Edmond-Andreas Salvaris - PSIKOANALITIKA E ECJES

Edmond-Andreas Salvaris - PSIKOANALITIKA E ECJES
PSIKOANALITIKA E ECJES
 
Sot më ndodhi diçka e pa imagjinueshme në fantazi dhe e pa ëndërrueshme në ëndërr. Sa dola nga shtëpia dhe hodha hapin e parë, ndjeva këmbën e majtë të shkelte në një butësi përpirëse, ndjekur në fund të hapit nga këmba e djathtë. Në sipërfaqen e trotuarit isha shkurtuar në lartësinë e këpucëve. Pjesa e shkurtuar e vetes vazhdonte ecjen përmes padukshmërisë së saj nën trotuar pa pikën e pengesës, me të njëjtën lirshmëri si në ecjen e zakonshme njerëzore. Kjo më qetësoi disi, por njëkohësisht më trembi për përmasën e shkurtuar të lartësisë sime.
U mundova ta ngrija këmbën, gjë që ndodhi krejt normalshëm, por po aq normalshëm në ulje pjesa e veshur nga këpuca u zhduk përsëri nën trotuar. Ia hodha fajin trotuarit, por të njëjtin faj pësoi dhe bulevardi kur eca mbi të pa pjesën e këpuckëmbës.
Shikoj me kureshtje kalimtarët. Unë isha mes tyre i vetmi me këpuckëmbët e padukshme.
Frika e sakatimit më kaloi, pas provës lëvizëse të gishtave të këmbës. Fundi i fundit, a nuk po ecja po aq normalisht e lirshëm si në çdo ecje timen të mëparshme me këpuckëmbët mbi tokë?
Sa mbarova këtë mendim qetësues, një ndjesi e dytë përpirëse e tokës më tronditi qenien.
Vetja m’u shkurtua tmerrësisht më tepër se më parë dhe unë po ecja mbi trotuar a bulevard, a një dreq e di se ku, pa pjesën e dukshme të gjunjëve të mi.
Por përsëri ecja ishte normale, a thua se nëntoka ishte shndërruar në një masë ajri të mjegullt, që mbante fshehur këmbët e mia deri në pjesën e gjunjtë, pa i penguar në lëvizjen e tyre.
Le të ishte ç’të deshte kjo masë nëntokësore, përderisa nuk po pengonte në ecjen time, po ç’kusur unë njeriu, i lartësisë 1.80 m, të shkurtohesha mbitokës kaq tmerrësisht, duke patur para syve pjesët barkore e kërbishtore të kalimtarëve?
Po ata çfarë kujtonin se kishin mes tyre, duke parë një qenie njerëzore, që pa pikë sikleti ecte njëlloj si ata, pa paterica apo ndihmën e dikujt tjetër në krah?
Qetësinë e dytë e pata kur konstatova se asnjë kalimtar nuk më shikonte me kureshtje, bile asnjë nuk më hidhte syte apo të kthente kokën.
Qetësi i thënçin, ama, për gjendjen në të cilën isha katandisur brenda pak minutave pas daljes nga shtëpia.
O Zot, lëshova papritur thirrjen, e vetmja gjë që tërhoqi vëmendjen e njerëzve, por që vazhdoi
për pak sekonda.
Me siguri as këtë radhë, këtë radhë kur përpirja e nëntokës sa më kishte marrë komplet këmbët
brenda saj, kalimtarët nuk u bënë kuriozë për njeriun e gjysmuar në trup, që edhe pse pa këmbë vazhdonte ecjen njëlloj si ata me këmbët e plota.
E tmerrshme!
Kisha marrë përmasat e gjysmënjeriut, që po ecte mbitokës me gjysmën e dukshme të tij, përmes gjysmës së padukshme brenda saj.
E vetmja gjë që më mbeti të lutesha atë çast, ishte e thëna, “O Zot, zgjomë nga kjo ëndërr e tmerrshme!”
*
Lutja, me sa duket, nuk pati fuqinë depërtuese mes kalimtarëve e të ngjitej lart drejt Zotit, sepse fill pas saj, në vend të kthimit tim në përmasat normale të trupit, po ndodhte zvogëlimi i mëtejshëm i tij.
