Vladimir Shyti - URREJTJE DERI NE VDEKJE (tregim)

Vladimir Shyti - URREJTJE DERI NE VDEKJE (tregim)
URREJTJE DERI NE VDEKJE
  Genti kish dalë të luante më fëmijët e tjerë. Në muzgun e thellë dalloheshin dritat që vinin nga galeritë e minierës së qymyrit. Minatorët tërhiqnin këmbët zvarrë në rrugën e pa ndriçuar mirë të qytezës. Burri që ndizte fenerët nuk po vinte me minatorët e tjerë. Vëndi u mbulua nga errësira, puna kish përfunduar. Ra nata.
  Djaloshi dymbëdhjetë vjeçar, i shqetësuar, hyri me vrap në kuzhinë. Dritat elektrike kishin ikur, qiriu i vetëm po digjej mbi tryezë, zjarri bubulak brenda sobës lëshonte shkëndija dhe, mbi të një kazan metalik ziente ujë. Zonja Sadiku po rrinte vetëm. Në anë të sobës, tigani lëshonte avull, në tavolinë ishte vendosur një pjatë. Dhoma ishte mbushur me një atmosferë pritje; gjithçka priste njeriun që, i nxirë nga qymyri, me stomakun bosh, po dehej katërqind-pesëqind metra larg shtëpisë, në anën tjetër të errësirës. Genti qëndroj te pragu derës me një trishtim të dukshëm në fytyrë.
  -U kthye babi?-pyeti ashtu kot dhe nisi të vinte rreth së ëmës.
  Ndanin të njëjtën shqetësim, i ati vinte gjithmonë i pirë në shtëpi, bënte sherre të kota me të ëmën, e godiste ku të mundte dhe, kur djali i dilte në mbrojte mamasë, ai si kursente shpullat edhe në fytyrën e të birit.
  -Mos i fol më mama! Pse e mundon veten kështu? Nëse ka qejf të dehet, atë të bëjë.
  -Ashtu mendon ti,atë të bëj!-u përgjegjë flakë për flake zonja Sadiku.-Një fjalë goje!
  E dinte se burri që ndalet pijetorëve, ndërsa kthehet nga puna, rrënon shpejt veten dhe familjen. Ai duhej të siguronte bukën e gojës për vete e tërë familjes, pra të bënte detyrën e tij. Por gjatë këtyre mbrëmjeve pritje dhe sherreve të kota, atmosfera ishte gjithnjë e nderë.
  Kaluan minuta, orë, mbulesa ishte ende e shtruar, darka priste, e njëjta ndjenjë shqetësimi dhe pritje ankthi ndihej në shtëpi.
  Ndërkaq, hyri Sadiku, i egër, brutal, i urryer.
  -E bukur orë për tu kthyer në shtëpi-i tha zonja Sadiku.
  I biri pa të ëmën në sy.
  -C’hall ke ti se ç’orë vij unë,-klithi ai me gjuhën e trashur nga pija.
  Nënë e bir heshtën, sepse kishin frikë. Hëngri në mënyrë shtazarake dhe kur mbarojë, shtyu tej pjatat, për të shtrirë krahët mbi tavolinë. Gjumi e kapiti pothuajse menjëherë.
  Genti e urrente të atin kur rrinte në atë pozicion. Koka si bugaçe dhe e ligë, me flokë të zinj  e thinjur aty-këtu, binte mbi llërët e përveshur. Fytyra e tij e ndotur, e përndezur, me hundën mishtore dhe vetulla kaleshe, ishte kthyer anash. Në një moment padashur gruaja përplasi një pjatë porcelani me një tjetër. Minatori ngriti kryet e bërtiti:
  -Do hash një grusht surratit, kaq po të them, provoje po deshe bëj prapë zhurmë! Më dëgjon?
  Dy fjalët e fundit, të thëna me egërsi e bën djalin të dridhej nga urrejtja ndaj këtij njeriu. Mblodhi duart grusht dhe e mendojë përsëri planin që kishte kurdisur në kokën e tij fëminore.
