Fillimprill 2025