U përpi në çast gjithë barku, sikur të ishte një tullumbace e shpuar dhe shikimi im horizontal përfshiu dhjetra këmbë njerëzish, në format më serioze e qesharake të ecjes mbi tokë.
Normaliteti im ecës më joshi për pak çaste drejt këmbëve femërore të paveshura me pantallona dhe me maksifunde.
Asnjëra prej tyre nuk bënte të turpshmen për t’iu larguar shikimit apo mbajtur ngjitur me dorë minifundin mes shalëve, përkundrazi, vazhdonte e njëjta ecje e zakonshme, krejt indiferente, bile për mua më tepër se e paturpshme.
Ç’të them se çfarë po shikoja.
Them vetëm që nëntoka e dinte ç’po hiqte nga drithërimat e trupit tim.
Shikimi u bë më i qartë dhe më tërbues, kur pas pak minutash mbeta mbitokës vetëm me kokën time, mbajtur nga qafa si një hu mbajtës dordoleci.
Ishin të vetmet çaste që më bënë të harroja tmerrin e gjendjes sime tjetërsuese.
Tjetërsuese thashë?
Gabim!
Unë isha po ai i mëparshmi, pa u tjetërsuar në ndonjë formë apo qenie tjetër.
Nuk di vërtet ç’emër t’i vë asaj që po më ndodhte sekondë pas sekonde, minutë pas minute, ku unë njeriu, si gjithë njerëzit e tjerë, po shkurtohesha pa u shkurtuar, duke u përpirë nga nëntoka, si nga një vrimë e zezë e universit.
Kot e them dhe këtë krahasim, pasi s’kam idenë se si mund të ndjehet njeriu i përpirë nga vrima
e zezë.
Isha pra si një top futbolli mes këmbëve njerëzore, që një Zot e di ç’mund të ndodhte, nëse do dukesha i tillë prej tyre.
“Mos, jam kokë njeriu!” thirra, kur fare afër kokës pashë të ndalonin dy këmbë njeriu dhe e majta, më duket, u ngrit në formë harku për prapa, njëlloj si këmba gjuajtëse e futbollistit kur merr fuqi për gjuajtjen e topit.
E pamundur ta fusja vetë kokën nëntokës për t’i shpëtuar një penalltie, që më tepër se pa mend, do ma linte trupin pa kokë.
Njëlloj si herën e parë të lutjes, e vetmja gjë që munda të bëj atë çast, pa arritur këmba t’i afrohej
kokës, ishte e thëna, “O Zot, bëje nëntokën ta përpijë sa më parë brenda saj, kokën time!”
*
Fill pas lutjes, ndjeva një shkelm të fortë në majën e hundës, që ma mbushi shikimin me një botë mizash bardh e zi, duke gumëzhitur rreth kokës, sikur të ishte koshere bletësh.
E rrokullisur mes këmbëve të njerëzve, koka po i largohej e çorientuar trupit, që vraponte si i çmendur ta arrinte.
Nuk po merrja vesh në cilën pjesë të qenies ndodhesha, por di që po aq herë sa vrapoja këmbët drejt kokës, po aq herë largohesha prej tyre me kokën.
E pamundur ta ndaloja kokën dhe ta vija mbi trup.
Shkelmat e njerëzve ishin të pamëshirshme dhe akoma me çorientuese ishin britmat triumfuese, tamam si në një ndeshje futbolli me tifozë të çmendur.
Pas hundës, radhën e patën veshët, që për pak sekonda ndaluan çdo zhurmë, sikur të isha në fundin e një pusi pa ujë.
Por shkelmi i radhës do më sillte në vete dëgjimin, për të më larguar nga sytë shikimin e njerëzve apo të mizave bardh e zi. 
Qetësia e pusit u kthye në natën e tij sterë të zezë.
Megjithatë mendja vazhdonte mos më tradhëtonte, duke më kujtuar për një çast se sa i vetëm paskam qenë botës njerëzore dhe jo vetëm kaq.