  Ai ishte i përjashtuar nga hallet e familjes. Nënë e birë nuk e vinin në dijeni për asgjë. Genti për çdo problem, ashtu dhe mamaja e zgjidhnin ndërmjet tyre. ”Je bërë burrë” i thoshte ajo me përkëdhelje. Dhe djaloshi e ndjente veten të madh. Hamdi Sadiku ishte diga që u ndalte rrjedhjen e lumturisë së tyre.Dhe Hamdiu ishte gjithherë i vetëdijshëm për heshtjen që binte, dhe nuk ishte i mirëpritur, edhe që e linin jashtë jetës familjare.
  Vitet e fundit të shekullit njëzet sollën shumë andralla, një kaos i vërtetë; përbuzjen, pa aftësinë politike drejtuese, shkatërrimin total dhe nuk ekzistonte më ajo furi e zakonshme e qëndrimit mbrojtës. Një pjesë e popullit ishte armatosur nga shpërthimi i depove të armatimit e municioneve dhe, kur shteti arriti të forcohej disi, armët e rrëmbyera u fshehën nëpër skuta të errëta me gjasme për mbrojtje. Dhe minatori  kishte fshehur një të këtillë, por pija e tepërt e kishte bërë ta harronte armën dhe vendin ku qëndronte telashi tij. U ngrit me mundim nga tavolina e u kurspullos para sobës. E adhuronte zjarrin.
  -Nuk do të lahesh, uji në kazan po vlon prej kohësh,-i foli e shoqja duke ngritur disi zërin padashur.
  -Mos më gri zërin mua, shtrigë!-u inatos dhe u ngrit në këmbë duke shfryrë.
  Djali dukej tepër i acaruar, prania e të atit ia shtonte padurimin.
  -Atëherë shko e fli!- ia bëri zonja Sadiku, por sakaq sytë i shkreptinë nga një dackë që i dha pijaniku dhe, bëri pas, duke derdhur ujin e kazanit mbi syprinën e giztë të sobës.
  -I mallkuar, pijanec, ç’të bëri mami që e godet!?-bërtiti Genti dhe shkojë nga e ëma.
  -Jeni bërë bashkë, kundër meje,-u hakrrye i ati dhe, nuk ia kurseu edhe të birit një shpullë surratit, që i ndezi tërë fytyrën njomë, duke lënë shenjat e pesë gishtave të ndotur në të.
  Zonja Sadiku duke sharë e mallkuar rrëmbeu të birin në krahë e u largua, duke lënë pas në kuzhinë re avulli që u krijuan nga uji i derdhur mbi sobë. Dhe të dy nënë e birë shkuan në dhomën e fjetjes të heshtur e të shkatërruar. U shtrinë në shtratin bashkshortor, ku i pari shtëpisë e kishte braktisur kohë më parë. Genti i hodhi krahun e brishtë nënës në qafë duke mbajtur dënesat, ajo e shtrëngojë fort në gjoks dhe, duke qarë e mbulojë me të puthura. Ngrohtësia, siguria dhe paqja e shpirtit, mirëqenia që krijon kontakti me njeriun e dashur të zemrës,shkrihen aq mirë, saqë gjumi të lehtëson dhimbjet e shpirtit dhe të trupit. Djali u struk tek e ëma dhe ra në një gjumë të thellë, që dukej sikur i jepte forcë.
                                                             ***
  Ishte e diela e parë e dimrit të atij fundshekulli.
  Pak pas mesditës një lajm i llahtarshëm përshkoj qytezën si rrufeja. Do të kishte qenë i tepërt telefoni; ngjarja kaloi gojë më gojë e shtëpi më shtëpi brenda një kohe pakëz më të gjatë se çdo t’i duhej telefonit. Pothuajse të gjithë banorët e qytezës X ishin mbledhur atë pasdite në sheshin e gjërë para godinës spitalore, mbuluar nga gjethet e rëna të vjeshtës. Bisedonin e pyesnin njeri-tjetrin rreth ngjarjes tragjike të çiftit bashkëshortor Sadiku, që kishte ndodhur pak orë më parë…
  Ditë më parë, Genti pasi u sigurua që ishte i vetëm në shtëpi filloi një kontroll të imët për gjetjen e armës, fshehur prej dy vitesh nga i ati. I ra rreth e përqark kopshtit, pasi brenda në shtëpi s’kishte gjetur gjë Mjegulla ishte kaq e rëndë dhe trashë, saqë pesë hapa u largua nga shtëpia, ai s’dalloi dot më as dritaret. Dita kish lindur pa diell. Si u soll lartë e poshtë një cop herë i zhytur në mendime, pastaj nisi të kontrollonte në çdo vend ku ai dyshonte. Nuk e gjeti as këtu dhe pa e zgjatur shkojë nga vendstrehimi që ndodhesh ngjitur me avllinë. Hapi portën e hekurt të veshur nga pisllëku, brenda vendi qe ndotur me kashtë, kuti dhe karton. I përmbysi të gjithë kutitë dhe në njërën prej tyre e gjeti atë ç’ka kërkonte. Zemra i rrahu me furi, kjo armë ishte pjesë e planit të tij, kishte edhe fishek të shpërndarë në fund të kutisë si bishta cigaresh, por djalit ato nuk iu deshë, pistoleta ishte e mbushur. Nuk ia kishte fort haberin, kishte qëlluar disa herë, kur u armatosë tërë qyteza. I pushtuar nga urrejtja dhe tmerri, duke iu dridhur duart e fsheu armën në trup dhe doli, duke mbyllur portën si më parë.