Paskam qenë, sa i vetëm, aq dhe i urryer prej saj.
Paskam qenë sa i urryer, aq dhe i padëshirueshëm.
Paskam qenë, sa i padëshirueshem, aq dhe i rrezikshëm, i frikshëm, i magjikshëm.
I magjikshëm thashë?
Nuk e thashë unë.
Unë vetëm po them gjithë thirrjet sharëse, ofenduese, përçmuese e asgjësuese, që dëgjonin
veshët e mia, sa herë iu shpëtonin shkelmimit të këmbëve të njerëzve, që këtë mëngjes të
zakonshëm ishin kthyer në lojtarë arene, ku i vetmi gladiator për t’u flijuar isha unë apo më
saktë, koka ime.
Keni parë apo dëgjuar për arenë të tillë me kokë gladiatori, ku spektatorët nuk mjaftohen
vetëm me uljen e gishtit për dënimin fatal të tij, por futen të gjithë në fushë për ekzekutimin e
vendimit të tyre?
Mësojeni pra sot nga unë dhe mos bëni të çuditurin, sepse çudia tre ditë zgjat, kurse
tragjeditë njerëzore kanë mijra vjet që na çuditin përtej çdo treditëshi të tyre.
Sot në mëngjes e kishte radhën koka ime.
Ç’them dhe unë kështu?
Pse flas për radhë kokash, sikur të jenë shalqinë që shiten rrugës me provë?
Jo, jo, nuk kam të drejtë të flas për radhë kokash njerëzore, të dënuara të shkelmohen deri në
masakrim.
Mbase kjo e imja ishte një rast i vetëm, një përjashtim, mundet dhe një prodhim skarco mes miliarda kokash cilësore të planetit, që duhej përjashtuar nga radhët e tyre.
Si? Nuk qenka i vetmi përjashtim?
Mos më përmendni për shembuj mijrat e kokave të prera nga shpata, gijotina dhe ca hanxharë të sotëm, që nuk i ka zëvendësuar dot asnjë shpikje e shkencës vrasëse.
Jo, jooo, mos ma krahasoni dhe përfshini kokën time me asnjë kokë tjetër, sepse ajo është e imja
dhe vetëm e imja dhe nuk i përket asnjë trupi tjetër veç trupit tim.
Me një fjalë, kam qenë kokë më vete dhe kjo qenësi më vete e kokës sime, është shkaku i tragjedisë së saj, mëngjesit të sotëm.
Prisni pak, se nuk mbaron këtu meseleja e fatit të kokës sime.
Pasi kaloi në çdo këmbë të djathtë e të majtë të njerëzve, koka flakë e kuqe ndaloi në qendër të qytetit.
Jo, nuk i ndaloi këmbët shkelmuese frika e flakës, as kuqësia e saj, as rrjedha si llavë vullkani e
gjakut.
I ndaloi lodhja.
Prisni, se u nxitova këtë radhë!
Ku ka lodhje urrejtja njerëzore.
Përkundrazi, ajo pakësohet në të kundërt me urrejtjen.
I ndaloi pra…
Hë, e gjeni dot se kush i ndaloi?
Kot pyes, përderisa askush s’më shikon dhe dëgjon.
E megjithatë unë po flas, kam akoma takatin e fundit të flas, sepse dua të flas, qoftë dhe hapësirës së shurdhët të kësaj bote të verbër.
Ngopja, i ndaloi. Po, po, ngopja.
U ngopën deri në vjellje së shkelmuari kokën time.
Bile ja dhe tani që po flas, po vazhdojnë akoma të vjellin.
Më duhet ta mbyll këtu fjalën time, sepse e di që pas mbarimit të vjelljes, do t’i sulen kokës nga
e para.
Çfarë do bëj për ta shpëtuar atë?
Po vrapoj këmbët e mia drejt saj.
Mos më prisni të kthehem.
*
Tashmë jam i gjithi nëntokës.
Jo pa qëllim Zoti e vonoi vënien dorë ndaj lutjes sime.
Tani kuptoj më mirë kryqëzimin dhe ringjalljen e birit të Tij.
Vazhdon përtej tregimit…