  Vetëm të Dielën pushonin minatorët.
  Hamdiu doli herët nga shtëpi, ndërsa zonja Sadiku po merrej me punët e përditshme shtëpijake. Genti kishte disa ditë që fliste shumë pak ose hiç fare, sillej si i rritur dhe fytyra kurrë nuk i qeshte. Në atë moshë që ishte, s’kishte torturë më të madhe për shpirtin e një fëmije, i cili përvëlohet në flakët e mllefit dhe të urrejtjes ndaj prindit. Nuk doli jashtë për të lozur, siç bënte nga hera, ndaj futi në merak të ëmën, e cila iu afrua dhe e puthi në faqe. Ai iu hodh në gjoks, ajo u përkul dhe ndenjën një copë herë të përqafuar. Pastaj, djali u shkëput dhe doli në oborr me çape të ngadalta e tepër i menduar.
  Pak para drekës Hamdiu u shfaq në derë çakërrqejf dhe i skuqur lehtë në fytyrë. Hyri brenda në kuzhinë dhe iu drejtua të shoqes që po gatuante diçka të sajuar për të kaluar vaktin. Genti qëndronte i shtrirë në dhomën tjetër, të cilit iu drodh zemra kur dëgjojë zërin e të atit.
  -Grua, më jep ca para nga ato që ke hequr menjëanë!
  -Nuk mundem, kemi djalin pa këpucë,po vjen dimri,-kundërshtoj zonja Sadiku, duke kapërdisur turlinë me zarzavate mbi sobë.
  Dy sy fëmije plot ankth vëzhgonin ne derën paksa të hapur të kuzhinës.
  -Më duhen, moj dreq, i kam dymijë lek borxh një miku,-bërtiti si gjithmonë burri i nervozuar.
  -Boll ke pirë sot!
  -Qelbësirë, më jep shpejt paratë!
  -Nuk dua…-zëri gruas u shua dhe ajo u shëmb përdhe e mbytur në gjak nga një e goditur me tiganin e rëndë nga dora e të shoqit.
  Pastaj burri u mat të dilte, por ngriu në vend, kur shikoj një tytë revolveri drejtuar nga ai, i dehuri u bë esëll. Bebet e syve iu zmadhuan si një i sëmurë mendor, zemra ndali rrahjet, diçka mërmëriti nëpër dhëmbë, por qysh në të shtënën e parë u thye më dysh dhe, më pas disa krisma të tjera e rrëzuan në dysheme pranë gruas, që kishte humbur ndjenjat e mbuluar kryet me gjak të pastër dhe të pafajshëm.
  Te sheshi para godinës spitalore, dikush po thoshte se, fëmija ndiqte nga pas autoambulancën, që transportonte në urgjencë zonjën Sadiku,e cila ishte goditur me një mjet të fortë pas koke.Një tjetër nuk ishte ende i bindur, që Hamdiun ta kishte qëlluar i biri dymbëdhjetëvjeçar. Më pas kryemjeku sqaroi se gruaja gëzonte shëndet të plot, ndërsa burrin do ta nisnin me urgjencë për në Tiranë.
  Njerëzit e mbledhur në sheshin e spitalit filluan të shpërndahen në grupe, duke u bërë dëshmitarë të një tragjedie familjare, që ende dhe sot luhen në skenat e qyteteve, fshatrave dhe në krahinat shqiptare.